HISTORIA/ Burrë e grua rrihnin njëri-tjetrin, Gjykata i burgos të dy

Feb 7, 2016 | 9:56
SHPËRNDAJE

Në qershor të vitit të kaluar, një çift bashkëshortësh kanë kallëzuar njëri-tjetrin për dhunë fizike. Në fund të historisë rezultoi se të dy kanë dhunuar njëri-tjetrin e për pasojë të dy janë dënuar.

Gjykata-e-TiranesFillimisht ka qenë burri ai që ka telefonuar në numrin 129. Ai ka njoftuar sallën operative se bashkëshortja e tij e kishte rrahur dhe hedhur nga shkallët.

Kallëzimi i tij ka marrë kundërpërgjigje nga bashkëshortja, e cila po ashtu ka pretenduar në Komisariatin nr.3 në Tiranë se ishte rrahur nga i shoqi. Sipas saj, ai e kishte qëlluar me grusht në fytyrë. Protagonistët e ngjarjes G.K. dhe E.K., aktualisht të divorcuar, janë dërguar si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “dhunës në familje”.

Në një përfundim të gjykimit që u mbyll pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, ata u shpallën të dy fajtorë dhe u dënuan me nga 2 muaj heqje lirie.

Ata nuk do të qëndrojnë në qeli, për shkak se gjykata vendosi pezullimin e dënimit të tyre me burg. Referuar vendimit të shpallur nga gjyqtari Arben Micko, i pandehuri G.K. do të qëndrojë në liri me kusht për një periudhë 18-mujore. Gjatë kësaj kohe, ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Ndërsa e pandehura E.K. duhet të kryejë 60 orë pune të papaguara për interes publik.

DHUNA E NDERSJELLE

Konflikti me dhunë të ndërsjellë mes dy bashkëshortëve ndodhi pranë banesës së prindërve të gruas pasditen e 4 qershorit 2015, kohë gjatë së cilës çifti ishte në proces divorci. Referuar vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit është siguruar nga gazeta, i pandehuri G.K. është goditur nga e shoqja e tij dhe më pas ka rënë nëpër shkallë.

Po ashtu, edhe vetë ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes duke e qëlluar në fytyrë. Bazuar në akt-ekspertimet e kryera një javë pas ngjarjes, tek e kallëzuesja E.K. nuk janë vënë re dëmtime të jashtme trupore.

Në të njëjtën ditë ekspertimi mjekoligjor i kryer ndaj kallëzuesit G.K. ka rezultuar se në anën e djathtë të qafës ai ka pasur disa gërvishtje. Sipas ekspertimit, dëmtimet ishin shkaktuar nga një mjeti i fortë mbrertës dhe hynte në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbje aftësie të përkohshme për punë deri në nëntë ditë.

Gjykata ka administruar si provë edhe dëshminë e babait të shtetases E.K., si dhe të një fqinje të tij në pallat. Dëshmitari A.Ç. kishte pohuar se ishte kërcënuar dhe ofenduar nga dhëndri i tij, që i kishte thënë “jeni të çmendur”. Largimi i të pandehurit nga pallati duke bërtitur dhe ofenduar fqinjët e saj është konfirmuar edhe nga dëshmitarja Z.X. fqinje e familjes.

KALLEZIMI I BURRI

Në kallëzim e tij, shtetasi G.K. ka sqaruar se në datën 04.06.2015, ai ka shkuar te shtëpia e bashkëshortes së tij E. për t’i çuar djalin e vogël. Ata nuk jetonin bashkë për shkak se ishin në proces për zgjidhjen e martesës. “Gjatë bisedës po diskutonim për fakte dhe prova që unë disponoj kundrejt saj, të cilat i kam në telefon. Në këtë moment E. donte të më merrte telefonin për të fshirë provat që unë kam.

Më ka shtyrë nga shkallët dhe unë jam rrë- zuar, pasi jam me paterica. Kam pësuar një aksident të rëndë dhe kam shumë dëmtime në trup. Kam kërkuar ndihmë, por askush s’më ka ndihmuar, E. është afruar dhe më ka gërvishtur në qafë. Për t’u vetëmbrojtur i kam gjuajtur me një shuplakë në fytyrë”, ka pohuar G.K. në kallëzimin e tij.

KALLEZIMI I GRUAS

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, e pandehura E.K. ka sqaruar se pasditen e ditës së ngjarjes kishte takuar bashkëshortin e saj, i cili i kishte dërguar djalin në banesë. “Gjatë kësaj kohe kemi filluar të debatojmë në lidhje me kujdestarinë e djalit. Gjatë këtij debati, shtetasi G.K. më ka goditur më grusht në fytyrë. Menjëherë jam futur brenda në banesë. Mbas disa minutash është bërë shoqërimi për në ambientet e Komisariatit të Policisë”, citohet kallëzimi i shtetases E.K. në vendimin e Gjykatës.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura