HISTORIA/ Ada Hajrullai: Humba shikimin, por jo dashurinë për jetën

Feb 10, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Dashuria per jeten, kurioziteti për të njohur atë që e nesërmja sjell janë arsye për të mos e humbur besimin edhe kur fati luan me ne, duke na hedhur nga njëri skaj në tjetrin. Para 13 vitesh, kur ishte ende një fëmijë, Ada humbi shikimin.

Ada.H

Nuk ishte një moment i vetëm, të cilin mund ta veshësh me faj dhe ku mund të drejtosh gishtin e akuzës me mendimin se dhimbja peshon më pak kështu. Ndodhi në mënyrë graduale, deri sa arriti në pikën kur shqisa e të parit nuk po i bindej dëshirës së papërmbajtur për të soditur të bukurën, për të shijuar kënaqësinë e papërshkueshme të të parit të gjërave që na rrethojnë.

“Nuk kam lindur e verbër. Shenjat e para kanë nisur kur isha 12 vjeçe, deri sa erdhi momenti kur gjërat i dalloja me shumë vështirësi. Problemi ishte që nuk mund të parandalohej. U mbylla në vete dhe nuk kisha dëshirë të isha në kontakt me njerëzit”, kështu e kujton Ada atë moment që tjetërsoi fatin e saj, duke bërë që gjërat të merrnin një tjetër kthesë. Por kjo i takon së shkuarës. Falë mbështetjes së familjes dhe besimit që ajo ka, arriti ta kapërcejë atë mur. Këtë mund ta dallosh që në çastin e parë që e takon. Ka një vetësiguri që shumëkush do ta kishte zili.

“Çdo ditë zgjohem me dëshirën për të njohur të nesërmen. Jo atë që vjen fill pas një dite, por të nesërmen e shtrirë në kohë. Dashuria për jetën është e pakufishme, dua të përjetojë çdo ndryshim që ajo do sjellë”, rrëfen Ada.

TAKIMI

Takimi me Adën erdhi pas disa telefonatash që shkëmbyem. Me të, veç emrit, të cilin e kemi njësoj, më lidhin profili i studimit dhe mosha. Por gjatë bisedës zbuluam se rrethi i të përbashkëtave ishte më i gjerë. Ishte e enjtja e parë e shkurtit dhe s’kishte si të mos binte shi. Kishim lënë për t’u takuar në një vend të ndërmjetëm.

Ada banon në “Komunën e Parisit”, në kryeqytet bashkë me prindërit, motrën dhe vëllain, i cili ka pak muaj që ndodhet në SHBA për studime. Për shkak të trafikut, nuk mbërrita në kohë duke u justifikuar për vonesën time. Ada nuk mund të lëvizë vetëm. Kur ajo del, është gjithmonë dikush nga familja që e shoqëron. Nëna e saj kishte ardhur bashkë me të. U përshëndetëm sikur të njiheshim prej kohësh.

 

Ada Hajrullai

Ajo është e qetë, e matur dhe pa dyshim një njeri që reflekton shumë forcë dhe besim në vete. Gjatë gjithë bisedës ishte e përmbajtur dhe nuk e kishte problem të krijonte pauza, deri sa të gjente fjalën e duhur për të shprehur mendimin që kishte. E pranoj! Frika më e madhe që kisha ishte se në ndonjë moment do të tregohesha e patakt dhe kjo pakujdesi e imja do ta lëndonte. Por Ada ma bëri shumë më të lehtë këtë, duke i paraprirë shqetësimit tim.

Ajo nuk ka frikë të pranojë që është e verbër, duke dhënë mesazhin se ky fakt nuk e bën ndryshe. “Ka qenë e vështirë në fillim, sepse mendësia është e tillë që njerëzit të paragjykojnë me dukjen. Por kur të njohin, atëherë ndryshojnë mendim. Unë jam si gjithë të tjerët, pavarësisht paaftësisë së vogël që mund të kem. Kështu kam krijuar shoqërinë. Sot ata më vlerësojnë për atë që jam, pavarësisht problemit që mund të kem. Edhe sjellja ime ka qenë e atillë për të mos u lënë hapësirë të tjerëve të ndihen keq. Unë e kam pranuar fatin tim dhe kjo më ka bërë t’i shoh gjërat ndryshe”.

STUDIMET

Ada ka mbaruar studimet e larta për Psikologji dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon duke lexuar. Këtë e bën përmes programeve specifike që janë në internet. “Kam studiuar dhe lexuar si çdo bashkëmoshatar i imi. Gjithmonë kam qenë e mendimit që lufta nuk duhet të jetë për një notë më të mirë, por për të fituar sa më shumë dije. Ka qenë pikërisht kjo ajo çfarë kam synuar, me mendimin se do të më shërbejë më shumë”, shprehet ajo.

Por, përveç librave, pasion ka edhe muzikën. Ka studiuar për piano për tetë vite me radhë dhe në jo pak raste qetësinë e gjen te tastet, në çdo melodi, qoftë edhe të shkujdesur që ato krijojnë. Ada na tregoi gjithashtu që i pëlqen të udhëtojë. Për këtë ajo i është futur punës duke përvetësuar disa gjuhë të huaja.

“Më pëlqen të lexoj, por së fundmi jam angazhuar me gjuhët e huaja. Kam mësuar anglisht dhe tani po punoj me turqishten. Ndërkohë mund të komunikoj pak italisht dhe spanjisht. Kjo dashuri ka ardhur, sepse më pëlqen shumë të udhëtoj”.

KËRKESA PËR PUNË

Nuk i pëlqen të bëjë planifikime, por në mendjen e saj çdo gjë është e qartë si kristal. Ada beson që ka ardhur koha që t’u tregojë të tjerëve, familjes, veçanërisht vëllait të saj, i cili është dobësia e saj, që mund t’ia dalë edhe vetëm. Por prej më shumë se një viti, tentativat e saj për punë kanë dështuar. Këtë periudhë ajo e cilëson si më të vështirën, me të cilën është përballur në 25 vite jetë.

“U bë më shumë se një vit që jam në kërkim të një pune dhe asgjë. Kam aplikuar në disa vende dhe gjithmonë përgjigjja ka qenë negative. Kjo më bën të pafuqishme për t’u treguar njerëzve, se kam një problem të vogël, por që mund të bëj shumë më shumë se një tjetër që nuk e ka këtë problem. Ndiej keqardhje për faktin që më është mohuar e drejta për të pasur qoftë edhe vetëm një mundësi për t’u treguar atyre, vetes dhe familjes sime që mund t’ia dal”.

Pavarësisht kësaj, ajo nuk e humb besimin, pasi është e bindur që edhe momenti i saj do të vijë. Është tejet realiste dhe problemin e punësimit e shikon te të gjithë të diplomuarit. E ndërsa flisnim, vrulli i kohës na kishte marrë përpara.

Kishte ardhur koha për t’u përshëndetur me të, por jo me mesazhin që ajo përçoi. “Luftoni fort për atë që ju ëndërroni në jetë dhe kurrë mos thoni stop ndaj çdo problemi që mund t’ju dalë përpara. Mendoni mbi të gjitha se jeta është e bukur, pavarësisht pengesave që mund të hasni”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura