Histori përplasjeje, kur Kola kërkonte dorëheqjen e Josës

Aug 24, 2018 | 17:05
SHPËRNDAJE

Agustin Kola nuk e ka kapërdirë dot shfaqjen e Tiranës ndaj Kukësit në “Selman Stërmasi” në sezonin që e përfundoi me rënien nga Kategoria Superiore. Që në shkurt të atij viti, Kola i kërkonte Mirel Josës që të dorëhiqej nga bardheblutë, për të mos bërë pis historinë e brezit të tyre me futbollin e pas viteve ’90. “Nëse i ka mbetur një fije burrni, apo një fije mirësi, Josa duhet të japë dorëheqjen”, pati deklaruar Kola ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Josa-Kola

Ja intervista:

Kola, kur e kishit parë për herë të fundit Tiranën kaq shumë të kontestuar për tolerim ndeshjesh?

Ishte skandal, por nuk kanë faj lojtarët. Mos i kritikoni kot ata…Tirana është në pikë të hallit dhe më vjen shumë keq, por nuk kanë faj lojtarët. Ndoshta Tirana është në këtë gjendje edhe për fajin tonë, ne ish-sportistëve të Tiranës apo edhe ish-trajnerëve të saj.

Po pse faji juaj është që Tirana mbërrin në këtë pikë?

Po pra, edhe faji ynë është. Ne nuk duhet kurrsesi që të bëhemi pjesë e interesave të ngushta të presidentit. Trajnerët duhet të kenë edhe autoritet të thonë “jo” diku. Po nuk e thamë ne këtë, ne pra që kemi ndoshta edhe historinë me vete, kush do ta thotë? Do ta thonë këta trajnerët e pas viteve ’90? Dyshoj shumë.

E kujt është përgjegjësia për këtë?

Së pari, dua t’i bëj një thirrje Mirel Josës. Më del nga shpirti kjo thirrje dhe nuk dua të paragjykohet, por i them që të japë dorëheqjen.

Pse vetëm Josa është përgjegjës për atë që ndodhi?

Jo, nuk mendoj se është vetëm  por ama Josa është brezi im i futbollit. Josa ka detyrën morale të mos bëhet pis me kësi gjërash dhe të refuzojë të përfshihet. Unë kështu mendoj. Nuk mund të lejojmë ne të atij brezi që të mbërrijmë deri në këtë pikë. Historinë tonë e bëmë me djersë dhe me gjak, jo duke bërë kësi marifetesh.

E përsëris, nëse Josës i ka mbetur një fije burrni dhe një fije mirësi, duhet të largohet një orë e më parë. Të mos bëhet pjesë e gjithë kësaj gjëje të shëmtuar. Kam bindjen që ne të atij brezi jemi ndryshe dhe nëse nuk u themi jo këtyre gjërave, nuk do të mund të krijojmë dot më pas ndoshta edhe një traditë refuzimi. Tirana prandaj u bë e madhe, se ishte kundër sistemit dhe arritjet i kishte në fushën e lojës me djersë, jo me të tilla gjëra.

Intervistë nga JORGIS MEMO

faksimile

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura