Hiqet sekuestroja e hotelit 1.5 mln euro, një nga pronarët u vra në atentat

Jul 27, 2017 | 10:00
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka kthyer në pikën “zero” debatin gjyqësor mbi konfiskimin e një hoteli 5-katësh në Vlorë në bazë të ligjit “Antimafia”, shkruan “Panorama”.

brahimaj hoteli

Hoteli në fjalë ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe mendohet të ketë një vlerë prej gati 1.5 milionë eurosh. Apeli i Krimeve të Rënda ka prishur vendimin e Shkallës së Parë, që e konfiskoi godinën, si edhe sipërfaqen e truallit ku është ndërtuar, pas dyshimeve se është krijuar nga burime financiare aktiviteti kriminal.

Sipas vendimit të Apelit, çështja është kthyer për rigjykim në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda. Vendimi në Apel është shpallur vetëm me dispozitiv dhe në ditët në vijim pritet të zbardhet vendimi që do të hedhë dritë mbi argumentet e gjykatës për ndryshimin e vendimmarrjes së Shkallës së Parë.

Verdikti i gjykatës ka qenë në kundërshtim të kërkesës së Prokurorisë, e cila ka këmbëngulur në lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, hoteli 5-katësh rezulton të jetë në pronësi të Shpëtim Brahimajt, por dyshohet se është krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe Isuf Koka (Brahimaj), ky i fundit i vrarë në një atentat me tritol, në gusht 2014.

DYSHIMET E PROKURORISË

“Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se familjarët Brahimaj nuk justifikon me burime të ligjshme financiare blerjen e truallit me sip. 2500 m², në vlerën 150 mijë euro, si edhe investimin për hotelin, me sip. totale ndërtimi 3090 m², në vlerë rreth 100 milionë lekë të rinj”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë.

Bazuar në disa vendime gjyqësore të formës së prerë nga autoritetet italiane, Prokuroria për Krimet e Rënda pretendonte se është plotësisht e dokumentuar se shtetasit Ermal Bajrami alias Bashkim Brahimaj dhe vëllai i tij, Isuf Koka alias Isuf Brahimaj, kanë qenë të përfshirë në veprimtari kriminale dhe ndaj tyre janë zhvilluar disa procese gjyqësore penale, të cilat kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.

Në precedentët penalë të radhitur si prova nga ana e prokurorisë kanë qenë dënime për vepra penale të “mbajtjes dhe transportimit të lëndëve narkotike” dhe “nxitjes, favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”.

Gjatë gjykimit në Shkallën e Parë te Krimet e Rënda, nga ana e Shpëtim Brahimajt dhe përfaqësuesit të tij ligjor janë ngritur pretendime konkrete lidhur me burimin e financimit për blerjen e truallit.

Sipas tij, një pjesë e të ardhurave janë krijuar nga shitja e bagë- tive në periudhën 1990-2006, si edhe nga të ardhurat e fëmijëve të tij në emigrim. Gjithashtu, në mbështetje të pretendimeve të tij, Shpëtim Brahimaj ka paraqitur në gjykatë edhe disa dokumente huamarrje nga persona të tretë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura