Hiqet pllaka e Kinostudios, dëshmi e prishjes me Moskën

May 28, 2015 | 10:07
SHPËRNDAJE

Edhe pse dëshmi e një ngjarjeje të madhe për kinematografinë, por dëshmitare e një marrëdhënieje dashuri-urrejtje me Bashkimin Sovjetik, si dhe tregues i mentalitetit dyfaqësh të shqiptarëve, pllaka përuruese e ish-Kinostudios nuk është më. Banorët e rinj të ndërtesës, kthyer tashmë në Ministri Kulture, kanë vendosur të mos e mbajnë në murin e godinës së rikonstruktuar me një vlerë prej gati 100 milionë lekësh të rinj.

Regjisori Saimir Kumbaro, duke treguar variantin e parë të pllakës përuruese

Ajo është lënë diku në një magazinë, ndonëse mund të ishte mbajtur në të njëjtin vend, ku ka qëndruar prej 63 vjetësh, si dëshmitare historike. Për ata që nuk e kanë parë kurrë, regjisori Saimir Kumbaro ofron disa fotografi të asaj që ka qenë dhe është kjo dëshmi.

HISTORIA E PLLAKËS
Që shqiptarët janë një popull që e ndërrojnë pllakën, këtë e ka treguar historia. Madje, të ndërrosh pllakën është në modë tashmë, sidomos në politikë, ku shohim lëvizje nga më të çuditshmet nga njëra parti në tjetrën, sa majtas-djathtas e anasjelltas. Dëshmi historike e këtij mentaliteti është edhe një pllakë që deri disa muaj më parë ndodhej pranë hyrjes së godinës hijerëndë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Bëhet fjalë për një pllakë me të njëjtën moshë sa edhe godina, plot 63-vjeçare.

Ajo ishte vendosur aty me rastin e përurimit të ndërtesës, ku do të lulëzonte edhe industria filmike shqiptare. Si një vepër e socializmit, e ngritur me kontributin e Bashkimit Sovjetik, në kohërat e dashurisë së madhe shqiptaro-sovjetike, ajo nuk mund të mos reflektonte këtë vëllazëri mes vendeve komuniste.

Është një pllakë e punuar pa ndonjë estetikë, por autorët janë kujdesur të gdhendin me germa të mëdha emrin e udhëheqësit Enver Hoxha e po ashtu atë të Bashkimit Sovjetik. Bashkë me fitoren e madhe të popullit shqiptar, edhe emrat e punëtorëve më të dalluar. Ja se ç’shkruhej në të: “Më 10 korrik 1952 u inaugurua Kino Studioja “Shqipëria e Re”, vepër e rëndësishme kulturalo-artistike e planit të parë 5-vjeçar.

Fitore e madhe e popullit të udhëhequr nga partia e Punës dhe Shqipërisë, me në krye shokun Enver Hoxha. Ndërtuar nga punëtorët tanë heroikë dhe me ndihmën e gjithanshme të BASHKIMIT SOVJETIK. Punimet filluan më 1 korrik 1951, mbaruan më 7 korrik 1952. U dalluan punë- torët Ruzhdi Ekmekçiu…”. Sipas regjisorit Saimir Kumbaro, kjo pllakë ka qëndruar kështu për 13 vjet, deri në shembjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

NDËRRIMI I FAQES
Nuk dihet nëse kanë qenë drejtuesit e Kinostudios, a më lart, që kanë urdhëruar realizimin e një mbishkrimi të ri, por jo në një pllakë të re. Është përdorur e njëjta pllakë, por nga ana e pasme. Në mbishkrimin e ri u eliminuan të gjitha fitoret, sukseset, punëtorët heroikë, Bashkimi Sovjetik, po e po, por edhe emri i Enver Hoxhës. Varianti i ri ishte: “Kino-Studio ‘Shqipëria e Re’. Vepër e rëndësishme e planit të parë pesë vjeçar. Inauguruar 10 korrik 1952″.

Kjo pllakë ishte pa dyshim më jetëgjatë. Ajo qëndroi e vendosur pranë portës së madhe, në fasadën kryesorë të ish-Kinostudios për 50 vjet me radhë, deri sa ajo u hoq që aty me rikonstruksionin e godinës dhe shndërrimin e saj në Ministri Kulture. Edhe pse qeverisja aktuale shquhet për një trend vlerësues ndaj trashëgimisë apo gjurmëve të së shkuarës, kësaj here, hartuesit e projektit, si dhe bujtësit e rinj në godinë, nuk kanë treguar interes për këtë pllakë, e cila është dëshmitare dhe ruajtëse e dy momenteve të rëndë- sishme që lidhen me historinë e godinës, por edhe Shqipërisë: ngritjen e një industrie dhe shembjen e një “miqësie”.

Pllaka e hequr ka përfunduar në një magazinë të vjetër dhe, nëse për të nuk do të kujtohet kush, ajo do të humbasë. Edhe pse mësohet se njerëz të artit, nga ata që kanë kaluar vite të tëra në Kinostudio, i kanë këshilluar drejtuesit e MK-së, që ta ruajnë këtë dëshmi, me gjithë fjalët e mira, ende nuk është bërë asgjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura