Hiqen barrierat, si do udhëtojnë shqiptarët tani që BE njeh pasaportën dixhitale të vaksinimit. Penalizohen ata që…

Sep 16, 2021 | 8:01
SHPËRNDAJE

Qytetarët e vaksinuar me të dyja dozat anti-COVID do të kenë mundësi të udhëtojnë në zonën Shengen pa qenë të detyruar të bëjnë tampon apo karantinë.

Certifikate vaksinimi

Bashkimi Europian ka njoftuar dje heqjen e barrierave, duke njohur kështu certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare.

VAKSINAT

Por ky vendim vlen vetëm për qytetarët e vaksinuar me një nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). Çka do të thotë se pasaporta dixhitale e vaksinimit njihet vetëm për të vaksinuarit me “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

Në vendin tonë, sipas të dhënave zyrtare, janë më shumë se 700 mijë persona që janë vaksinuar me të dyja dozat anti-COVID.

Por pjesa më e madhe prej tyre kanë aplikuar vaksinën kineze “Coronavac” dhe një pjesë prej tyre atë ruse, “Sputnik”.

Për këto dy vaksina nuk ka ende një vendim nga Agjencia Europiane e Barnave, në këto kushte certifikatat e vaksinimit janë të pavlefshme. Kjo, së paku deri në një vendim të dytë nga Bashkimi Europian. Megjithatë, vlen të theksohet se kjo nuk i privon këta qytetarë që të udhëtojnë, ndryshimi është që do të përballen me kërkesën për të kryer tampon si edhe karantinë disaditore.

Sot (dje), shtatë vendime të reja që vërtetojnë se certifikatat COVID-19 të lëshuara nga Shqipëria, Andorra, Ishujt Faroe, Izraeli, Monako, Maroku dhe Panamaja janë ekuivalente me certifikatën dixhitale COVID të BE-së. Si rezultat, shtatë vendet dhe territoret do të lidhen me sistemin e BE-së dhe certifikatat COVID që ata lëshojnë do të pranohen në BE në të njëjtat kushte si certifikatat dixhitale të BE-së për COVID. Në të njëjtën kohë, vendet dhe territoret ranë dakord të pranojnë certifikatën dixhitale COVID të BE për udhëtime nga BE në vendet e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të BE-së.

Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, e cilësoi këtë vendim si një situatë të favorshme jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset.

“Gjatë kësaj vere ne kemi parë që qytetarët janë në gjendje të udhëtojnë të sigurt falë certifikatës dixhitale të COVID të BE-së. Kjo është një situatë e favorshme: qytetarët mund të gëzojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë dhe bizneset si dhe sektori i transportit mund të fillojnë të kompensojnë humbjet e muajve të kaluar. Që nga qershori, janë lëshuar më shumë se 420 milionë certifikata të BE -së. Prandaj unë mirëpres që gjithnjë e më shumë vende jashtë BE-së po i bashkohen sistemit tonë të suksesshëm. Një numër i përgjithshëm i 42 shteteve27 shtete anëtare të BE dhe 15 vende joanëtare të BEtani po marrin pjesë në sistemin e certifikatës dixhitale të COVID të BE, duke konfirmuar certifikatën e BE-së si një standard ndërkombëtar”.

RAMA

Pas vendimit të Bashkimit Europian, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Kryeministrit Rama. Ky vendim, vuri në dukje kreu i qeverisë, është një shembull kuptimplotë i progresit digjital të Shqipërisë.

“Superlajm. Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Europë me pasaportën dixhitale të vaksinimit. BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembull kuptimplotë të progresit tonë dixhital, për të gjithë ata që dëshirojnë t’u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka”, shkroi Rama.

Ambasadori Soreca: Certifikatat shqiptare, të njëjta me ato të BE

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, vlerësoi vendimin e Komisionit Europian për të njohur certifikatat e vaksinimit anti-COVID të lëshuara nga Shqipëria. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Soreca shkruan se me vendimin e fundit të BE-së, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi të udhëtojnë më lirisht në zonën Shengen.

“BE vendosi sot se certifikatat për COVID-19 të lëshuara nga Shqipëria janë të barabarta me ato që lëshohen në vendet e Bashkimit Europian. Tashmë, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të udhëtojnë më lirisht në BE falë vendimit të sotëm. Vaksinimi është kyç për të mbrojtur popullsinë dhe për të ndalur përhapjen e virusit”, shkruan ambasadori në “Twitter”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura