Hipotekimi i pallateve, përfitojnë 30 mijë familje

Aug 23, 2017 | 21:00
SHPËRNDAJE

Prej disa muajsh, ALUIZNI ka nisur procedurat për legalizimin e pallateve të braktisura nga pronarët. Janë rreth 30 mijë familje që kanë blerë apartamente te këto objekte, të cilat pas miratimit të ndryshimeve ligjore, do të kenë mundësi të marrin tapinë.

pallate tirane

“Gjatë vitit të fundit ne morëm përsipër për t’i dhënë rrugëzgjidhje edhe një prej problematikave të konsideruara si kockë e fortë, atë të legalizimit dhe hipotekimit të pallateve të braktisura nga pronarët apo me problematika të mbartura. Është një nga proceset më të vështira për shkak të kompleksitetit që ka secili rast dhe jemi kënaqur që, megjithatë, është një proces që vijon me siguri”, theksoi Lame.

Janë 1320 pallate, për të cilat zhbllokohen procedurat e hipotekimit. Janë të panumërta tipologjitë e problematikave të vërejtura gjatë fazës së identifikimit. Kështu, ka raste kur pallati është me leje ndërtimi, por është ndërtuar një kat apo shtesë pa leje. Ka ndodhur që lekët i janë dhënë ndërtuesit, por ky i fundit nuk ka ndjekur procedurat e hipotekimit, dhe më keq akoma, nuk bëhet më i gjallë duke fshirë çdo kontakt me banorët. Po ashtu, janë një tjetër kategori pallatesh që janë tërësisht informale, pasi janë ngritur pa pasur një leje ndërtimi.

Nuk mungojnë as rastet kur vetë qytetarët kanë ndërtuar një shtesë apo kat pa leje, për të cilin sot duhet të përballen me përgjegjësitë që u takon. Vendimi parashikon që procesi i legalizimit të ndiqet nga qytetarët, atëherë kur ndërtuesit do t’i përgjigjen negativisht thirrjes së ALUIZNI-t. Investitorët do të kenë 30 ditë afat për të përmbushur detyrimet ligjore.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të jenë qytetarët, ata të cilët do të marrin në duar fatin e tyre. Megjithatë, ndjekja e kësaj skeme nuk do sjellë fshirje të faturave që rëndojnë mbi investitorët. Të gjitha detyrimet e pashlyera do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura