Hipokrizia e dekriminalizimit me listat e mbyllura

Nov 24, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE
Myslim Murrizi
Myslim Murrizi

MYSLIM MURRIZI

Dekriminalizimi i politikës shqiptare është një proces që tashmë kërkohet me ngulm, jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktori ndërkombëtar. E gjithë politika flet për të, pavarësisht kaheve të saj, por vetëm kaq. Ky proces kaq jetik për politikën, qeverisjen dhe qytetarët e këtij vendi nuk mund të bëhet vetëm nga politika, e cila është përgjegjëse e vetme dhe e drejtpërdrejtë për ngritjen e krimit në institucionet më të larta të shtetit. Në këtë proces duhet të marrin pjesë patjetër dhe qytetarët e këtij vendi. Por si?

Politika me ligjin zgjedhor që ka miratuar në vitin 2008, ua ka prerë këtë mundësi qytetarëve, sepse i vë para faktit që do të miratosh dhe jo zgjedhësh numrat e renditur në lista sipas preferencave të drejtuesve të partive. Pra mund të çmenden drejtuesit dhe vënë në krye të listës kriminelë dhe më këtë ligj, qytetari nuk ka asgjë në dorë për t’i rrë- zuar. Me hipokrizi shoh që duan të bëjnë një ligj për t’ia lënë kopilin në derë drejtë- sisë, e cila gjithashtu është e zgjedhur dhe e emëruar po nga kjo politikë.

Pse kanë frikë nga zgjedhja e drejtpërdrejtë? Po këtë ligj që është, pse nuk e bëjnë me lista të hapura? Pse ua fshehin dhe ua diktojnë qytetarëve të zgjedhurit e tyre? Pse u tremben votës së qytetarëve këta politikanë që bëjnë ligje? Listat e hapura me qarqe janë zgjedhje, jo emërime deputetesh dhe i zgjedhuri me këtë mënyrë është DEPUTET e jo punëtor Kuvendi. Po pse ka mungesë dëshire e vullneti për ta bërë? Sepse të gjitha palët nuk kanë kuraje. Sepse aparatçikët nëpër zyrat e partive që japin mendime, shikojnë ku të bëjnë një fole apo vend për vete.

Sepse fytyra të urryera e të bëra pis nga pushteti si hajdutë duan të jenë prapë në politikë, s’ka problem se pa moral. Sepse vemje që e dinë Shqipërinë vetëm bulevardin kryesor të Tiranës duan të hiqen si liderë te qytetarët, edhe pse nuk i njeh njeri në pallat e në shumicë dërrmuese nuk i pyet njeri në familje. Sepse janë njerëz pa dinjitet, pa personalitet, kokëboshë e hundëpërpjetë, që mendojnë si e si të gjejnë një strehë. Sepse kanë bredhur nga një karrige në një tjetër me dhjetëra vjet vetëm duke u zvarritur e duke mbajtur në kurriz pa problem të gjithë shefat me radhë, kush ka dashur t’u hipë. Sepse kur kanë kandiduar ndonjëherë përballë qytetarëve, edhe nga 25 mijë votues kanë marrë 80 vota.

E pra këta të vetëquajtur liderë janë një kategori njerëzish që nuk lënë gjë pa bërë, variante e ligje pa shpikur, vetëm e vetëm që këta të jenë në politikë, por jo nga qytetarët. Hajdutë që kur janë në pushtet sillen si bastardë kur dalin në opozitë, bëjnë opozitë rozë, njerëz që kanë frikë të shkojnë të takojnë ata që i kanë zgjedhur e që mendojnë se janë të pazëvendësueshëm.

Le të ketë kurajën politika t’ua hedhë votuesve për gjykim se i shqyejnë si kërma, ashtu siç ata janë në fakt. Cilido që i mban i ka faturë për veten, për forcën politike që drejton dhe më shumë për qytetarët e këtij vendi. Drejtuesit e lartë të politikës që janë faktorë realë për të bërë ndryshimin, nuk duhet të bëjnë lojëra fjalësh, por të heqin dorë nga çdo mekanizëm kamuflues e hipokrit ligjor për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Qytetarët kanë nevojë për reformë reale që ky vend të shpëtojë nga shushunjat e hajdutët e pafytyrë që kanë shëtitur prehër më prehër të çdo shefi në këta 25 vjet pluralizëm, por që kjo shoqëri nuk mundet t’i gjykojë e ndëshkojë me votë se ata i kanë fshehur KRYETARËT e partive politike shqiptare.

E më troç se kaq foli ambasadori amerikan para tri ditësh, kur akuzoi haptazi llumin e politikës si ministra hajdutë, deputetë ordinerë e kriminelë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e mjeranë që përdoren deri në ekstreme nga politika. Të gjitha pushtetet në vendin tonë si Republikë Parlamentare burojnë nga KUVENDI. Pra ky Kuvend është NËNA, dhe kur kjo nënë është e pisët, ashtu do të jetë pjella, kur kjo nënë është kriminele, ashtu do të jetë pjella, kur kjo nënë është hajdute, ashtu do të jetë pjella. Ndaj sa kohë që mbajmë në këmbë një nënë të infektuar me njëmijë e një sëmundje, pse duhet të presim pjellë të shëndoshë?

Ka ardhur koha në këtë fund çerekshekulli pluralizëm të bëjmë dhe ne si shqiptarë njëherë DEMOKRACI. Nesër do të jetë shumë vonë dhe për këtë përgjegjës janë vetëm drejtuesit e liderët realë të politikës së këtij VENDI. Po e mbyll me një fabul: u ankua njëherë pylli se po e priste sëpata, dhe përgjigjen e mori nga oshtima e maleve se: BISHTIN VETË IA KENI VËNË. Pra sëpata me bisht të shtrembër jo rrallëherë pret të ZOTIN. Ne.

*Kryetar i PD, dega Lushnjë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura