Himni i lindjes së Krishtit, që u bë ikonë në kishat e Shqipërisë

Dec 26, 2020 | 14:57
SHPËRNDAJE

18870013_101

Prof. asoc. dr. Konstantinos Giakoumis*

Një nga himnet më të bukura të shërbesës ortodokse të Krishtlindjeve përfshin një tropar (nga fjala “tropos”, d.m.th. mënyra, nga fakti që psalet në një mënyrë të caktuar), i cili u bë ikonë. Bëhet fjalë për një tropar, i cili këndohet në tingullin II në mbrëmësoren e festës dhe përfshin gjithë krijesat qiellore dhe tokësore në ngjarjen e Lindjes së Krishtit.

Me shqipërimin e Nolit, himni këndohet kështu:

Ç’të të blatojmë, o Krisht, që u duke mbi dhe si njeri për ne? Sepse cilado nga krijesat e bëra prej teje të sjell përhirim; Engjëjt himnin, qiejt yllin, magët dhuratat, barinjtë çudinë, dheu shpellën, shkretëtira grazhdin, dhe ne Nënën Virgjëreshë. O Perëndi që je para jetësh mëshirona!

Himni përbën poezi të një murgu të shek. VIII me emër Anatol. Ai jetonte në manastirin e Studios në Kostandinopojë dhe duket se ishte njohës i mirë i poezisë liturgjike. Anatol studiti ka qenë poet intelektual dhe himnshkrues i Kishës dhe ka pompozuar shumë troparë si për shërbesat e zakonshme, ashtu edhe për festat.

Himni në fjalë i referohet mishërimit të fjalës Perëndi, d.m.th. të Jezu Krishtit. Poeti paraqet me ndjeshmëri personat dhe gjërat që lidhen me Lindjen e Krishtit t’i blatojnë Krishtit “dhuratat” e tyre, secili sipas mënyrës dhe mundësisë së tij. Vetë himni thekson pjesëmarrjen e njerëzimit në misterin e mishërimit të Krishtit. Nevoja për zbërthimin dhe vizualizimin e himnit gjatë periudhës së humanizmit të Paleologëve çoi në krijimin e një teme ikonografike në bazë të këtij himni që shfaqet që nga shek. XIV në zonën e Kryepeshkopatës së Ohrid, si në manastirin e Perivleptit (fig. 1). Tema “Ç’të të blatojmë, o Krisht” mbeti relativisht e rrallë në pikturën kishtare, mbase për arsye të kompleksitetit të saj dhe të himnit, të cilit i referohet. Shfaqet vetëm në qendra të mëdha ortodokse, si Mali i Shenjtë, ose në qeliza intelektuale të ngritura nëpër qytete ose manastire.

Në Shqipëri kemi fatin e pasjes së dy shembujve të kësaj teme të rrallë. Paraqitja “Ç’të të blatojmë, o Krisht” shfaqet në murin lindor të narteksit të manastirit të Fjetjes së Shën Marisë ose Drianos, në malësi të fshatrave Bularat dhe Zervat në Dropull, Gjirokastër, si edhe po në atë pozicion të manastirit të Shën Kirikut dhe Julitës në fshatin Dhuvjan të Dropullit, Gjirokastër. Afresket e dy monumenteve datohen pak pas vitit 1569 e para dhe në çerekun e fundit të shek. XVI e dyta. Janë pikturuar nga grupe të ndryshme piktorësh, edhe pse një ose dy prej tyre duhet të kishin punuar në të dy monumente. Prania e kësaj teme në këtë zonë përbën dëshmi të një nivel të ngritur intelektual jo vetëm të patronëve (financuesve) të manastireve, por edhe të shikuesve të tyre.

Mënyra e të treguarit të himnit pikturohet si në formë libri, nga majtas në djathtas, nga lart e poshtë. Fillon nga lart majtas, ku pesë engjëj (te Driano, tre te Dhuvjani) me duar të hapura përpara në shenjë respekti këndojnë himnin “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat” (Lluk. 2:4) duke u drejtuar nga një pjesë e hapur e qiellit ku pikturohet ylli i Krishtlindjeve. Mbishkrimi sipër tyre dhe në krahun e majtë të yllit shpjegon se “engjëjt (sjellin si përhirim) himnin”. Në krahun e djathtë të yllit, mbishkrimi u jep zë qiejve me fjalët “qiejt (sjellin si përhirim) yllin”, duke u referuar yllit që iu tregoi magëve rrugën te vendi ku u lind Foshnja (Mat. 2:2-9). Më poshtë, majtas, tre dijetarë-magë që vijnë nga majtas, nga lindja, sjellin dhuratat para Krishtit (Mat. 2:141) brenda kutive me forma dhe përmasa të ndryshme, ndërsa shkrimi i lidhur me ta bën të ditur se “magët (sjellin si përhirim) dhuratat”, ndërsa “çudia” që barinjtë sjellin si përhirim (Lluk. 2:9 dhe në vazhdim) paraqitet me skenën bukolike në pjesën e sipërme, djathtas, të skenës, ku barinjtë nxitojnë të dëshmojnë për lajmin mrekullor që morën nga një engjëll. Në pjesën e poshtme të ikonës, majtas, shfaqet Toka, e personifikuar me formën e një gruaje të re të kurorëzuar me një kurorë gjethesh, e cila ofron një shpellë (mbishkrimi përkthehet “dheu (sjellin si përhirim) shpellën”), ndërsa në të djathtë të figurës kemi personifikimin e një gruaje plakë, e cila paraqet Shkretëtirën, duke sjellë grazhdin, pasi, sipas ungjillit, “sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta” (Lluk. 2:7). Personifikimet në fjalë asociohen me mbishkrimet që përshkruajnë këto detaje me vargjet e troparit. Me këto fjalë deklarohet pjesëmarrja e gjithë krijesës në mirëseardhjen e Krishtit (Mat. 1:21).

Ndërsa këto pjesa dytësore paraqiten deri diku me përmasa të zvogëluara, pjesët kryesore janë paraqitur të zmadhuara, për të treguar me anë të përmasave hierarkinë e rëndësisë. Prandaj, në qendër të figurës mbizotëron pamja e së Tërëshenjtës me Foshnjën ulur mbi një jastëk të kuq në fron. Sfondi malor dhe shkëmbor i paraqitjes, me bimësi të ulët aty-këtu, shkëputet nga tradita e Paleologëve, ku gjithë ngjarja duket sikur ndodh në qiell, tregon se ngjarja ndodh në një vend të ngritur, të tillë si edhe vetë kodra e Betlehemit. Në fund, në pjesën më të poshtme të figurës, të shkëputur nga pjesa e sipërme, shfaqen dy grupe shenjtorësh të kategorive të ndryshme (dëshmorë, oshënarë, mbretër, asketë, kryepriftërinj etj.), si përfaqësues të njerëzimit, të cilët shikojnë lartë duke treguar ngjarjen. Mbishkrimi sqaron edhe arsyen: “dhe ne (sjellim si përhirim) Nënën Virgjëreshë. O Perëndi që je para jetësh, mëshirona”. Kjo pjesë i përgjigjet pyetjes së poetit Anatol, çfarë mund të ofronim ne, njerëzit, duke lidhur “kohën e caktuar” me personin e Shën Marisë (Gal. 4:4).

Karakteri surrealist i gjithë këtij kompozimi, që ka për qëllim të theksojë karakterin misterial të Lindjes, krijohet përmes huazimeve të izoluara ikonografike ose përmes konvencioneve tradicionale të ikonografisë bizantine. Mishërimi i figurave të Tokës dhe të Shkretëtirës frymëzohen nga prototipe pagane të lashtësisë heleno-romake, ndërsa dijetarët që ngasin kuaj përbëjnë elemente të rilindjes perëndimore që u huazua dhe u përshtat me pikturat bizantine. Përfundimisht, është e qartë se Hyjlindësja që mban foshnjën ulur në fron, nuk përputhet aspak me vendin e hapur ku ndodhet figura, element mjaft i shpeshtë në traditën ikonografike bizantine.

Studimi i programeve ikonografike të monumenteve kishtare na nxit të kuptojmë të shkuarën, ndërtuesit e së cilës ishin në pjesën më të madhe mbartës të një kulture të pasur gojore dhe, që, fatkeqësisht, lanë pas shumë pak burime të shkruara. Çdo imazh në ikonografinë kishtare përbën një eksegjezë (udhëheqje) me kuptimin e parë të fjalës, pra, një interpretim të një ngjarjeje fetare. Këto imazhe, nga njëra anë trajtësojnë kujtesën vizuale të së shkuarës, por nga ana tjetër përdorimi i këtyre imazheve si eksegjezë ka ndryshuar me kalimin e shekujve. Pra, këto figura që përshkruajmë më sipër, do të kishin tjetër kuptim në një periudhë tjetër apo në një vend tjetër. Në shkrimet e tyre, bizantinët tregojnë se ishin më se të ndërgjegjshëm për fuqinë e imazhit në ruajtjen e kujtesës së gjallë historike dhe në interpretimin e së shkuarës sipas një mënyre që burimet e shkruara nuk arrinin ta jepnin dot. Kështu, ndërsa i gjithë muri lindor i narteksit të Manastirit të Drianos përbën një variant ikonografik të doktrinës së Kishës Ortodokse lidhur me Mishërimin e Krishtit, vendosja e këtyre pikturave murale në kuadrin vend-kohë na zbulon një dimension tjetër të tyre edhe më të rëndësishëm: përpjekjen e kishës vendase për të theksuar karakterin mbinatyror dhe misterial të Lindjes së Krishtit, në një kohë kur racionalizmi dhe hominizimi do të ngjanin me gracka të rrezikshme…

*Kolegji Universitar LOGOS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura