Hilda Maha, stilistja që po ekspozohet në “Elle” e “Vogue”

Jun 29, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Hilda Maha nuk është e re në botën e modës. Stilimet e saj prezantohen prej kohësh në revistat më prestigjioze të Italisë, por në Shqipëri e kemi njohur vetëm prej pak kohësh, kur erdhi edhe koleksioni i saj i parë.

hilda 2

Sot ajo do të na tregojë për shijet e saj, për konceptin mbi modën, mbi veshjet e përditshme dhe rehatinë e çdo femre që ecën paralelisht me nevojën për t’u ndier e bukur dhe sensuale. Në Shqipëri, koleksioni i saj është prezantuar për herë të parë. “Frymëzimi i këtij koleksioni nisi nga disa vajza në rrugë që i vizatova e që pastaj i transformova në print për copat dhe në qëndisje.

Meqenëse doja diçka artistike, me shumë stil, por të freskët dhe të lirshme që më kujtonin lirinë e fëmijërisë, vendosa t’i përdorja për koleksionin. Jam munduar të kujdesem për çdo detaj, duke ndërthurur romantiken me bukurinë e trupit femëror. E veçanta qëndron edhe në përdorimin e guximshëm të ngjyrave dhe të printeve 3D duke sjellë një siluetë sensuale, plot jetë dhe në një këndvështrim modern që i reziston kohës”.

hilda 1

Hilda nuk preferon t’u vendosë emra krijimeve të saj. I mjafton që “bota” të njihet me to, pa i vendosur brenda një limiti të caktuar fjalësh, secili le t’i interpretojë si të dojë.

“Zakonisht, preferoj të mos i titulloj koleksionet e mia. Gjëja më e bukur kur prezantoj vizionin tim vjen më pas, kur klientët shtojnë në gardërobën e tyre veshjet e mia dhe secila i kombinon me çfarë ka në dollap, duke i dhënë më shumë jetë me stilin e saj. Duke mos i vënë një emër, në njëfarë mënyre është sikur të lësh një faqe të bardhë në një libër, një hapësirë fantazie për këdo dhe i jep kuptim asaj që vesh. Si në një libër, unë iu tregoj një histori, por finalja ju takon juve”, tregon Hilda ndërsa pohon se një nga pikat më të forta të koleksionit të saj janë materialet.

Pikërisht përzgjedhja e tyre është karakteristika e koleksioneve të saj. “Mëndafshi, pambuku dhe linoja janë materialet që karakterizojnë këtë koleksion. Sot na kërkohet të jemi superfemra. Duhet të dimë t’i bëjmë të gjitha dhe në mënyrë perfekte, shtëpinë, karrierën, partnerin, imazhin personal, fëmijët, gatimin, shoqërinë, të jemi të informuara për të gjitha, përfshi këtu edhe tendencat e fundit të modës. E gjithë kjo jetë e ngarkuar na bën të kemi nevojë që veshjet të jenë sa më praktike, por njëkohësisht të na bëjnë të ndihemi mirë. Unë stiloj për t’i bërë femrat më të bukura, por që të kenë dhe thjeshtësinë për të qenë gjithmonë të veshura mirë, të ndihen rehat në jetën e përditshme”, praktikë kjo e saj që në Shqipëri nevojitet sado që stilistja, duke mos jetuar në vendin e origjinës, nuk i njeh shumë zhvillimet e modës.

hilda 3

“Moda është një gjuhë, një mënyrë shprehjeje dhe një kod që lidh një grup ose kategori njerëzish në shoqëri. Të them të vërtetën, duke mos jetuar dhe duke mos ardhur shpesh në Shqipëri për shkak të angazhimeve, nuk e njoh mjaft për të gjykuar kaq thellë, por me aq pak sa kam parë, mendoj që moda shpreh atë që është shoqëria e një vendi me shumë rini, që është e ndikuar nga shumë pjesë të botës dhe që është në proces zhvillimi të vazhdueshëm”, përfundon Hilda Maha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura