Hije skandali me tenderin 40 mln euro të Unazës së Re, si fitoi kompania që vjen nga parajsat fiskale

Nov 13, 2018 | 12:34
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Projekti i Unazës së Re në Tiranë, prej të cilit do të prishen 300 banesa private dhe biznese, është në kufijtë e një skandali. 

PROTESTA E BANOREVE TE UNAZES SE RE (LART) DOKUMENTET E KOMPANISE QE FITOI TENDERIN
PROTESTA E BANOREVE TE UNAZES SE RE (LART) DOKUMENTET E KOMPANISE QE FITOI TENDERIN

Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit zbardhin prapaskenat me fituesit e tenderit që kanë marrë të drejtën për të realizuar afro 3 kilometra rrugë me një kosto prej 40 milionë eurosh. Referuar këtyre dokumenteve, por edhe kohës së krijimit të kompanive fituese, rezulton se përfitues të 18 milionë euro janë kompanitë “DH Albania” dhe “Biba X”.

Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se fituesit kryesorë të projektit “Biba X” dhe “DH Albania” kanë qenë të penalizuara për të marrë pjesë në tendera publikë dhe aq më tepër të shpalleshin fitues. Kompania “Biba X” ka urdhër sekuestro nga përmbaruesi më datë 3 korrik. Tenderi për projektin e Unazës së Re është hapur në 10 shtator dhe fituesi është shpallur 5 javë më vonë. Gjatë kësaj kohe, përfituesi i 18 milionë eurove, bashkë me një kompani fantazmë, ka qenë nën sekestro, e cila i është hequr pas shpalljes fitues të tenderit, më 24 tetor.

Kompania “DH Albania” është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysmë para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë “Dunwell Haberman ltd”. Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet si parajsë fiskale. Kompania tjetër, “Biba X”, ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para se të shpallej fitues i tenderit prej 18 milionë eurosh. Kompania “Biba X”, ka qenë nën sekuestro, edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re, në shkelje flagrante të ligjit të Prokurimeve Publike. Partia Demokratike që publikoi dje dokumentet, akuzoi Kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj për një skemë e pastër korruptive me një vlerë prej 40 milionë eurosh.

REAGIMI

Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes një reagimi për mediat, ka sqaruar se procedura e ndjekur për tenderimin e këtij projekti ka qenë e gjitha konform ligjit. “Më datë 17.10.2018 ora 10:00, është bërë hapja publike e procedurës së prokurimit, nëpërmjet sistemit elektronik. Është konstatuar që kanë marrë pjesë operatorët e mëpshtëm: 1.’Biba x shpk’ & ‘DH Albania shpk’ – dogë e shoqërisë së huaj, me ofertën ekonomike 2.246.450.000,09 lekë, pa TVSH. 2.’Vëllezërit Hysa shpk’ nuk kanë paraqitur dokumentacion dhe as ofertë.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i ngarkuar për këtë qëllim, ka vlerësuar dokumentacionin e dhënë duke kualifikuar vetëm bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik ‘Biba x shpk’ & ‘DH Albania shpk’-degë e shoqërisë së huaj, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Më pas, AK-ja ka respektuar afatet ligjore nëse do të kishte ankesa ne lidhje me këtë vlerësim dhe vetëm pasi nuk kanë rezultuar të tilla, ka vijuar me njoftimin e fituesit dhe nënshkrimin e kontratës. Operatori ekonomik ‘Biba x shpk’, pjesë e këtij bashkimi me 7 % të punimeve, plotëson kriteret e dhëna konform dokumenteve të tenderit dhe është në përputhje të plotë me rregullat e prokurimit publik.

Neni 45/2, LPP-së përcakton: Çdo kandidat ose ofertues kualifikohet/pranohet ne një procedurë duke deklaruar se: a) Është i regjistruar në QKB dhe ka në fushën e veprimtarisë objektin e prokurimit, s’është në proces falimentimi (statusi aktiv), s’është dënuar për shkelje penale, në përputhje me Nenin 45/1 të LPP, s’është dënuar me vendim të Gjykatës së formës së prerë, për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale dhe ka paguar të gjitha detyrimet për pagimin e tatimeve e të kontributeve të sigurimeve shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në sqarimin e ARRSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura