Hije morti në tokën e diellit

Feb 13, 2016 | 13:48
SHPËRNDAJE

Nga DR. Redi Llubani
3754677
Përmbytje nga balta e smog verbues, përzier me vuajtje pa fund e një tymnaje përçapjesh thjesht për mbijetesë, janë impakti i parë që të jep fotografia e jetës shqiptare. Po, po, fotografia sepse rrethi vicioz dydimensional PD-PS ka ngërthyer shpresat dhe mundësitë për të paktën një jetë dinjitoze me kushtet më minimale të miliona shqiptarëve.

Maskimi me reklama pompoze e mashtrimet elektorale janë shpresa e vetme që predikohet pa kursim gjithë ditën dhe përditë. Maskarada e politikave plëngprishëse serviret me mjeshtëri të pashoqe si frymë revolucioni, duke u tallur brutalisht me fukarallëkun që ka kapluar mbarë shoqërinë. E kjo shihet haptazi në qarjehallet e kafeneve, në shpresën e ngrysur të taksapaguesve apo në tentativat me guximin e njeriut që s’ka më ç’të humbë për të emigruar në shtete të huaja drejt një të ardhmeje të pasigurt e të rrezikshme.

 

Deklaratat megalomane për revolucion në drejtësi, shëndetësi a punësim duket se ia arrijnë fare mirë qëllimit për të paraqitur nëpër botë një realitet krejt ndryshe realitetit aktual. Por, pakënaqë- sia mbarëshoqërore shihet, preket e dëgjohet me të gjitha shqisat e vuajtjes njerë- zore. Papunësi ekstreme në një vend faktor kyç në Ballkan, ku ndërlidhen mrekullisht mirë resurse turistike, ekonomike e industriale.

Çmimet e tregut krejtësisht vijon nga faqja 1 jashtë çdo kontrolli në një ekonomi të rrënuar. Karburantet më të shtrenjta në rajon e mbase dhe në Europë, në një vend ku pagat e punonjësve janë të paktën pesë herë më të ulëta. Bileta avionësh që kushtojnë të paktën tri herë më shumë se në çdo shtet perëndimor, ndërkohë që mbi gjysma e shqiptarëve jetojnë në emigrim.

Administrata shtetërore që ndërrohen rrënjësisht sa herë shkon e vjen një forcë politike. Shëndetësia më e varfër e më e pashpresë në Europë, ku në absurditetin më çnjerëzor pacientët detyrohen të marrin borxhe për të paguar trajtimin shëndetësor. Sisteme bujqësore të dështuara në territorin me fushat më pjellore në rajon. Probleme të ujit të pijshëm në një nga vendet me më shumë sipërfaqe uji në kontinent. Rrugë që shtrohen pa fund për t’u inauguruar e më pas për të mbetur përgjithnjë gjysmë të shtruara. Hidrocentrale që anatemohen me dhjetëra, por sot në shekullin e internetit mungon akoma energjia elektrike.

Korrupsion që pranohet hapur nga vetë qeveria, që duket po kaq hapur se nuk ka më se ç’bën. Një shtet që menaxhohet nga “të fortët” e të pashkolluarit, ndërkohë që intelektualët e punëtorët shtegtojnë përditë kudo nëpër botë, duke rimëkëmbur e investuar pashmangshmërisht në ekonomitë e mëdha botërore.

Truri i shoqërisë po largohet frikshëm nga zallamahia e një politike me interesa të ngushta vetjake e pa vizion zhvillimi për të ardhmen. E së fundmi, humbja e shpresës e një moral i zymtë në një vend ku dhe dielli qesh 365 ditë. Një realitet më se i dhimbshëm në kufijtë e absurditetit, për faktin e thjeshtë se natyra ka ofruar pasuri me bollëk, një pasuri që shfrytëzohet babëzisht mbi kurrizin e një populli vetëm nga një grusht njerëzish që mbajnë peng kësisoj vetë jetën e tij.

Jo, jo, kështu nuk mund të vazhdohet më. Vuajtja e imponuar dydimensionale PD-PS duhet me çdo kusht të hapë rrugën për një forcë të re a një revolucion brendapartiak për të mundësuar të paktën mosshuarjen e identitetit shqiptar.

*Mjek në Berlin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura