Higuain prezantohet te Juventusi duke sulmuar ashpër De Laurentisin

Jul 28, 2016 | 18:43
SHPËRNDAJE

Gonzalo Higuain insiston se presidenti Aurelio De Laurentis ishte një prej arsyeve kryesore pse ai kishte zgjedhur të largohej nga Napoli. Në ditën e prezantimit të tij te Juventusi, pasi ka falënderuar tifozët e Napolit duke u kërkuar falje për arratinë, argjentinasi është hedhur në sulm ndaj presidentit të ish-skuadrës së tij.

higuain

“Kam qëndruar në heshtje, tani mund të shprehem. Në Napoli kanë qenë tre vite të bukura, e kuptoj që janë të inatosur me mua. Kam parë fyerje… por kjo është një zgjedhje që e kam bërë për arsyet e mia dhe jam i lumtur që e kam bërë”, tha ai për tifozët, ndërsa më pas i kërkoi falje edhe trajnerit Sarri, i cili e kishte kritikuar se pse nuk i kishte bërë qoftë edhe një telefonatë.

higuain

“Ishte zgjedhja ime që të qëndroja i qetë dhe në heshtje, pa menduar asgjë dhe vetëm për pushimet me familjen dhe miqtë e mi. Sarri ishte shumë i rëndësishëm për mua, më ndihmoi të rritesha dhe i dërgoj një përshëndetje që këtu, i kërkoj falje, për të kam vetëm fjalë falënderimi”.

higuain de laurentis

Personi që Higuain nuk ka ngurruar të sulmojë publikisht ishte Aurelio De Laurentis. “Raporti me De Laurentis nuk ka qenë asnjëherë i afërt pasi mënyra e tij e mendimit nuk ishte njëlloj me atë që kam unë, zgjedhja ime erdhi edhe për faktin se më shtyu ai ta bëja. Tani jam shumë i lumtur dhe falënderoj Juventusin për sforcon e madhe që ka bërë për të më marrë. U jam mirënjohës të gjithë tifozëve të mi te Napoli, por jo De Laurentisit. Nuk do të kisha dashur të kaloja asnjë minutë më shumë me të”, tha sulmuesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura