Higuain dhe Kutrone së bashku, Milani ka gati planin për “Dopio 9”

Sep 3, 2018 | 13:41
SHPËRNDAJE

Gonzalo Higuain dhe Patrik Kutro ne. Janë të shumtë tifozët, por edhe specialistët e sektorit që e shohin dyshen në fjalë si ideale për të luajtur së bashku. Këmbëngulja shtohet pas shfaqjes që sulmuesit kuqezinj vunë në skenë në minutat e fundit të takimit të së premtes kundër Romës. Megjithëse e ka përdorur disa herë në ndeshje e sipër skemën 4-4-2, Xhenaro Gatuzo nuk mendon se skuadra e tij është gati për të përballuar këtë skemë që nga minuta e parë. Mungesa e theksuar e ekuilibrit nuk është një risk që “Djalli” do ta ndërmerrte në terma afatgjatë duke qenë se në krah Milani ka mesfushorë shumë ofensivë.

Patrick-Cutrone-Gonzalo-Higuain

GOLI – Në ndeshje e sipër diskutimi ndryshon totalisht. Në ndeshjen e së premtes u pa një Milan kameleont që kaloi pa shumë probleme nga 4-3-3 në 4-4-2, teksa kronometri shënonte minutën 84, ndërsa në fushë futej Kutrone. Situata ishte ideale, rezultati i barabartë, ndërsa “San Siro” nuk mund të kënaqej me një paraqitje pozitive ndaj një Rome jo fort të shkëlqyeshme. Goli që u dha tri pikët e para kuqezinjve në kampionat erdhi nga dyshja Higuain-Kutrone.

Gonzalo kishte marrë urdhër të afrohej me mesfushën për të shfrytëzuar daljet e Nzonzisë, teksa Patrik duhej të kridhej në hapësirat që do të krijoheshin. Djaloshi lexoi gjithçka përsosmërisht, me Kalabrian që i vjedh një top pikërisht Nzonzisë, pason për numrin 9 kuqezi, i cili harron profesionin dhe shërben një asist fantastik, që pret si thikë të gjithë mbrojtjen rivale. Pasi kërkon topin me “këmbë e duar”, Kutrone e merr atë në zonë dhe godet menjëherë, duke mposhtur Olsonin dhe duke i thënë fillesë festës kuqezi.

LËVIZJET – Realizimi i një rrjete në minutën e 95-të shpesh gjykohet si një ndodhi fatlume, por ja që për rastin e Kutrones nuk bëhet fjalë për sinkronizëm rastësor. Në dhjetë minutat e bashkëjetesës në sulm, bomberi argjentinas dhe ai italian nuk ndërhynë për asnjë moment në rrezen e veprimit të njëri-tjetrit. Kur “El Pipita” zgjidhte të luante në korsinë qendrore, Kutrone spostohej automatikisht në krahun e majtë, teksa në rastin e golit depërtimi i tij në zonë erdhi si pasojë e tërheqjes së Higuainit në rolin e “fantazistit”.

POZICIONET – Në një “radiografi” të aksionit vendimtar mund të dallohen pozicionet e kuqezinjve në fazën ofensive. Kutrone në zonë, Higuain si 10- sh fals, Kalabria si mesfushor, pa harruar që futjet në fushë të Laksaltit dhe Kastijehos ishin një spunto konstante për manovrën sulmuese të Milanit, kur kërkohej fitorja nëpërmjet një skenari loje logjik dhe të studiuar. Sekreti i çdo ekipi fitues qëndron te dinamizmi dhe jo vetëm për rastet kur lojtarit i duhet të lëvizë, por edhe kur duhet të ruajë pozicionin. Nëse “nëntëshi” i dyfishtë nuk është statik, atëherë mund të shndërrohet në një “xhol” që Gatuzo mund t’ia lejojë vetes. Sepse Patriku, siç thotë Rino, “ka helmin në trup”; ndaj në këtë mënyrë më mirë të helmojë rivalët sesa shokët në stolin e rezervave.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura