Hetuesi i Jakovit dhe azili i Agron Tufës

Dec 11, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO pellumb nako

Në Bashkimin e kuq sovjetik, Lenini e kishte vendosur tashmë vijën e sjelljes: “Pastrim tokës ruse nga çdo insekt i huaj”. Me “të huaj”, ai nënkuptonte jo vetëm ata që ishin të tillë në raport me klasën e re, por edhe “vetë punëtorët që i shmangeshin punës”. Motoja e Leninit u vu menjëherë në punë. Më pas, valë-valë, në vazhdim, Stalini do të shfaroste vit pas viti këdo që paranoja e tij do ta shihte të arsyeshme. Me mijëra edhe nga vetë partia dhe aparatçikët e saj.

Në larminë e pafundme të formave, me të cilat Policia politike e Stalinit kryente arrestimet, hetimet, torturat, burgimet, marrjet peng, pushkatimet, shkrimtari rus, Aleksandër Sollzhenjicin, evidenton edhe rastin e Jakovit. Një planovik i thjeshtë. Jakovin e thirrën në hetuesi. Motivi ishte thjesht për një sqarim. Pasi priti 8 orë në ambientet e Policisë politike në Moskë, atij i erdhi radha të paraqitej para hetuesit. Ky i fundit nxori me shpejtësi kartelën e tij, duke thënë se nuk e kuptonte se çfarë ishte një planovik. Ndaj, e ftoi Jakovin të shkruante vetë gjithçka që kishte bërë. Dhe pasi të kishte shkruar gjithçka, pa fshehur asgjë, hetuesi do të gjente se çfarë shkeljeje kishte bërë Jakovi. Pastaj do ta fuste në burg.

Rasti i Jakovit, ku jeta e tij u kërcënua dhunshëm dhe në mënyrën më absurde nga vetë shteti sovjetik, është shumë më ekstrem sesa kërcënimi i jetës së poetit, publicistit, veprimtarit dhe drejtorit të Institutit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa. Në ditët e sotme, rastet si të Jakovit kanë mundësinë të gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare në formën e një azili politik në vendet demokratike perëndimore. Kurse në ato si të Agron Tufës, kërcënimi nuk vjen nga vetë shteti, por nga grupime apo individë fanatikë të komunizmit me apo pa pushtet. Pjesë ose jo e strukturave shtetërore, devijime të tyre, por edhe në kontekstin e tij, jemi përsëri në kushtet kur subjekti merret në mbrojtje nga vendet e demokracive perëndimore.

Dallimi ndërmjet rasteve në fjalë është pikërisht momenti, i cili thuajse nga të gjithë ngatërrohet. Sidomos, nga kundërshtarët e poetit. Përveçse hedhin pa kursim baltë mbi të dhe vjellin po aq vrer, ata mendojnë se edhe në kërkesën për azil, ai po abuzon. Madje, dikujt i vjen edhe për të qeshur me këtë kërkesë të tijën për azil.

Në fakt, përveç konceptit azil politik, ku kërcënimi i jetës së kërkuesit vjen nga vetë shteti për arsye politike, raciale, fetare e shumë të tjera, ekziston edhe koncepti i azilit territorial. Ky i fundit nuk nënkupton kërcënimin e jetës nga shteti, por nga individë apo grupe individësh dhe shteti nuk është në gjendje të marrë në mbrojtje jetën e personit të kërcënuar. Është pikërisht ajo që thotë me zë të lartë edhe vetë poeti. Por që mbeti dhe vazhdon të mbesë në vesh të shurdhër. I pambrojtur, ai u përball me kërcënime për jetën e tij dhe të familjes. Kurse strukturat shtetërore nuk e morën në mbrojtje. Po ashtu, ai përmend dhe denoncon përsëri me zë të lartë se këto struktura e kanë lënë qëllimisht në këtë situatë, pasi në to gëlojnë ish-punonjës të Sigurimit si dhe lidhjet e tyre të padukshme me fanatikët e ish-nomenklaturës së lartë komuniste. Lidhje këto që ushtrojnë pushtet okult mbi institucionet ligjore. Pikërisht me ata që ai është përplasur publikisht në kuadrin e funksionit të tij si drejtor i Institutit.

Në jurisprudencën europiane, azili territorial përkufizohet si një e drejtë ku “çdo i huaj, viktimë e një persekutimi joshtetëror, për të cilin konkludohet se jeta ose liria e tij është e kërcënuar në vendin nga vjen dhe është i ekspozuar ndaj trajtimeve në kundërshtim me nenin 3 të Konventës Europiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive të tij themelore”.

Kur jeta, liria e një individi, sidomos me përmasa si ato të poetit, kërcënohet dhe nuk merret në mbrojtje nga shteti, në vendet perëndimore vihet në jetë mekanizmi “i mbrojtjes zëvendësuese”, ku institucionet e këtyre vendeve bëjnë detyrën e shtetit nga vjen personi kërkues i azilit. Nuk janë të paktë shtetasit shqiptarë, të cilët, në këto vite të fundit, kanë fituar azilin, pikërisht sipas kësaj klauzole. Dhe kjo nuk është për të qeshur. Nëse shpesh kemi hasur në shqetësimin e vendeve perëndimore për rritjen e kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë, nuk kemi parë asnjëherë deri më sot shqetësimin e shtetit shqiptar se përse po rritet numri i shqiptarëve që po e fitojnë këtë azil. Rritja e numrit të tyre përkthehet në degradim të shtetit. Në një shtet të paaftë ose të painteresuar në mbrojtjen e integritetit fizik dhe lirisë e shtetasve të tij.

Siç e theksuam më lart, historia e Jakovit është tronditëse. Por jo vetëm për atë që ajo tregon në vetvete, por edhe për thirrmat e poetit lidhur me futjen masive të ish-punonjësve të Sigurimit në strukturat e sigurisë publike e kombëtare të vendit. Shpesh, reflekset e tyre mbeten të pandryshuara, të njëjta me ata të hetuesve të Jakovit.

Konkretisht: Para disa viteve, në Policinë e Shtetit filloi një proces disiplinor kundër një grupi punonjësish të saj. Marrjen në pyetje të oficerëve që kishin bërë thyerjen disiplinore e bënte një ish-oficer Sigurimi i saporifutur në radhët e Policisë. Kur njeri syresh e pyeti se përse i kishin thirrur, ishsigurimsi u përgjigj se pyetjet i bënte ai dhe detyra e tyre ishte të përgjigjeshin. Kur ata këmbëngulën të dinin konkretisht se për cilin motiv po hetoheshin, ish-sigurimsi u tha se kishin kryer shkelje të rëndë disiplinore. Dhe kur më pas atë e pyetën përsëri se cila ishte konkretisht shkelja e rëndë që kishin shkaktuar, ish-oficeri i Sigurimit sqaroi: “Ju duhet të më thoni gjithçka që keni bërë gjatë këtij viti dhe pasi të më keni treguar, unë do të gjej shkeljen që keni kryer dhe do t’ju komunikojë masën”. Edhe Jakovit njëlloj i thanë.

Pikërisht kjo është kategoria e punonjësve të sigurisë në vendin tonë, të cilën poeti denoncon. Prej së cilës ai nuk mori mbrojtjen e duhur dhe u largua diku në një vend, i cili e ka shumë seriozisht garantimin e lirisë dhe jetën e çdo individi të braktisur nga shteti i tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura