Hetimi për transfertat e dyshimta të 17 milionë USD, Bojaxhi: Ja e vërteta

May 1, 2016 | 20:20
SHPËRNDAJE

Gjergji Bojaxhi i cili është nën hetim për transferta të dyshimta në “offshore”, ka reaguar lidhur me hetimin policor i cili ekspozon një skemë gjigante mashtrimi të firmave kryesore të import-eksportit të karburanteve në vend.

Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Bojaxhi thekson se kompania ku ai punon si administrator, është tatimpaguese e rregullt dhe nuk ka qenë kurrë pjesë e ndonjë afere apo abuzimi me ligjet fiskale.

Gjergj Bojaxhi

REAGIMI I GJERGJ BOJAXHI:

Të nderuar miq,

Shumë njerëz në vendin tim do e linin në heshtje një kronikë televizive akuzash në mënyrë që të harrohej apo të mos amplifikohej. Por unë, si në çdo betejë të vogël apo të madhe, kam zgjedhur t’i qëndroj përballë.

Që para garës sime për Tiranën, kam patur shumë “këshilla miqësore” apo kërcënime indirekte që të shikoja punët e mia. Këta njerëz kërkonin që të më zmbrapsnin jo vetëm mua, por edhe çdo zë që denonconte publikisht batërdinë e tyre në Shqipërinë ku jetojmë. Ata kanë zgjedhur mënyrën e tyre tipike mafioze që nëse nuk e blen dot, kërcënoje.

Të jeni të sigurtë që pa rrezikuar baltosjen mbi familjen, punën, bashkëpunëtorët apo miqtë nuk mund të flasë askush publikisht kundrejt këtij grupi politik që operon me ligjet e mafies. Edhe sikur vetë Papën të sjellim në Shqipëri për ti kundërshtuar dhe denoncuar, prapë klasa politike këtu do e përlyejnë për ta bërë të duket si ata apo mos me keq, në mënyrë që qytetarët të humbin shpresën se ka njerëz të ndershëm në këtë vend.

Në interes të opinionit publik, dua të sqaroj se kompania ku unë punoj në rolin e administratorit, është tatimpaguese e rregullt dhe nuk ka qënë kurrë pjesë e ndonjë afere apo abuzimi me ligjet fiskale. Ne jemi subjekt kontrolli nga institucionet ligjzbatuese dhe kemi patur dhe vazhdojmë të kemi marrëdhënie korrekte dhe institucionale me to.

Unë, Gjergj Bojaxhi, që prej kthimit nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2005, kam deklaruar çdo vit të ardhurat dhe kam qënë subjekt kontrolli. Duke patur edhe nënshtetësinë amerikane, kam detyrimin e deklarimit vjetor të të ardhurave të mia edhe në Shtetet e Bashkuara. Ligjet atje, kërkojnë që shteti Amerikan të vihet në dijeni jo vetëm për të gjitha të ardhurat, por edhe për llogaritë e mia kudo që gjenden ato si edhe të kompanisë që unë drejtoj.

Fakt është që në asnjë rresht të lajmit, as unë dhe as kompania që unë drejtoj, nuk akuzohet për ndonjë shkelje ligjore specifike. Hamendësimet, rreshtimi i numrave, personave apo kompanive si ARMO, CREDINS etj në të njëjtin lajm me aktivitetin tim, nuk i bëjnë nder askujt dhe shërbejnë vetëm për të hedhur baltë dhe keqorientuar qytetarët.

Dëshiroj të garantoj, që unë dhe kompania që unë drejtoj, jemi 100% të hapur dhe dëshirojmë të bashkëpunojmë për të bërë transparencë deri në fund. Jemi të gatshëm të ndajmë me të gjitha organet ligjzbatuese shqiptare e amerikane të gjitha informacionet dhe dokumentacionin që disponojmë.

Dëshiroj gjithashtu, të bëj me dije, se sulme të tilla nuk do të më trembin dhe as të më stepin për të hequr dorë nga aktivizimi im qytetar dhe politik. Miq, fabrikime të tilla të turpshme, nuk do të më detyrojnë kurrë të tërhiqem nga rrugëtimi ynë i përbashkët. E vetmja mënyrë që asnjë qytetar tjetër të mos shantazhohet nga kjo politikë mafioze është t’i çojmë deri në fund të gjitha projektet e diskutuara dhe filluara së bashku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura