HETIMI/ Deputetëve të dënuar jashtë vendit do t’u merren shenjat e gishtave

May 23, 2016 | 22:12
SHPËRNDAJE

Pas publikimit të formularëve të vetëdeklarimit të 140 deputetëve, ministrave të kabinetit “Rama” dhe 61 kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë verifikimin e përmbajtjes së formularëve.

MBLEDHJE E KQZ - Kryetarja e KQZ Lefteri Luzi Lleshi, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, KQZ, ku do te hapen 7 kuti votimi te qendrave zgjedhore te Durresit./r/n/r/nMEETING OF KQZ - Chairwoman of the Central Election Commission and members Lefteri Luzi Lleshi, speaks during a meeting of the Central Election Commission.
.

Ligji i dekriminalizimit ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që, për të gjithë zyrtarët që kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, të kërkohet informacion nga Zyra Gjyqësore për të mësuar nëse ndaj tyre ka pasur dënime të formës së prerë nga Gjykata dhe nëse janë deklaruar në formularë apo jo.

Po ashtu, verifikimi i dytë do të bëhet në zyrat e Gjendjes Civile për të mësuar gjeneralitetet që kanë deklaruar zyrtarët që janë subjekt i ligjit, janë të saktë apo janë ndryshuar dhe nuk janë deklaruar.

Nga informacionet që do të merren nga këto institucione, KQZ do të bëjë kontrollin e formularëve, të cilët më pas, nëse rezultojnë se nuk përputhen me vetëdeklarimet, do të dërgohen për hetim të thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme.

TË DËNUARIT

Deputetët, kryebashkiakët, apo këshilltarët që kanë deklaruar se janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata, apo që kanë deklaruar dënime jashtë vendit, do të verifikohen nga Prokuroria. Rasti i kryebashkiakut Roshi, i dëbuar nga Gjermania, apo i kryebashkiakut Artur Bushi i hetuar për trafikim lëndësh narkotike në Itali, do të verifikohen nga Prokuroria.

Për këto raste, ligji ka parashikuar që zyrtarët që kanë deklaruar se janë dënuar jashtë vendit do t’i nënshtrohen dhe verifikimit të shenjave të gishtërinjve. “Për kryerjen e verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të saj ose i kërkon ato pranë çdo organi apo entiteti tjetër shtetëror, brenda apo jashtë vendit.

Në çdo rast verifikimi, është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë.

Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopike dhe/ose të dhënat e tjera biometrike të shtetasit, për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditëve të depozitojë këto të dhëna, sipas procedurave të legjislacionit mbi identifikimin dhe pajisjen me dokumente identifikimi të shtetasve.

Në rast refuzimi për të depozituar gjurmët daktiloskopike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim”, thuhet në nenin 8 të akteve nënligjore të ligjit të dekriminalizimit.

Ligji ka parashikuar dhe rastet kur një zyrtar është i dyshuar se ka fshehur të dhënat, dhe për këtë mund të kërkohet hetim i thelluar nga Prokuroria, që mund të vihet në lëvizje nga deputetët, ministrat, apo drejtuesit e institucioneve, përfshirë këtu dhe firmat e 500 qytetarëve.

FATJON BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura