HETIMET/ Prokuroria kthen dosjen e Gjergj Bojaxhiut në Polici

May 12, 2016 | 8:01
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës kthen në Polici dosjen penale ndaj Gjergj Bojaxhiut. Grupi i hetimit i Prokurorisë mësohet se pas shqyrtimit të materialit, ka vendosur t’i delegojë Policisë një sërë detyrash për zbardhjen e abuzimeve të dyshuara.

Organi i akuzës fillimisht ka nxjerrë urdhra sekuestrimi për dokumente në lidhje me Gjergj Bojaxhiun dhe kompaninë e tij “Everest Oil” në banka dhe në disa institucione të vendit.

Më pas, Prokuroria sekuestroi 600 mijë euro në llogaritë e gruas e djalit të Rezart Taçit, me qëllim shmangien e tjetërsimit të tyre. Edhe ky rast mësohet se përfshihet në kallëzimin e bërë nga Policia për një grup kompanish e biznesesh me aktivitete transfertash të dyshimta gjatë viteve të fundit.

Më pas, organi i akuzës ka verifikuar materialet e kallëzimit dhe ka vendosur që t’i delegojë detyra Policisë për kryerjen e veprimeve në vazhdim. Këto ditë pritet që Prokuroria të finalizojë fazën e verifikimeve paraprake për të pasur më vonë në vendimmarrje.

Gjergji Bojaxhi
Gjergji Bojaxhi

KALLËZIMI

Më 4 mars 2016, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave kanë bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës ku implikohen biznese të mëdha e figura publike.

Objekt i kallëzimit është, ndër të tjera, edhe aktiviteti i Gjergj Bojaxhiut nga viti 2012 deri në vitin 2016, kur janë qarkulluar shuma marramendëse parash.

Kompania “Everest Oil”, me administrator Gjergj Bojaxhiun, e siç dyshohet edhe të afërm të tij, është themeluar nga shoqëria “Superba SRL” me seli në Napoli në vitin 2012. Aksionerët e saj janë Jola Bojaxhi, gruaja e Gjergj Bojaxhiut dhe shtetasit Andrea Valeriu, Oltion Spiro dhe Altin Fani.

Bojaxhi është aksioner kryesor me vjehrrën, Lumturi Hasamataj. Nga ana tjetër, vetë “Superba SRL” është krijuar në korrik të vitit 2012, ndërsa menjëherë sapo ishte krijuar, në periudhën korrik – nëntor 2012, subjekti “Everest Oil” ka qarkulluar mbi 29 milionë dollarë, dhe shuma të tjera në lekë dhe në euro.

Njësia Task-Forcë e Prokurorisë po verifikon nëse në kallëzim ka elemente të veprave “mashtrim me kredi”, “pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “fshehje të ardhurash”.

FUSHATA

Gjatë hetimeve paraprake është mësuar se mes donatorëve në fushatën e Gjergj Bojaxhiut për Bashkinë e Tiranës, ka qenë edhe një grua, e cila ishte pjesë e biznesit të ish-zyrtarit.

Në datën 31 maj 2015, shtabi elektoral i Gjergj Bojaxhiut dhe ai vetë bënë publike listën e financuesve të fushatës së tij elektorale për Bashkinë e Tiranës. Personi i 11-të në listë ishte Misela Dervishi.

Pikërisht ky emër, sipas hetuesve, rezulton se ka lidhje me një nga bizneset kryesore për të cilat Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet. Fjala është për kompaninë e tregtimit të hidrokarbureve “Everest Oil”, përfaqësues i së cilës rezulton të ketë qenë Gjergj Bojaxhiu.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura