Hetimet për Tahirin/ Prokuroria bën lëvizjen e radhës, merr në pyetje…

May 1, 2018 | 12:46
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje së fundmi truprojën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bëhet fjalë për shtetasin Elvis Rexha, i cili ka qenë prezent në disa prej udhëtimeve të Tahirit jashtë vendit, kryesisht në Itali dhe Greqi.

tahiri

Pikërisht në këto dy vende Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar më parë letërporosi autoriteteve përkatëse për të marrë përgjigje mbi lëvizjet e ish-ministrit. Marrja në pyetje e Rexhës vjen pak kohë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda zgjati afatet e hetimeve me tre muaj të tjera për ish-ministrin Tahiri.

Ky i fundit është nën hetim për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, po aq sa edhe për shpërdorim detyre. Ka dyshime se ish-ministri ka favorizuar grupin e Habilajve të trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë gjatë kohës që mbante postin drejtues.

Sa i përket marrjes në pyetje të truprojës, burimet thonë se ai është pyetur edhe për disa persona të tjerë, që janë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, si ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës, Gjergj Kohila dhe Jaeld Çela, të shpallur në kërkim. Gjithashtu, në pyetje janë marrë edhe disa banorë të fshatit Gjorm, vend nga është me origjinë edhe Nezar Seiti, i konsideruar si financier i grupit të Habilajve.

Seiti shihej në Shqipëri si person kyç që mund të dëshmonte për Tahirim, por ai nuk u mor asnjëherë në pyetje gjatë qëndrimit këtu, deri sa u ekstradua mes shumë polemikash në janar të këtij viti. Ai pritet të merret në pyetje në Itali për llogari të drejtësisë shqiptare.

Nga ana tjetër, “Panorama” mëson se në Krimet e Rënda ka ardhur edhe përgjigjja e letërporosisë së dërguar nga Krimet e Rënda drejt Greqisë, për lëvizjet e Tahirit atje në vitin 2014, me mjetin e Habilajve. Në përgjigje nuk ka pasur të dhëna që mund t’i shërbejnë çuarjes përpara të dosjes së Tahirit.

Tashmë të gjitha energjitë janë përqendruar në letërporosinë e dërguar në Itali për Nezar Seitin. Më parë janë pyetur edhe dy shoferët e Tahirit, sidomos për udhëtimin e tij në Greqi, ku nga sistemi TIMS rezultonte se në të njëjtën kohë ka udhëtuar edhe Artan Habilaj me “Audin” e famshëm, që është përdorur nga Tahiri në kthim, edhe pse e kishte shitur tek ata.

Dosja “Tahiri” mbetet një nga dosjet me të nxehta të këtij viti, edhe pse hetimet nuk po nxjerrin shumë të dhëna në dritë. Prokuroria pësoi një goditje kur Gjykata vendosi të lirojë Orest Sotën, në mjetin e të cilit u gjetën me qindra mijëra euro dhe që organi i akuzës dyshon se lidhen me Tahirin, si edhe kur Gjykata ia ktheu sërish pasaportën ish-ministrit.

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura