“Hetimet nisën tri vite pas zhdukjes së Ervehesë”

Mar 15, 2016 | 7:31
SHPËRNDAJE

“Po të nisnin hetimet në kohë, historia e Ervehesë do të kishte tjetër rrjedhë. Ajo humbi pa lënë gjurmë në shkurt të vitit 1956 dhe kërkimet e policisë nisën aty nga janari i vitit 1959”.

Mënyra si e kujton dramën e familjes Dyrmishi, Dizi Dyrmishi, një e afërme e tyre, të lë të kuptosh se ngjarja ka qenë shumë më komplekse nga sa shfaqet në dokumentet zyrtare të kohës.

Në një rrëfim për “Panorama”, ajo tregon rrethanat si është njohur me lajmin për humbjen e Ervehesë, reagimet e para të familjarëve, arsyet e heshtjes së tyre, përjetimet e të afërmve dhe fisit, dyshimet e të njohurve për një vrasje brenda familjes e deri te nisja e hetimeve për autorët e krimit makabër.

“U tha se e vrau nëna me Çerçizin, por aty për aty nuk e besuam”, kujton 80- vjeçarja, duke shtuar se është tmerruar kur ka dëgjuar pohimet në gjyq se e kishin mbytur me duart e tyre dhe e kishin varrosur fshehtas në një gropë buzë lumit.

Zonja Dizi, në vitin 1959, tre nga të afërmit tuaj janë dënuar se kanë vrarë vajzën e shtëpisë, Ervehenë. Në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo ngjarje dhe si e keni përjetuar atë?

Rruga që ka përshkuan i pandehur Çerçiz Dyrmishi gjatë transportimit të viktimës
Rruga që ka përshkuan i pandehur Çerçiz Dyrmishi gjatë transportimit të viktimës

Ajo ka qenë një ngjarje e rëndë dhe na ka tronditur shumë. Fisi ynë, Dyrmishi, është një fis i madh. Asokohe pjesa më e madhe jetonin në Koprenckë të Skraparit. Kishte që kishin ardhur në Tiranë, sidomos ata që ishin shkolluar dhe punonin në ushtri. Vetëm familja e Çerçizit kishte shkuar në Memaliaj.

Varfëria dhe kushtet e vështira në fshatin e lindjes e kishin detyruar të shkonte për të punuar e jetuar aty. Një lëvizje kjo për bukën e gojës, për jetë më të mirë, por që i doli për keq. Aty Çerçizi u martua. U martua më pas dhe Erveheja. Kur gjërat sikur shkonin mirë, ndodhi divorci i Ervehesë. Pas kësaj, ndodhi ajo që ndodhi. Më tej, ç’të të them. Gjërat shkuan keq e më keq. Pastaj vrasja…

Si jeni njohur me lajmin se Ervehenë e vrau Çerçizi me nënën?

Këtë e kemi mësuar kur i arrestuan, por aty për aty nuk e besuam. Nuk kishim arsye ta besonim. Një gjëmë e tillë s’kishte ndodhur tjetër herë, së paku deri në atë kohë. Që nëna të vrasë djalin, që vëllai të mbyste motrën. Ca më shumë ta bënte këtë Çerçizi me të ëmën, dy njerëz të dashur e punëtorë në hallin e tyre që s’u bënte dora të shtypnin qoftë edhe një mizë. Megjithatë, mënyra si u hap fjala, na ra si bombë…

Arrestimi i Çerçizit dhe familjarëve të tjerë është bërë tri vite pas largimit të Ervehesë nga shtëpia. Deri atëherë, kishit dijeni për fatin e saj?

Çerçiz Dyrmishi duke treguar vendin ku e kanë varrosur Ervehenë
Çerçiz Dyrmishi duke treguar vendin ku e kanë varrosur Ervehenë

Ne dinim pak a shumë se jetonin në varfëri. Dinim gjithashtu se kishin edhe ndonjë problem me Ervehenë. Kishim dëgjuar se ajo ishte konfliktuar me të shoqin në Progonat dhe ishte larguar nga shtëpia e tij, duke lënë aty dy fëmijët. Çerçizi me të ëmën bënë përpjekje për t’i bashkuar, por nuk ia dolën. Kjo e tronditi familjen, ndezi debate pa fund. Në debat e sipër, pastaj Erveheja u largua. U largua pa thënë se ku po shkonte.

Familjarët menduan se do të kthehej. Kaloi një ditë, dy, tri, një javë, një muaj. Ajo s’u duk më. Çerçizin dhe të tjerët i mbuloi turpi dhe u strukën në hallin e tyre, pa bërë zë. Një situatë e tillë vazhdoi tri vite. Vetëm pas tri vitesh, zhdukja e saj vuri në lëvizje policinë. Shkak për këtë, me sa më kujtohet, u bë një i afërmi ynë nga Skrapari. Pas sinjalit të tij, filluan kërkimet. Po të nisnin ato në kohë, historia e saj do të kishte rrjedhë tjetër…

Pra, pas tri vitesh morët vesh se e kishte vrarë Çerçizi me të ëmën…

Pas tri vitesh që e dinim të zhdukur, na erdhi lajmi që e ka vrarë Çerçizi. Ajo që na dukej e pabesueshme në fillim, fatkeqësisht po provohej si e vërtetë. Gjatë procesit gjyqësor, Çerçizi i pari, e pas tij nëna me gruan pohuan me gojën plotë se e kishin vrarë me duart e tyre në fshehtësi dhe e kishin groposur nëpër natë buzë lumit. Këtu merrte fund çdo lloj dileme për vrasjen e Ervehesë.

Askush më tej nuk shfaqi dyshime të tjera. Ata ikën në burg dhe pak nga pak jehona e ngjarjes u shua. Me sa më kujtohet, Çerçizin prokurori e dënoi me vdekje. Nënën me 25 vite dhe të shoqen me 15.

AFRIM IMAJ

Vijon nesër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura