HETIMET/ Në mjetin e Shtrazës u gjetën gjurmë gjaku të Çollakut

Jan 29, 2016 | 18:14
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Policinë kanë arrestuar Denis Shtrazën, si edhe ka marrë lejen nga gjykata për arrestimin e ish-punonjësit të Policisë, Ervin Dalipaj, të dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku, ndodhur në 6 janar 2016, në Durrës.

Denis Shtraza
Denis Shtraza

Nga veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se më dt. 07.01.2016 është gjetur në zonën e Fushë-Krujës trupi i pajetë i shtetasit Çollaku.

Ky i fundit ishte rrëmbyer një ditë më parë në qendër të Durrësit nga disa persona, të veshur me simbole policie.

Sapo ka marrë njoftimin për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle për personat e dyshuar. Ndër këto veprime, është ndaluar dhe kontrolluar mjeti tip “Benz ML”, i cili drejtohej nga shtetasi Shtraza dhe që shoqërohej nga Dalipaj.

Gjatë kontrollit të mjetit, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Nga kjo e dhënë, policia ka krijuar dyshime dhe ka vendosur bllokimin e përkohshëm të mjetit, ndërkohë që dy personat e shoqëruar janë lënë përkohësisht të lirë.

Ndërkohë, nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndër të tjera, është bërë edhe këqyrja e kufomës dhe është urdhëruar ekspertiza. Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur viktima, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese.

Po ashtu, nga ekspertiza mjetit tip “Benz ML”, në pjesën e pasme të saj, u gjetën disa gjurmë gjaku. Këto gjurmë, pasi u krahasuan, rezultuan të njëjta me gjurmën e gjakut të gjetura në fashën plastike me të cilën ishte lidhur viktima Çollaku.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se këta persona duhet të kenë qenë pjesë e pengmarrjes dhe vrasjes së shtetasit Çollaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura