Aktivistja e Partisë Socialiste, Amarilda Leka, 29 vjeçe, e arrestuar tri ditë më parë, ka marrë 24.500 euro ryshfet duke premtuar t’ia jepte një gjyqtari.
Shuma është marrë me qëlliml që gjyqtari ta lironte të arrestuarin për çështje droge, por duke qenë se 29-vjeçarja nuk ia ka dhënë shumën e parave gjyqtarit, ky i fundit është përjashtuar nga hetimi.
Tri ditë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e shtetases Amarilda Leka, e dyshuar për konsumimin e veprave penale të “kallëzimit të rremë” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm…”. Ndalimi është realizuar nga ana e forcave të policisë.
Burime zyrtare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë dje se 29-vjeçarja, Amarilda Leka, u ka marrë rreth 24.500 euro familjarëve të një personi në paraburgim, për të ndërhyrë te gjyqtari i çështjes, me qëllim zbutjen e dënimit të të akuzuarit.
Fillimisht, Prokuroria për Krime të Rënda në bazë të informacionit të ardhur nga Policia e Tiranës nisi verifikimet për elementët e mundshëm të veprës penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarit…”. Në vijim të hetimit rezultoi se shtetasja Amarilda Leka, nëpërmjet mashtrimit, u ka marrë shumën 24.500 euro familjarëve dhe nuk ka zhvilluar asnjë kontakt me funksionarët e Drejtësisë.
KËRCËNIMI I RREMË
Pasi kanë konstatuar që janë mashtruar, familjarët e personit të paraburgosur kanë kontaktuar me Amarilda Lekën dhe i kanë kërkuar kthimin e shumës së parave që i kishin dhënë. Pas diskutimit ndërmjet këtyre dy palëve, 29-vjeçarja ka bërë kallëzim në Polici pasi, sipas saj, është kanosur nga familjarët e të paraburgosurit.
Por nga veprimet hetimore rezultoi se nuk ka pasur kanosje ndaj militantes së PS dhe, për më tepër, është zbuluar edhe fakti që ajo ka marrë shumën 24.500 euro për të ndërhyrë të gjyqtari i çështjes së familjarit të tyre, gjë që të cilën as e ka realizuar dhe as nuk kishte mundësi reale ta realizonte. Bazuar në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda në vijim të hetimit urdhëroi ndalimin e shtetases A. Leka, për veprat penale të “Kallëzimit të rremë” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm…”.
HETIMI
Procedimi penal është regjistruar fillimisht mbi bazën e kallëzimit të Amarilda Lekës me arsim të lartë Juridik. Verifikimi i fakteve e provave gjeti më pas se kallë- zimi që ajo bëri për kanosje kishte qenë i rremë. Në denoncimin e bërë në Polici, 29- vjeçarja ka deklaruar se shtetasi Z.Gjoka, është vëllai i Xh.Gjokës, person i arrestuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Militantja e PS-së ka pretenduar se vëllai i të arrestuarit, ka ushtuar dhunë ndaj saj dhe prindërve të saj, me qëllim që t’i paguanin një shumë prej 24.500 eurosh. Amarilda Leka ka kallëzuar se ka njohur shtetasin Z. Gjoka dhe motrën e tij, pasi ia kishte prezantuar një person femër e quajtur S., e cila ushtron aktivitet si estetiste në Tiranë. Kallë- zuesja njeh estetisten prej 5 vitesh, për shkak se ishte kliente e qendrës estetike të saj.
RYSHFETI
Ka qenë pikërisht estetistja që ka organizuar takimin mes 29-vjeçares Amarilda Leka dhe vëllait të personit të burgosur. Shtetasi Z.Gjoka ka pranuar propozimin e bërë dhe në datë 10 ose 11 gusht, i ka dorëzuar Amarilda Lekës shumën 24.500 euro.
Sipas kallëzimit, pasi ka marrë shumën e parave, militantja e PS-së e ka dorëzuar këtë shumë te shtetasja S., estetiste. Amarilda Leka, sipas Prokurorisë, ka gënjyer pasi ka pretenduar se personi i kontaktit me gjyqtarin ishte estetistja. Sipas të arrestuarës, estetistja kishte folur me gjyqtarin dhe ia kishte dhënë paratë, por nga përgjimet ka dalë se Amarilda Leka ka gënjyer lidhur me rrethanat e kallëzuara prej saj. Kjo pasi rezulton se personi që ka marrë paratë ka qenë vetë ajo.
Nga hetimet ka dalë se Amarilda Leka nuk i ka dorëzuar paratë tek estetistja, e cila provohet se nuk ka marrë asnjë pjesë nga sasia e parave. Gjithashtu, rezulton se estetistja në fjalë nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë te ndonjë person me funksion gjyqtar.
TRAZHGIM SOKOLAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al