Hetimet/ Emri i deputetit në kërkim, Azem Syla nuk figuron në sistemin TIMS të Shqipërisë

Apr 30, 2016 | 8:39
SHPËRNDAJE

Emri i ish-deputetit Azem Syla nuk është i regjistruar në sistemin TIMS të policisë në pikën kufitare Morinë – Vërmicë, shkruan sot Koha Ditore.

Azem SylaZyrtarë të policisë kufitare në Morin të Kukësit kanë thënë se Azem Syla është në listën e personave VIP, kështu që i shmanget kontrollit, me këtë rast edhe regjistrimit.

Shmangia e kontrollit të personave VIP bëhet në ato raste kur institucioni i interesuar që përfaqëson personi me rëndësi të veçantë, njofton Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri, e cila pastaj dërgon shkresë në stacionin e policisë kufitare, gjë që nuk është vepruar në rastin e udhëtimit të Azem Sylës.

Burime të policisë kufitare në Morin të Kukësit thonë për “Kohën Ditore” se pas instalimit të sistemit TIMS kanë pasur probleme me funksionarë të lartë publikë në Kosovë, ish-luftëtarë të UÇK-së, apo veprimtarë të çështjes kombëtare, përfshirë edhe Azem Sylën, kështu që ato nuk regjistrohen.

Deputeti Azem Syla, i arrestuar tashmë, dyshohet për shpronësim tokash, krim të organizuar e pastrim parash. Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe dhe nga Serbia , i kryesuar nga Azem Syla.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik.

Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit. Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi të Organizuar në Beograd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura