Hetimet e Prokurorisë, Vladimir Gjuta bëri thirrjen telefonike që shpërtheu eksplozivin në farmacinë e Tahirit

Mar 1, 2015 | 15:34
SHPËRNDAJE

Një hulumtim i hollësishëm dhe disa ditor i telefonave celularë dhe numrave të përdorur për aktivizimin e bombave në Tiranë, ballafaquar këto me vendndodhjen e personave të dyshuar, ka çuar Prokurorinë dhe Policinë në zbulimin e autorëve të shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit.

Personi qe vendosi tritolin te farmacia

Referuar të dhënave nga hetimi, dyshohet se bomba e parë është vendosur herët në mëngjesin e 10 shkurtit, në stacionin e autobusit në Unazë te rruga “Muhamet Gjollesha”.

Më pas, personi që ka bërë hedhjen e pakos shpërthyese aty, ka njoftuar dy nga të arrestuarit e tjerë që ka rezultuar se kanë qenë pranë asaj zone, se “gjithçka kishte shkuar mirë”.

Më pas, personi i maskuar ka mbërritur pranë zonës së QSUT, ku është shfaqur duke vendosur lëndën plasëse, 400 gramë tritol me celular në kondicionerin e farmacisë së Bashkim Tahirit.

Pak çaste pasi personi me maskë largohet nga vendi ku ishte vendosur bomba, ajo aktivizohet me anë të thirrjes në celularin e montuar brenda saj.

Nga hetimi ka rezultuar se personi me biçikletë menjëherë pas shpërthimit shkoi pikërisht në zonën ku ndodhej edhe aparati telefonik celular që bëri thirrjen e aktivizimit të shpërthimit në farmacinë e Bashkim Tahirit.

Policia ka thënë se aktivizimi i shpërthimit është bërë me anë të një telefonate të kryer nga ana e shtetasit Vladimir Gjuta.

Ai mendohet se është larguar nga Shqipëria ose është fshehur brenda vendit, që prej datës 11 shkurt 2015, kohë kur Policia ndaloi Emirjon Gjutën.

Ky i fundit, dyshohet se ka qenë personi që i ka siguruar grupit telefonat celularë dhe kartat SIM të përdorura për montimin e lëndës plasëse dhe aktivizimin e tyre nga distanca.

Të gjitha kontaktet dhe lëvizjet e të dyshuarve janë zbardhur nga ana e Prokurorisë, e cila ka krijuar bindjen se ky grup personash kishte kryer vendosjen dhe aktivizimin e bombave të telekomanduara në kryeqytet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura