“Hetimet e korrupsionit t’i drejtojë Prokuroria”

Apr 20, 2015 | 18:08
SHPËRNDAJE

Misioni i BE në Tiranë, EURALIUS, që asiston sistemin e Drejtësisë shqiptare ka dhënë së fundi disa rekomandime në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe hetimin e zyrtarëve të niveleve të larta shtetërore.


Në fund të muajit mars 2015, EURALIUS ka adresuar një rekomandim me katër pika për Prokurorinë dhe Policinë shqiptare. Rekomandimi është formuluar pas vizitës në Shqipëri të kryeprokurorit të Kroacisë, Dinko Cvitan, i cili ka hetuar dhe ka arrestuar ish-kryeministrin kroat, Ivo Sanader, në dhjetor të vitit 2010. Kryeprokurori kroat qëndroi në Tiranë, ku pati takime me përfaqësues të gjykatave dhe Prokurorisë në kuadër të asistencës që BE i ofron Drejtësisë shqiptare në nivel ekspertësh. Duke marrë shkas nga reformat dhe suksesi i Drejtësisë kroate në luftën kundër korrupsionit, EURALIUS rekomandon ngritjen e një strukture në Shqipëri të ngjashme me USKOK. Kjo është Njësia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci, e cila ka juridiksion në të gjithë territorin e vendit. Nga krijimi i saj në Kroaci, kjo strukturë ka vendosur nën akuzë 3454 persona, shumica e të cilëve kanë dalë para gjykatave. Rekomandimi i EURALIUS vjen vetëm pak kohë para se Gjykata Kushtetuese të vendoste shpalljen antikushantikushtetues të projektit për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Policinë e Shtetit.

REKOMANDIMET PËR SHQIPËRINË

EURALIUS rekomandon një marrëveshje të re mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, në lidhje me hetimet paraprake të rasteve të korrupsionit. “Është e rekomandueshme nënshkrimi i një Memorandumi Bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, në mënyrë që të krijohen detyra të qarta në fazën e hetimeve paraprake”, thuhet në pikën dy të rekomandimit. Më tej, misioni EURALIUS, vë në dukje se kjo është e këshillueshme për shmangien e problemeve midis Prokurorisë dhe Policisë. “Drejtuesi i Policisë së Shtetit duhet të pranojë rolin drejtues dhe kryesor të Prokurorisë gjatë hetimeve”, theksohet në rekomandim. EURALIUS shprehet më tej se është e këshillueshme rritja e qasjes së metodës proaktive në kryerjen e hetimeve me anë të memorandumeve të sipërpërmendur mes Policisë dhe Prokurorisë. Më tej, në rekomandim thuhet se një grup ekspertësh dhe akses i shpejtë është i nevojshëm.

TË PENDUARIT

Në rekomandimin e misionit EURALIUS hidhet ideja e ndryshimeve të nevojshme ligjore që do t’u mundësonin prokurorëve të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me persona të akuzuar që zbardhin skemat korruptive dhe krimet në këtë fushë. “Përmirësimi i legjislacionit procedural i Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal, përfshirja e një instrumenti, i cili u jep prokurorëve mundësinë për të bërë një marrëveshje me të pandehurin, në mënyrë sjelljen e anëtarëve më të lartë të organizatës kriminale përpara Drejtësisë”, theksohet në rekomandimin e datës 31 mars 2015. Sipas dokumentit, në këtë perspektivë është e rekomandueshme parashikimi në Kodin e Procedurës Penale i kushteve, ku prokurori mund të kërkojë një ulje dënimi nëse është e rëndësishme për identifikimin e një veprimi të paligjshëm (dëshmitari kyç si një instrument që është i njohur për luftën ndaj korrupsionit dhe çështjeve të drogës).

NGA TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura