Heshtja e çuditshme e Bashkimit Europian

SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRIleonidha-mertiri-150x150

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, çuditërisht, në një nga fjalimet e tij në Veri të Kosovës, riktheu faqe botës ishshefin e vetë, autor të sa e sa krimeve, Slobodan Millosheviç, jo si “kasap i Ballkanit”, por si “lider i madh serb, tek i cili sundonin qëllimet e mira”. Pra, asgjë për gjenocidin në Bosnjë, në Kosovë, në Kroaci. Një provokim i hapur ky, fyerje e re për popujt e mësipërm, por dhe për popujt e tjerë të rajonit tonë në tërësi. Një glorifikim i pacipë i ish- ministrit të Informacionit në kabinetin qeveritar të Millosheviçit, zëdhënësit gjithashtu të dikurshëm të Sheshelit, guxim i jashtëzakonshëm, si të kish të bënte me një kujtesë krejt të mpirë e të humbur të popujve përballë gjenocidit të njohur serb dhe të një Millosheviçi të vënë në bankën e të akuzuarve për këto krime në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Një shfaqje tjetër kjo nga ato të zakonshmet e presidentit serb. Këtë radhë- me përpjekjet për rehabilitimin e Millosheviçit, gjë që do t’u dhembte dhe më tej, sidomos të rënëve për liri, mijëra viktimave që prehen në çdo pëllëmbë toke të Kosovës e të tjerëve të humbur, që nuk u dihen varret, vetë atyre luftëtarëve që luftuan për ëndrrën e madhe e kurrsesi për pasurimin e tyre.

Reagimi ndaj këtij qëndrimi të Vuçiçit, në vend që të dënohej pa ekuivokë, sidomos nga Bashkimi Europian, u vesh me diçka sa për të thënë- në formatin e plotë të parafabrikateve bajate, që as ndezin dhe as shuajnë. Zonja Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, vetëm lakoi në disa rasa “pajtimin, normalizimin, marrëdhëniet ndërfqinjësore”. Të gjithathjesht në parim, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, sikur nuk flitej për Millosheviçin, por për diçka krejt ordinere. Pra, asgjë për të dhe për glorifikuesin e vendit, që aktualisht po negocion për anëtarësimin në BE, si të thuash, sa për të larë gojën e për të mos i inatosur serbët. Kjo nuk mund të jetë kurrsesi fryma e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, ky rehabilitim i Millosheviçit, paskej qenë “çështja më e rëndësishme”, për të cilën do të fliste Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bërë e ditur qysh ditë më parë. Asnjë mesazh paqeje, bashkëpunimi e normalizimi konkret të marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë, Kosovën. Edhe kërkohet të arrihet në marrëveshje dypalëshe, “për zgjidhje historike të konfliktit me shqiptarët”, edhe të promovosh qëndrime anti-Kosovë, antishqiptare, shoqëruar me tam-tamet e këngës “Kjo është Serbia”(!) Dihet ku të përplasin ato e ku përvijohet tuneleve ëndrra serbe e gjallërimit të çështjes së integritetit territorial të Kosovës, kur dihet që kjo është pranuar si temë e panegociueshme. Ashtu siç theksonte këto ditë, Sonja Biserko, themeluesja dhe presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi: Përderisa Serbia nuk heq dorë nga nacionalizmi i madh shtetëror, do të paraqesë rrezik për rajonin dhe do të mbetet faktori kryesor për destabilitetin e tij.

Por le t’i kthehemi përsëri reagimit të BEsë, tolerancës së saj të pajustifikuar. Kjo heshtje nuk mund të motivohet me “mbajtjen pranë të Serbisë, për të mos u hedhur e tëra në krahët e Rusisë”. Kurrkush nuk i mohon përpjekjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që së bashku të dy vendet të ecin në proceset integruese. Por nuk mjafton të thuash që BE-ja, e cila ka dalë me Strategjinë e re të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, nuk do të importojë konflikte e mosmarrëveshje brenda radhëve të veta. Sepse nuk mund të pranohesh në BE pa zgjidhur këto të fundit. Po kur ato, sikurse ndodhi këto ditë me Vuçiçin, promovohen dhe inkurajohen më tej? Pra, në të vërtetë, një gatishmëri e diskutueshme, e cila për BE-në duhet të jetë ndryshe, që marrëveshja e pritur midis Serbisë dhe Kosovës të realizohet, siç parashihet, vitin e ardhshëm.

Heshtja apo reagimi i vakët i BE-së vetëm e zvarrit këtë marrëveshje. Një reagim i qartë, unik i vendeve anëtare të tij ndaj deklaratave të fundit të Vuçiçit do të ishte më në dobi të synimit që Serbia të kuptojë gjithnjë e më shumë se çka ndodhur me gjenocidin e frymëzuar dhe udhëhequr nga Millosheviçi dhe satelitët e tij ndaj popujve fqinjë. Kjo do të shmangte edhe çdo retorikë, si ato të përsëritura këto ditë nga Presidenti serb në Veri të Kosovës, madje dhe të një dite më parë në Beograd. Ndërkohë, dhe kushti që Bashkimi Europian i ka vënë Serbisë, se pranimi i saj në BE lidhet drejtpërdrejt me njohjen e shtetit të Kosovës, do të ishte më i pranishëm e nuk do të nëpërkëmbej. Frazat e përgjithshme, heshtja e pompojnë më tej nacionalizmin serb për turbullimin e ujërave e për të krijuar konfuzion, duke e mbajtur Serbinë larg anëtarësimit në BE. Ato i trimërojnë vetë krerët e Serbisë për të shkuar deri në përçartje, siç ka ndodhur dhe me Vuçiçin, i cili edhe tre muaj më parë, në retorikën e tij, e mënjanoi tërësisht ndërmjetësimin e BE-së në dialogun Serbi-Kosovë, duke deklaruar se pa SHBAnë dhe Rusinë nuk ka asnjë zgjidhje.

Të gjitha këto nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e Brukselit. BE-në dhe SHBA-në nuk mund t’i zëvendësojë askush tjetër, qoftë kjo Rusia apo aleatë të tjerë të Serbisë. Ndaj dhe një reagim i qartë i tyre do të bëjë që bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht vështirësive të njohura, të mos zvarriten në pafundësi e për të mos mbetur peng të miteve të së djeshmes

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.