Heroina e veprës së Kadaresë: Pse s’besoj në hapjen e dosjeve

Mar 10, 2017 | 13:56
SHPËRNDAJE

Në historinë e saj Ismail Kadare u mbështet për të krijuar personazhin e Marjanës në “Natë me hënë”. Ajo është pikërisht vajza që e akuzonin si “imorale” e u detyrua të bënte ekspertizën mjekoligjore për të vërtetuar se ishte e virgjër. Marjana e Ismail Kadaresë është Rukie Rama. Nga Tropoja në Sarandë flitej për sfidën që një mësuese e re i bënte një operativi të Sigurimit, që ishte mik i një prej ministrave të kohës, Feçorr Shehut. Plot 43 dëshmitarë të rremë i nxorën nëpër gjyqe.

Pasi nuk pranoi pretendimet e operativit të Sigurimit, se kishte qenë e dashura e tij, Rukia, asokohe 25 vjeçe, kërkoi t’i bënin ekspertizën mjekoligjore. Ka qenë pa dyshim një nga periudhat më të tmerrshme të saj. Ekspertiza e vlerësoi të virgjër. Por ajo nuk mundi t’u shpëtonte dot 7 viteve burg, që do të ndryshonin përgjithmonë jetën e saj. Kur u arrestua, Rukies i sekuestruan të gjithë librat dhe ditarët që ajo kishte mbajtur qysh në shkollën Pedagogjike në Shkodër.

218368_m
Rukie Rama në kohën e dënimit

Thuhet se Kadare kishte kërkuar ditarët e Rukies, pa mundur t’i gjejë. Ata ditarë, pas shumë vitesh, i kërkon dhe vetë Rukia. Ka kërkuar nëpër arkiva dhe e kanë përcjellë. Sot që diskutohet aq shumë hapja e dosjeve, Rukie Rama është mosbesuese. Mosbesuese, sepse, siç shprehet ajo, edhe pas rënies së diktaturës, dosjet kanë qenë në duart e atyre që i hapën ato, madje shumë syresh janë njerëz me pushtet.

RUKIE RAMA

Shumë zhurmë për asgjë. Ky ka qenë fati i dosjeve të Sigurimit për gjatë gjithë këtij çerekshekulli demokraci. Ne, dëshmitë e gjalla të këtyre sendeve të vdekura, jemi bërë e po bëhemi viktimat e çuditshme të këtij realiteti absurd. Zhurma e kahershme për hapjen e dosjeve ka zënë vendin e një rituali bezdisës jo vetëm për bashkëvuajtësit e burgjeve të komunizmit. Tellallët që e përdorin hapjen e tyre për kredo politike, me këtë sjellje duan të na bëjnë budallenj. Me gërthitjet e rëndomta dhe përbetimet e shpeshta, ky soj zyrtarësh kujton se na bën për vete, duke menduar se me këtë alibi po na shëron plagët dhe na integron në shoqërinë e lirë.

Maskaradë më të madhe për viktimat e diktaturës nuk mund të ketë! Po flas për historinë time, që është vetëm një pjesëz e vogël e atij krimi makabër. Një histori mizore që ka humbur përfundimisht në dosjet e vdekura të regjimit. Gjashtë herë më komunikuan aktakuzën me episode që atakonin njëra-tjetrën. Asnjëherë nuk mora vesh të vërtetën e tyre dhe këmbëngulja çdo orë e çdo çast t’u shpëtoja përgjegjësive. Por askush nuk më dëgjonte. Taborri i hetuesve as që donte t’ua dinte atyre që thosha unë. Për ta mbetesha një armike e betuar e regjimit dhe kjo mjaftonte të kalbesha në qeli. Tjetër fat nuk mund të kishte ai/ajo që stigmatizohej me këtë epitet vrastar. Kjo ishte bindja e padiskutueshme edhe e 43 dëshmitarëve me të cilët më përballën në zyrat e hetuesisë. Dëshmitarët kukulla që recitonin paradokset që u kishin diktuar njerëzit e policisë sekrete. Ata e çuan deri në fund skenarin e lojës së tyre.

Epilogu: vite të tëra burg e reprezalje! Deshi Zoti dhe mbijetova. Mbijetova edhe për t’u përballur me takëmin e atyre sigurimsave dhe bashkëpunë- torëve të tyre që më nxinë jetën, duke më marrë rininë. Reagimi i tyre me heshtjen-varr, sikur s’ka ndodhur gjë më lëndon dhe më shumë. Do ta mirëprisja qoftë dhe një fjalë pendese prej tyre, por jo. Askush ndër ta nuk ka ndërmend ta kthejë kokën pas.

Çuditërisht hetuesit-banditë të asaj periudhe, së bashku me grupin e gjykatëseve dhe prokurorëve monstra, që s’lanë gjë pa më bërë në qelitë e errëta të burgjeve, kapardisen sot me licencën e avokatit apo noterit. Një pjesë e tyre këto vite punuan në zyrat e shtetit ku ruheshin dosjet e famshme të Sigurimit. Shkurt, i varën ujkut mëlçitë në qafë! Këtu nisi dhe ridënimi ynë! Po, po, ridënimi! Ata që na traumatizuan, më në fund patën rastin të fshijnë gjurmët e krimit. Pastaj nisi loja me dosjet e famshme. Loja me dosjet e grisura e të manipuluara.

Dikush më tha njëherë: Pse nuk kërkon të shohësh dosjen tënde? Realisht kishin kaluar shumë vite. Ndër pengjet e shumta të asaj periudhe të zymtë, ishin blloqet e kujtimeve që më kishin sekuestruar njerëzit e Sigurimit kur më arrestuan. Si çdokush në moshën time shkruante diç- ka të frymëzuar nga vendi, mosha apo zhvillimet e asaj periudhe. Kishte aty shumë poezi që i këndonin pranverës, bjeshkës, fëmijërisë e rinisë; shumë krijime që ishin shkruajtur dhe në konsultë me tim vëlla Mehmetin, me të cilin e filluam rrugëtimin tonë bashkë që në klasë të pestë. Kisha shënime të shkruara kur punoja si mësuese. Bashkë me të më rrëmbyen dhe një bllok tjetër që kishte shënime të librave që kisha lexuar, vargje të poetëve të ndryshëm, citate, fjalë të urta, konspekte të kohës mbi aktivitete të ndryshme etj.

Shkrime, të gjitha të bëra me dorë, mes tyre dhe ndonjë vizatim i momentit dhe moshës: ndonjë lule, flutur, zog apo peizazh bjeshke. E shtyrë nga shpresa se tashmë në liri mund t’i gjeja ato dy blloqe me kapakë kafe, trokita para do kohësh në zyrën e një drejtoreshe arkivi në Tiranë. Në bisedë me të, mundohesha të lexoja çfarë fshihej pas “gatishëmërisë” së saj për të bërë të pamundurën që t’i rigjeja blloqet e famshme. Një moment kjo grua “e përgjëruar” për vuajtjet e shtresës sime, u detyrua të zbulojë të vërtetën e asaj që kishte ndodhur me blloqet e mia. E tradhtoi vetja dhe aty për aty u shpreh shkujdesur: A kishin kapak ngjyrë kafe këto blloqet e tua? Pra, më la të kuptoj se zonja e rëndë që rrinte para meje i kishte parë blloqet e mia.

Kur e pa që u zbulua, më la takim pas pesë ditësh. Shkova me një fije shprese, por mjerisht zyrtarët e saj më thanë se atë ditë nuk ndodhej aty. Për një moment heshta. Nuk dija si të sillesha përpara kësaj manovre të fëlliqur. Fakti që nuk jam unë e vetme që kthehem e zhgënjyer dhe duarbosh nga arkivat e shtetit dhe zyrtarët hipokritë, e bën dhe më të dhimbshme plagën tonë. Sa bukur thotë F.Bardhi: “E vërteta nuk ka nevojë të lyhet e stoliset me fjalë të bukura e të rreme”.

per-njish-300x201

Pra, çfarë mund të them unë dhe bashkëvuajtësit e mi tani për dosjet e vdekura, për dosjet që i dënuan me shkatërrim ata që i çelën rishtas në ditët e diktaturës. Çfarë mund të thotë Anxha Kovaçi, një vajzë me të gjitha virtytet, që i pushkatuan vëllain në sy të saj dhe e dënuan me 25 vite burg, prej nga doli e vetmuar dhe pa njeri në këtë botë. Kur kapërceu derën e burgut pas atij kalvari disavjeçar, nuk erdhi kush për ta marrë; nuk dinte ku të shkonte; nuk kishte asnjë njeri për ta ndihmuar. Çfarë mund të thoshte për këto dosje të vdekura Osman Islami, profesori i Tropojës, që me aftësinë dhe intelektin e tij spikaste ndër më të mirët e kohës. E burgosën, e arrestuan në mënyrë demonstrative para nxënësve me akuzën për tentativë arratisjeje.

Në sytë e atyre nxënësve ai u bë hero. Osmani nuk e kishte kufirin larg, mund ta kalonte sa herë që donte, por ishte i lidhur fort me vendin dhe profesionin e tij dhe donte të bënte gjithçka vetëm në Tropojën e dashur. Me bindjet dhe kulturën që kishte, nuk i shkonte në mend që u bënte hije militantëve dhe injorantëve. Po ku ka mbetur historia rrëqethëse e tij? Është zhdukur nga duart e atyre që e syrgjynosën profesorin e nderuar, ashtu sikundër kanë bërë edhe me shumë e shumë të tjerë. Pra, unë them me bindje të plotë që në dosjet tona është hequr e vënë çfarë u ka dashur qejfi ish-sigurimsave, të cilët ende janë në detyra jo pak të rëndësishme.

A mos vallë dhe ne, viktimat e këtyre dosjeve, për hir të mbijetesës, po përpiqemi të harrojmë ato të vërteta therëse që na përgjysmuan jetën?! S’është këtu fjala për të bërë moral, pasi gjithçka dihet si drita e diellit: dje sekretar partie, sot demokrat; dje hetues, sot avokat; dje operativ, sot biznesmen i madh; dje gjyqtar, sot noter. Edhe të vërtetat, madje ato më të domosdoshmet, i zë gjumi, thotë një sentencë e moçme, dhe kohë pas kohe është e nevojshme që dikush t’i zgjojë. Po kush do t’i rizgjojë të vërtetat e plagëve tona që kanë humbur në dosjet e varrosura?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura