Heroi i Polonisë e pranon: Ndihem edhe unë fajtor në Tiranë

Oct 14, 2021 | 18:16
SHPËRNDAJE

Sulmuesi i PAOK-ut të Selanikut, Karol Sviderski, ishte heroi i polakëve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”. Ai shënoi golin që shkaktoi një zemëratë të madhe në tribuna, teksa ndeshja më pas u ndërpre për 15 minuta si pasojë e sendeve të forta të hedhura në fushë.

sviderski

Në një bisedë për mediat greke, polaku ka rrëfyer atë që ndodhi në Tiranë, ndërsa me ndërgjegje dhe përgjegjësi të plotë ka guxuar të deklarojë se ndihet fajtor. “Po, ndjehem edhe unë fajtor për incidentin në stadium, pasi nuk ishte nevoja të shkoja dhe të gëzohesha përpara tifozëve shqiptarë, e sidomos atyre të organizuar. Duhet të kuptojmë që u ndjeva i lumtur kur shënova në këtë ndeshje kaq vendimtare dhe veprova thjeshtë nga pasioni. Sinqerisht më vjen shumë keq për incidentin. E përsëris, fakti që tifozët reaguan në këtë mënyrë ishte deri diku edhe përgjegjësia ime.

Në atë moment isha nën ndikimin e emocioneve të mia”, deklaroi Sviderski, i cili në momentin e festës së golit bëri disa gjestikulacione me duar drejt tribunës ku qëndronin grupimi “Plisat” nga Prishtina. Shumë foto qarkulluan në mediat polake, ndërsa Sviderski u pyet nëse mbante mend që diçka e tillë t’i ketë ndodhur edhe në Greqi.

“Shumë gjëra kanë ndodhur në derbit grekë me tifozët para pandemisë. Mua nuk më ka ndodhur në Selanik, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të përsëritet”, deklaroi polaku, i cili edhe kur po fliste për mediat e vendit të tij nga fusha e “Air Albania” e ndërpreu intervistën, pasi disa shishe të tjera u lëshuan afër kokës së tij.

PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura