“Heroi” i filmit “Dueli i heshtur”, Kapexhiu: Pse dyshuam te marinari

Jun 5, 2017 | 18:04
SHPËRNDAJE

“Fitore, fitore, Islam!”, bërtiti Pepini, kur nisi të shquajë bregun atje tej. Po i ikte izolimit, diktaturës… Edhe sot, kjo thirrje gëzimi dhe çlirimi duket më se e natyrshme, por për këtë, përpara viteve ’90, “shpërblimi” ishte vetëm plumbi.

Filmi_Duel_i_heshtur

Në filmin “Dueli i heshtur” roli i Pepinit, një prej atyre që kërkonte të arratisej interpretohet nga aktori e regjisori Bujar Kapexhiu. Pa dyshim që ai është personazhi më simpatik i filmit dhe shprehjet e tij sot rreshtohen në “listën” e batutave, që vijojnë të përdoren në përditshmëri.

Kapexhiu ishte i ri asokohe dhe me kureshtinë e një të riu, nuk mjaftohej vetëm me skenarin apo variantin zyrtar të ngjarjes ku mbështetej filmi. Sot kujton zërat që qarkullonin për vërtetësinë e ngjarjes, si dhe takimin me heroin, oficer Spiro Koten…

Filmi “Duel i heshtur” është mbështetur në një ngjarje reale, pavarësisht përpunimit artistik. Ju, çfarë dinit për të në kohën kur xhirohej filmi?

Sigurisht që e dinim se mbështetej mbi një ngjarje të vërtetë. Dinim variantin zyrtar, atë se si u tentua arratisja përmes detit, vrasjen dhe kthimin e motovedetës në port.

Dyshonit atëherë se kjo ngjarje mund të mos ishte e vërtetë?

Ishte një ngjarje e dyshimtë. Që atëherë kishte zëra, të cilët nuk e pranonin variantin zyrtar dhe të bënin të mendoje se kishte diçka që nuk shkonte. Kemi dëgjuar se kur anija u kthye nuk hyri në port, por nga “Ura e Dajlanit”, që do të thotë se ai që e drejtonte nuk ishte profesionist. Thonë se kur motovedeta është kthyer, janë dëgjuar krisma. Madje, edhe se njëri prej tyre nuk kishte vdekur, por ishte i plagosur.

Për ndërtimin e skenarit është biseduar me vetë “heroin”, Spiro Koten. Patët mundësi ta takonit?

Po, e kam takuar dhe ai na e bënte edhe më të dyshimtë ngjarjen. Na dukej një njeri i çuditshëm. Nuk thoshte asnjë gjë. Ne e pyesnim se si kishte ndodhur ngjarja, si kishte arritur t’i vriste marinarët dhe kapterin, por ai nuk tregonte një histori nga fillimi deri në fund. E vetmja gjë që thoshte ishte: “Gërr të parin, gërr të dytin, gërr të tretin”. Në kohën kur ne e takuam ai ishte oficer, imagjinoni kur ka ndodhur ngjarja ai ishte edhe më i ri, më i papjekur… Si mund të ketë arritur t’i vriste ata njerëz?!

Cili mendoni se mund të ketë qenë varianti më pranë së vërtetës?

Bujar Kapexhiu në rolin e Pepinit
Bujar Kapexhiu në rolin e Pepinit

Ka pasur gjithnjë fjalë për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, por ajo mbeti një histori shumë e fshehtë. Thuhet se marinarët u vranë mes tyre për çështje pazari dhe me gjasë Spiros i mbeti motovedeta “në dorë” dhe kur mbërriti në port, Spiron në fillim e futën në burg.

Pastaj e bënë “Hero”…

Po, po, e shpallën “Hero”. Propaganda e kohës kështu e kërkonte. Kështu ka ndodhur me shumë njerëz të thjeshtë, që janë radhitur në radhët e heronjve. Kur i duhej partisë nxirrte një hero, një mësues, një ushtar etj… Por, në rastin konkret, në film, historia i është nënshtruar procesit krijues, fillimisht nga skenaristi Nasho Jorgaqi e pastaj nga regjisori Dhimitër Anagnosti.

Sot, ndiheni “mirë” që luanit një rol “negativ”?

E dini, rolet negative pëlqeheshin shumë në atë kohë, sepse ata kishin lirinë të thoshin gjëra që edhe të tjerë i mendonin, por nuk kishin mundësi t’i shprehnin. Kështu që personazhet negativë ishin më simpatikë edhe se heronjtë, që në shumicën e herëve ishin skematikë.

Si lindi “Duel i heshtur”, në anijen e drejtuar nga Spiro Kote

“Dueli i heshtur”, filmi, ashtu si edhe vetë ngjarja në të cilën ai u mbështet, lindi në det. Nuk ishte më një motovedetë, por një anije që drejtohej nga oficeri Spiro Kote. Pikërisht ai, “Heroi i Popullit”, që vrau një kapter e dy marinarë që kërkonin të arratiseshin me një motovedetë, të vetmet mjete që marina shqiptare kishte trashëguar nga e shkuara. Ishte koha e qarkullimit të shkrimtarëve nëpër fronte pune, pranë klasës punëtore…

Ndërsa Luan Qafëzezin e caktuan pranë aviacionit shqiptar, shkrimtarin Nasho Jorgaqi, që asokohe ishte bërë i famshëm me romanin “Dashuria e Mimozës”, e caktuan pranë Marinës Luftarake Detare. Për tri vite me radhë, shkrimtari do të rrinte mes marinarësh, në anije, nga Durrësi, në Vlorë, Orikum e Sazan, i caktuar të shkruante për marinën. Dhe, në të vërtetë, historinë e gjeti në atë anije. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1947 dhe kishte bërë jo pak bujë për kohën. Spiro Kote ishte shpallur “Hero i Popullit”, i pari hero i pasluftës, i dekoruar nga vetë Mehmet Shehu. Mark Ndoja do t’i kushtonte një poemë, ndërsa gazetat do t’i kushtonin shkrime e intervista. Edhe pas 20 vitesh, ngjarja vazhdonte të kishte jehonë.

Dhe nga një histori “porti” iu nënshtrua një procesi krijues, duke u ngritur në një nivel artistik, skenë pas skene, nga skenaristi Jorgaqi dhe regjisori Dhimitër Anagnosti, që më- sohet të ketë bërë “garë” me kolegët e tij Kristaq Dhamo e Viktor Gjika, që të mund të punonte mbi të. Siç thonë realizuesit e filmit, por edhe vetë aktorët, Spiro Kote nuk kishte profilin që iu dha në film, mishëruar nga aktori Rikard Ljarja.

Ai përshkruhet si një njeri që nuk fliste shumë, një njeri i thjeshtë që nuk shfaqte ndonjë nivel të lartë inteligjence, që në kohën kur ndodhi ngjarja kishte qenë thjesht një marinar roje, por që më vonë studioi në Moskë, në shkollën e Marinës… Filmi, i cili doli në vitin 1967, me një kast të zgjedhur aktorësh si Ndrek Luca, Reshat Arbana, Rikard Ljarja e Bujar Kapexhiu, e bëri edhe më të famshëm Spiro Koten, ndërsa sa i takon vërtetësisë së ngjarjeve, atë ai e ka marrë me vete.

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura