Hermira Gjoni, bashkëshortja e Simon Gjonit: Pianistja në listën e zezë të artistëve për pushkatim

Jun 25, 2012 | 11:47
SHPËRNDAJE

Pas 20 vitesh në SHBA, pianistja Hermira Gjoni, bashkëshortja e kompozitorit të “Luleborës”, kthehet në TKOB, për të marrë pjesë në promovimin e librit “Hermira Gjoni- Jetë në tinguj”. Një jetë e pasur me suksese e ndëshkime nga diktatura, që e detyroi t’i binte pianos pas një perdeje të zezë, që të mos dilte në skenë. Sipas dokumenteve të gjetura në Ministrinë Brendshme, e mbesa e Rauf Ficos figuronte në listën e artistëve të shënjuar për t’u arrestuar e pushkatuar.

Një histori e tërë lidhet me atë skenë. Kthimi pas 20 vitesh, mbështetja e gishtave mbi piano, takimi me miqtë e vjetër, fjalët e mira që thonë të gjithë, malli… Sa shumë ndjesi njëherësh… Pas 20 vjetësh, e larguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pianistja Hermira Gjoni u kthye edhe një herë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një institucion që e rriti profesionalisht, por edhe ku takoi bashkëshortin e saj, kompozitorin dhe dirigjentin Simon Gjoni. Pianistja ndodhej dje në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të librit “Hermira Gjoni- Jetë në tinguj”. Një libër i realizuar nën kujdesin e pedagoges Takuina Adami, mbështetur mbi shënimet e vetë pianistes. Në këtë libër, mes fotografish e kujtimesh, vjen e gjithë jeta e Hermirës, qysh në fëmijëri, për të vazhduar me rritjen e saj profesionale, sukseset e para, koncertet me emrat më të mëdhenj të kohës dhe pedagogjia, goditja që do të pësonte nga diktatura, si mbesa e Rauf Ficos, deri te përballja me publikun e huaj në Amerikë dhe gëzimi për sukseset fëmijëve të saj, Elisabetës dhe Andisit, piktor e skenograf. Në ceremoninë e djeshme, drejtori i

Kopertina e librit

TKOB, Zhani Ciko, do të vlerësonte jo vetëm talentin e pianistes, por edhe humanizmin e saj. “Hermira gëzohet për çdo sukses që ndodh në vendin e saj. Jo të gjithë e bëjnë këtë, ndërsa ajo është e pranishme në sukseset tona, gjithmonë me buzëqeshjen e saj dhe fjalët e mira. Unë i jam mirënjohës, jo vetëm si koleg, por edhe si njeri”, tha Ciko. Ndërsa pedagogia Adami do të thoshte se ka ende shumë për të thënë për Hermira Gjonin, sidomos në fushën e pedagogjisë, ku ajo ndoqi traditën më të mirë të themeluar nga Tonin Guraziu e Lola Gjoka.
Jeta artistike
Mësimet e para në piano Hermira Fico Simoni i mori në moshën 7-vjeçare me prof. Tonin Guraziun. I diplomuar në Akademinë Filarmonike të Bolonjës në Itali dhe me një jetë të pasur koncertore, Guraziu do të bëhej një nga njerëzit më të afërt të Hermirës, pas prindërve të saj. Hermira, vajza e dy prindërve të arsimuar në shkollat europiane, do të gjente mbështetje të plotë për rrugën që do të zgjidhte, atë të artit. Qysh në vitet e Liceut Artistik nisi një jetë të pasur koncertore. Punonte shumë. “Kjo nxitje buronte nga një ndjenjë përgjegjësie ndaj vetes, prindërve, profesorëve, ndaj veprave që ekzekutoja dhe ndaj instrumentit kaq të dashur, pianos”, thotë ajo. Ato vite do të luante vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Grig, Shopen, Mendelson, Rahmaninov, Kaçaturian etj. Gjatë periudhës së “dashurisë” shqiptaro-ruse, iu desh sa herë të interpretonte para personaliteteve politike dhe të kulturës, që vinin nga Bashkimi Sovjetik, si kompozitori Tihon Hrenjikov, pianistët Juri Muravlov, David Ashkenjazi etj. Më pas do të nisnin vitet e Konservatorit Shtetëror të Tiranës, ku do të merrte mësime nga pedagogu kinez Çen Bi Gang, i ardhur nga Konservatori Kombëtar i Pekinit dhe profesoresha çeke Ljudmilla Shinderbalova. Koncertet e saj do të ndiqnin njëri-tjetrin. Emrat më të mëdhenj të operistikes së kohës, si mentor

Hermira me te birin, piktorin dhe skenografin Andis Gjoni

Xhemali, Ramiz Kovaçi, Gaqo Çako, Gjinovefa Heba etj. dëshironin të shoqëroheshin prej saj nëpër koncerte. Një nga trishtimet e mëdha të asaj kohe do të ishte ndalimi i koncertit me muzikë nga Shostakoviç. Ishte viti 1965. Vetëm tri ditë para koncertit i thanë se nuk mund ta luante atë vepër (“Prelud dhe Fugë Nr. 24”). I thanë se Shostakoviçi ishte “revizionist” dhe se kishte kompozuar vepra “dekadente”, të cilat “nuk duheshin ekzekutuar”. Pas përfundimit të shkollës, ajo do të fillonte punën si koncertmaestre pranë TOB, ku do të jepte me qindra koncerte, jo vetëm në Tiranë e rrethe, por edhe jashtë Shqipërisë. Përveçse shoqëruese e këngëtarëve e instrumentistëve, Hermira Gjoni do të kishte edhe përgjegjësinë që të interpretonte para këshillave artistike e komisioneve të gjitha veprat që do të viheshin në skenë. Pas izolimit që iu bë në vitet ’70, si rezultat i luftës së klasave, Gjoni do të rimerrte aktivitetin e saj koncertor pas viteve ’90. Në vitin 1996 do të emigronte në Amerikë, ku menjëherë filloi punë si pedagoge në Konservatorin e Muzikës në Manhatan, ku vijon të jetë edhe sot. Ndërkohë vijon jetën e pasur koncertore.
Pas perdes së zezë të luftës së klasave
Ndonëse një pianiste me duar të arta dhe shumë e vyer për Teatrin e Operës dhe Baletit, jeta e saj do të lëkundej për shkak të luftës së klasave. Jeta e saj artistike do të rrudhej për 15 vjet me radhë (’75-’90). Në një mbledhje të organizuar posaçërisht për të, do të vendosej që “t’i ndërpritej aktiviteti artistik. Asnjë ekzekutim në koncerte. Asnjë regjistrim në Radio Tirana. Asnjë koncert me orkestër. Asnjë dalje jashtë shtetit. Asnjë emision në TV”. Ky vendim nuk iu komunikua menjëherë. Gjatë koncerteve Hermirën e detyruan t’i binte pianos prapa një perdeje të zezë, në mënyrë që të mos dukej. Dëshpërimi i saj ishte pa kufi. Kjo që po i ndodhte ishte e padrejtë. Në dokumentet e zbuluara vite më vonë në arkivat e Ministrisë së Brendshme, emri i pianistes figuronte në listën e 30 artistëve që do të arrestoheshin e që më pas do të pushkatoheshin në rast trazirash ose revoltash kundër pushtetit të kohës. Preteksti për ta mënjanuar u gjet në biografi. Ajo ishte mbesa e Rauf Ficos, ministër, ambasador dhe deputet i Parlamentit shqiptar. Në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia, më 7 prill 1939, ai ishte ambasador në Berlin dhe kjo iu kthye kundër, ndërkohë që nuk merrej aspak parasysh nota e protestës ndaj Adolf Hitlerit dhe më vonë internimi i tij në Itali… Gjyshi i saj, Rauf Fico, do të ndahej nga jeta kur Hermira ishte 4 vjeçe, por kaq mjaftonte aso kohe që ajo të ndëshkohej. Vite më vonë, prof. Çesk Zadeja do të shkruante për të: “Pa përjashtim, të gjithë solistët më të mirë kanë punuar dhe kanë kërkuar të shoqërohen nga ajo. Duke qenë e prekur politikisht, znj. Hermira Gjoni i është ndërruar vendi i punës nga soliste dhe është dërguar si shoqëruese baleti për të evituar shkuarjen jashtë shtetit e po ashtu edhe daljen e saj në skenë si person i “padëshiruar”. Megjithatë, ajo edhe në të tilla kushte ka punuar me një pasion të rrallë, deri sa është larguar jashtë Shqipërisë”.

Njohja me Simonin
Në vitin 1959, Hermira u njoh me kompozitorin dhe dirigjentin e TKOB, Simon Gjonin, që do të bëhej më pas bashkëshorti i saj dhe kolegu më i mirë në jetën profesionale. Simoni sapo ishte kthyer nga studimet në Akademinë e Lartë Muzikore të Pragës në Çekosllovaki, ku dhe ishte diplomuar. Siç thotë edhe pianistja, ai do të bëhej për të udhërrëfyesi dhe këshilluesi më i mirë jo vetëm në fushën e muzikës, por edhe në momentet e vështira që do të kalonin më vonë. Në vitin 1991, Simon Gjoni do të ndahej nga jeta në mënyrë të papritur, për shkak të një infarkti në zemër. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për Hermirën. Por, kujtimi i tij do ta mbante ende të fortë. Kur shihte se si njerëzit ngriheshin në këmbë kur përmendej emri, apo këndoheshin këngët e tij, i dukej se ishte ende gjallë. “Sa gëzim i jep njerëzve edhe pas vdekjes Simoni. Vërtetë jeta e tij u shua, por me muzikën e tij ai e transmetoi artin muzikor në të ardhmen e brezave të tërë, duke i dhënë kënaqësi shqiptarëve. Simoni më mungon mua dhe fëmijëve: djalit- Andisit, që vazhdoi në rrugën tonë të artit dhe vajzës, Elisabetës. Sidoqoftë, muzika e tij dhe kënga “Lule borë” jetojnë në çdo kohë, në çdo dasmë dhe në çdo mbrëmje e gëzim familjar…”, shkruan në kujtimet e saj Hermira Gjoni.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura