“Hera ime e parë në Teatër, nga takimi me Xhemal Brojën te njohja me Rikard Ljarjan”, shënimet e gazetarit: Teatri Kombëtar, kujtesa, kultura dhe qytetaria jonë

Jun 1, 2020 | 22:19
SHPËRNDAJE

Nga BESNIK DIZDARI 

TEATRI KOMBËTAR – KUJTESA, KULTURA DHE QYTETARIA JONË “..

Mbasi ke parë parkun e Olomouc-it, e ndien se kufijtë e bukurisë janë të pafund. Ai është i kohës së Maria Terezës, e cila dihet që ka mbretëruar edhe në Boheminë, këtu pranë Moravisë… Aty është ndërtesa e Teatrit tash 250 vjet…” Nuk do ta harroj kurrë këtë Teatër, ashtu të drunjtë, të drobitur, të përkulur paksa, si një plak fisnik mbi 100-vjeçar, por që gjithnjë ecën i mbajtur në themelet e ngulitur në tokë dhe i mbështetur në bastunin e tij po të drunjtë, duke të vështruar me trimëri për të të thënë se “nuk bie asesi”.besnik dizdari

B.D. “Sporti”(01.11.1991);

“Panorama”(01.08.2019)

Më duket se mbas shkrimit “Teatri Kombëtar – Bashkësia Sportive 10-0!” (“Panorama”, 01.08.2019), të paktën unë nuk kisha se ç’të thosha më tej. Mirëpo, zhvillimet e pandalshme vetvetiu po e bën këte temë po aq ndër më të pandalshmet që mund të jenë. Dhe si gjithnjë, gazetaria televizive kryeson me pasionin e saj të pamat për t’u marrë me këte çështje. Diku me paanësi, diku me anësi të padurueshme. Diku me zërin e specialistëve e njohësve të Teatrit Kombëtar. Diku tjetër me zërin e mosnjohësve e jospecialistëve të Teatrit Kombëtar. Diku më tej, me partiakë “par ecxellance”. Diku thjesht me qytetarë – intelektualë për së mbari të Tiranës, të cilët në jetën e tyre, në një mënyrë ose tjetër, gati përditë i kanë shkuar krejt pranë mjedisit të Teatrit e kanë qenë thuajse rregullisht brenda tij, të ulur në vendet e sallës, qysh të rinj madje. Dhe së fundi, deri dhe me një spektakël të rrêjshëm “operistik”, që me gjasë po vihej me shpatulla mbas muri njeriu i ngarkuar me detyrën e Kryeministrit në eufori të plotë, sikur të kishte fituar “betejën e Stalingradit”. Ashtu i ulur, i vetëm në gjithë atë sallë, krahëhapur, sikur donte të thoshte se: “ja tek e keni Teatrin e ri të Operës, e keni prej meje”… …teatri

BIE FJALA, MICHELE PLACIDO DHE EKREM KRYEZIU

Më mbeti në mendje një “talkshow” përmes lidhjeve me video i ditëve të fundit, ku midis katër pjesëmarrësve në të, dy prej tyre, pra 50 për qind, ishin: njëri italian, tjetri shqiptar i Kosovës. Dhe u pa se as njëri dhe as tjetri, veç me Teatrin Kombëtar të kryeqytetit Tiranë të Republikës së Shqipërisë nuk kishin dhe as nuk kanë të bëjnë. Kësisoj, me çka pashë e dëgjova, pra. Them se po t’i marrë në pyetje një njohës i Teatrit, besoj se ata mbesin në klasë. Nuk kanë faj përderisa nuk kanë lindur, nuk janë rritur, nuk kanë jetuar në Shqipëri, nuk i kanë mësuar a studiuar këto punë në thellësitë e Shqipërisë. Pa sa për nënshtetësinë republikane shqiptare që kanë marrë – nuk e kuptoj për çfarë meritash e arsyenash, kur kushedi sa të tjerë e meritojnë para tyre, por nuk e marrin – kjo nuk do të thotë aspak se ata kanë dije për këto histori të çmueshme e prekëse shqiptare. Them prekëse, sepse në fytyrat indiferente të këtyre tipave nuk shoh asgjë prekëse.rikard ljarja kolazh

Mirëpo, ja që po ia marrin frymën opinionit publik shqiptar, këta të ashtuquajturit “të ditur e të ftuar për gjithçka”…

E megjithatë, prapë them që edhe nëse nuk kanë jetuar në Shqipëri, në qoftë se vërtet janë marrë dhe e kanë studiuar jetën e këtij Teatri qysh në fillim, atëherë do të dorëzohesha. Bie fjala, të ishin siç janë dy doktoresha italiane, Cecilia de Marco dhe Elisabetta Lorusso, të cilat përmes doktoraturës së tyre i kanë qitë fundin ndërtimit, jetës, ecurisë dhe historisë së Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Ai që nuk ekziston më.

Ndërkaq, siç e dinë lexuesit e mi, aq pak sa janë e më njohin me artikujt e shumtë që kam shkruar në mbrojtje të stadiumit (paksa edhe për Teatrin), në njëfarë mënyre mbahem si një lloj “historiani” i këtij stadiumi. E megjithatë, nuk mund ta merrni me mend që – edhe ndonëse jam shqiptar dhe jo italian – se sa kam mësuar nga doktoratura e dy autoreve të mësipërme për këte “riscoperta del patrimonio architettonica italiano degli anni ’30 e ’40 in Albania”, siç e përcaktojnë stadiumin ato. Çka na bën menjëherë të bindemi edhe më fort se edhe Teatri Kombëtar i Tiranës është një “patrimonio architettonica italiano degli anni ’30 e ’40″…”. E kjo e bën sa shqiptare, po aq dhe ndërkombëtare vlerën arkitektonike e historike të Teatrit. Ndoshta edhe për këte, çështja në fjalë sa vjen e po ndërkombëtarizohet.

E gjitha kjo do të thotë se do t’u hiqnim kapelën dy të sipërpërmendurve “tanë”: italianit në fjalë dhe shqiptarit të Kosovës në fjalën tjetër, të cilët me një vetësiguri të habitshme, me një epërsi mendimi të pa asnjë lëkundje, të mbronin prishjen e Teatrit, nëse pra, do të kishin “jetuar” sadopak brenda mureve të tij. Ose brenda arkivit të tij. Por më tepër, brenda jetës e historisë së tij të përditshme. Për fat, nuk plotësojnë asnjë kusht se mund të bëjnë kompetentin (të diturin) për këte rast. Madje, jo vetëm këta jo të lindur e fragmentarisht jetues në Shqipëri, por edhe ata të lindur e përherë jetues në Shqipëri, të cilët kanë ardhur tash vonë në Tiranë dhe të cilët hiqen si njohës e kompetentë të mëdhenj për gjithçka të këtushme edhe ata, teksa qëndrojnë në ballë apo qoftë dhe në anë të ekranit televiziv.

Kësisoj, “pak ma kadalë”, pra nuk kanë pse nguten për të bërë kompetentin e Tiranës, të cilën ende e njohin shumë pak. Aq më tepër Teatrin Kombëtar. Nuk di nëse janë apo jo prej asaj kategorie për të cilën Fishta 100 vjet më parë shkruante:

“… Ky, me njerz hasëm të kulturës e të gjytetnis kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fajin e nji kombi ende primitiv?…”

Kështu pra. Nuk mund të të besojë kush mor televizion i dashtun, se kësisoj, ti mund të bëhesh i besueshëm për bashkatdhetarët e tu, që u jep kaq hapësirë të paditurve të një fushe apo të një dukurie, për më tepër historike. Kjo do të thotë se me të paditurit, kurrsesi nuk mund të ndikosh në opinionin publik kombëtar. Përkundrazi. E revolton, e fyen.

E megjithatë – sepse gjithmonë ka një “megjithatë” – nëse vërtet të është mbushë mendja se në një “talkshow” duhet të kesh patjetër 50 për qind të përbërë prej një italiani dhe një shqiptari të Kosovës – për një çështje përveç të tjerave, historike e të kulturës shqiptare – të paktën mundohu të gjesh nja dy të tjerë, me po të njëjtën “kombësi”, të cilët marrin vesh nga teatri, arkitektura e historia e teatrove.

Në rastin e dhënë, do të propozoja që një 50 përqindësh i tillë do të ishte fort i pranueshëm po të përbëhej, bie fjala, nga regjisori dhe aktori i madh italian, Michele Placido (e ai është prononcuar paksa për Teatrin) dhe dramaturgu e regjisori i madh i shqiptarëve të Kosovës, Ekrem Kryeziu. I pari, Michele – aq i dashur edhe në Shqipëri – ngaqë di fort mirë se çka është një teatër, qoftë tradicional, qoftë i ri. I dyti, Ekremi – miku ynë aq i respektueshëm – ngaqë tash 50 e më vjet është i njisuar me botën e teatrit e të filmit. Madje ka dhe një pjesë të bukur, sado e vogël qoftë, të jetës së tij të lidhur edhe me Teatrin Kombëtar të Tiranës, qysh nja katër dhjetëvjetësha më parë. Ia ka prekë sadopak skenën, lozhat, sallën, hyrjen, daljen, publikun, duartrokitjet…

Kështu pra, nëse vërtet je kaq “altruist” apo “globalist”, ja ku t’i gjeta një italian dhe një shqiptar të Kosovës jo të paditur si ata që thërret ti, por si këta që po propozohen këtu, të cilët janë shumë më të ditur se ata të dy që ti i thërret apo që i thërrasin.

Po përse i thërret? Përgjigjja është krejt e thjeshtë: sepse përherë ata mbrojnë të gjitha çështjet, madje rregullisht, pa luejtë prej vendit, qeverinë e krerët e saj. Jo një herë të vetme, por përherë, përherë, përherë! Mundet që thirrja e pandalshme e tyre të jetë edhe punë shokësh e miqsh, përderisa edhe pse pa asnjë zotësi e kompetencë për kaq shumë çështje, ndodh që në këtë “talkshow” brenda jave ata thirren tash e parë. Madje, nga njëri TV në tjetrin. Ec e bindu mandej se punohet për hir të opinionit publik e popullit telespektator – teksa përsëritet deri në kulm mossinqeriteti, tash e parë edhe kjo “parullë”.

E pra, a vërtet duhet ruajtur përqindja e 50 përqindëshit të studios televizive në mbrojtje të qeverisë së sotme për të prishur Teatrin, e përbërë prej një italiani dhe një shqiptari të Kosovës? Të cilët nuk e kanë as idenë se çka ka qenë dhe çka është për qytetarinë tonë Teatri i Tiranës?…

Në të vërtetë, për këte, vetë ata nuk kanë faj. Faj kanë ata që i ftojnë, vërtet ndoshta ngaqë duan që nëpërmjet fjalës së tyre të një servilizmi emblematik (shembullor) të mbrojnë një rrënim qeveritar.

Nuk di a duhet krahasuar kjo me një servilizëm tjetër televiziv, ai i cili gati çdo ditë në emisionet qendrore të lajmeve, madje me një minutazh aspak të shkurtër, transmeton veprimtari krejt të parëndësishme e të vogla, të një interesi vetjak të njeriut të ngarkuar me detyrën e kryetarit të bashkisë!… Kjo dukuri, më saktë, kjo shpikje, duhet të bëjë xhiron e botës televizive si një shembull klasik i mosshërbimit ndaj opinionit publik. Dhe është një shpikje shqiptare.

Këto ditë, në kanalin “RAI Storia” kam përjetuar një rast gazetarie tejet mbresëlënës. Tema i përkiste historisë së luftës së Dardaneleve (Çanakala 1915). Emisionin e drejtonte gazetari dhe historiani i shquar Paolo Mieli. Ai kishte thirrur historianin e kësaj ngjarjeje, të mirënjohurin Alessandro Barbieri. Por për përballë tij kishte vënë tre historianë të rinj, mbase sapo të diplomuar. Të ditur jo pak edhe ata. Epiqendra ishte doemos Barbieri, i cili me kompetencë të plotë përimtonte luftën e Dardaneleve.

Ndërkaq, drejtuesi Paolo Mieli, në harqe kohore u drejtohej tre historianëve të rinj, të cilët nisnin pyetje me paksa koment të tyre për historianin e shquar Barbieri. S’kishte ku të shkonte më bukur. Ishte një ballafaqim i profesorit me ata që shpejt do të bëheshin profesorë. Nuk ishte punë kompetentësh për gjithçka si në Shqipëri…

BREZI YNË I RIKARD LJARJES…

E vërteta është se gjithë këto ditë, kur nuk po ndal çështja e zhdukjes së Teatrit Kombëtar, si asnjëherë tjetër nuk po ndalin shkrimet, sidomos në “Panorama”. Po ndihmojnë së tepërmi duke treguar forcën e gazetarisë dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të saj tek opinioni publik.

Qofsha i gabuar, por rrallëherë më ka takuar këto vite të fundit që çdo ditë, pa ndalur, të lexoj shkrime të këtij kalibri. Kjo do të thotë se po t’i japësh hapësirën që meriton, penda shqiptare e një gazetarie të ditur e atdhetare nuk paska mêhë.

E për një çast po më duket se edhe unë, një gazetar i vjetër, nuk kam diçka të re se çka të shtoj. Mirëpo, nuk qenka kështu. E shoh se kam diçka për të thënë edhe unë, sigurisht jo thjesht si një prej mbrojtësve të shkatërrimeve të tipit të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” apo Teatrit Kombëtar, për çka aq fort jam shprehur e kam kritikuar. Por edhe pse duke mos mëtuar të arrij te niveli i autorëve të shkrimeve të këtyre ditëve, të sipërpërmendur, ta shoh shkatërrimin e Teatrit disi duke devijuar e duke e pa si një ngjarje që sidomos ne, qytetarëve të vjetër të këtushëm, na e lëndon fort, na e prek fort shpirtin e një kujtese të pashlyeshme. Ashtu siç e tha aq bukur në “Panorama” autori Astrit Cana: “Teatri është një qendër psikologjike për ne”. Është zemër dhe shpirt qytetar, do të shtoja unë.

Për çudi, ndonjë episod që ka të bëjë me fisin tim më pat çuar qysh në fillim të viteve ’60, student i ri, deri në zyrën e drejtorit të Teatrit Popullor, siç quhej asokohe. Fisi im më kishte caktuar mua 19-vjeçarin “të guxoja” e të shkoja në zyrën e drejtorit të Teatrit Popullor, për të marrë një deklaratë për një njeri të afërm. Në mos gaboj, zyra ka qenë në ndërtesën tjetër, ate binjake ngjitur me ate të Teatrit. Drejtori ishte i paharrueshmi Xhemal Broja – intelektual i shquar i Shkodrës e Tiranës, ndër të parët e lëvizjes komuniste në Shqipëri, partizan i Luftës së Dytë Botërore për çlirim. E mandej dramaturg me peshë, mbi të gjitha një njeri i rrallë në modestinë, qytetarinë e nobilitetin e tij. Të gjitha këto, partia ia shpërbleu me internim.

Merret me mend se edhe ky takim i imi disi i parë me Teatrin Popullor, siç quhej asokohe, në kësi rastesh a kujtimesh shërben që të lidhet qytetari i Tiranës me emblemat e qytetit të tij që janë pikë referimi, që janë qendra të një bashkësie jetësore po qytetare. Dhe jetësia, po deshe thuaj rastësia, përveç situatës së pranisë si spektator shfaqjesh, edhe Teatri Popullor, më pas Kombëtar, për mijëra e mijëra njerëz mbetet një pikë referimi. Kahdo që ta marrësh. Në vetë shumanshmërinë e qytetarisë sonë, kujtesës sonë, historisë sonë. Qoftë edhe duke kaluar çdo ditë andej pari. E jo më të rastisësh se si ti djalë i ri, një ditë u ngjite deri te zyra e drejtorit, ndonëse jo për çështje dramash a pune. Edhe këto episode mbetkan të pashlyeshme në kujtesë…

Kisha me thënë se të krijon një lloj mërzie kur guxojnë të të flasin me një kompetencë absolute, me një vetëkënaqësi të papranueshme, njerëz të cilët nuk kanë nga ta dinë se çfarë ndjenjash të bukura të një estetike shpirtërore, nëse mund të shprehesha kështu, ngjall te qytetarët autoktonë e të hershëm të Tiranës, jo thjesht salla, skena, shfaqjet e pafundme të këtij Teatri. Por edhe mjedisi aty përpara, ku për bukur 27 muaj u ndodhën mbrojtësit e tij stoikë, të padorëzueshmit, me në krye tre musketierët që mbetën në histori: Edmond Budina, Neritan Liçaj, Robert Budina. Pa u përkulur asesi edhe pse përjetuan kapjet, goditjet, rrahjet, fyerjet e deri dhe prangat. Pa shkuar te zvarritjet përtokë deri dhe të gazetarëve (Lela) e aq më keq, deri dhe të vajzave protestuese!… Vetëm e vetëm sepse po mbronin Teatrin që studiuesja Lida Miraj – për përkim një bashkëpunëtore e rubrikës sonë shkencore të “Bashkimit” të viteve ’70 që mbuloja – tash, këtu në faqet e “Panoramës” përcaktoi kështu: “…Teatri Kombëtar ishte memoria e Tiranës, memoria e Shqipërisë…”

Dikur, duke filluar andej nga viti 1960, shpesh aty pari, dukeshim edhe ne të brezit tim. Aktorëve të mëdhenj që hynin e dilnin prej dyerve të Teatrit, ne nuk guxonim t’u afroheshim. Ngaqë emrat e tyre ishin Mihal Popi e Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka e Marije Logoreci, Kadri Roshi e Naim Frashëri, Besa Imami e Ndrek Luca, Sandër Prosi e Sulejman Pitarka, Violeta Manushi e Lazër Filipi, Prokop Mima e Marika Kallamata, Margarita Xhepa e Drita Pelingu dhe plot të tjerë…

Ne, të rinj, ishim aty për t’i admiruar ata nga larg. Përveç gjithë kësaj, më fort ne ishim aty për t’u takuar e për të diskutuar me shokët e brezit tonë, studentë e aktorë të ardhshëm. Më të afërtit për mua ishin Rikard Ljarja, Leka Bungo, Ramiz Rama, Bujar Kapexhiu, Agim Shuke, Andon Qesari – sa për të përmendur ata me të cilat rrinim më shumë. Bisedat, diskutimet midis nesh ishin të pafundme…

E këtu, vetvetiu më shfaqet një përkujtim, sot tejet prekës, me të paharrueshmin tonë, Rikard Ljarja – për fatin fort të dhimbshëm, i sapondarë nga jeta. Nuk mund të harroj kur papritmas, më 1961, diku aty afër sheshit të Teatrit, takova pra, Rikardin, bashkëmoshatarin tim të Shkodrës. E pyeta përse kishte ardhur në Tiranë. “Do të konkurroj për aktor, – më tha, – sepse po shoh shumë pengesa për të fituar një të drejtë studimi”. Shtanga. Edhe ngaqë Rikard Ljarja për mua ishte më tepër një fizarmonicist i mirënjohur në mjedisin tonë shkollor e rinor, sesa aktor. Po ndërkaq, e dija fort mirë pengesën biografike të tij. Pa shkuar te të tjerat, mbërrija te daja i tij, i mirënjohuri Anton Logoreci, i famshmi i BBC-së në shqip, publicist, shkrimtar, politikan. Kur kam qenë në Londër më 1989 me Kombëtaren, shtëpia e tij nuk ishte shumë larg hotelit tonë, siç ma tregonte me mllef, një shqiptar i Kosovës, tip enveristi.

Kujtoj takimin me Rikardin mbas kthimit nga Londra, ndërsa përjetoja jehonën befasuese të reportazhit të ndeshjes, për të cilin nuk guxoja të dilja në rrugë pa u ndalur për të marrë përgëzimet e lexuesve e miqve të mi për çka kisha shkruar. Edhe pse ishte një shkrim për një humbje 5-0 të Shqipërisë! Por ishte një reportazh që devijonte jo pak një skemë sportive. Ishte një reportazh për Londrën, Ipswichi-n, Anglinë… Kisha guxuar t’i largohesha disi skemës, sepse në fund të fundit, viti ishte shumë domethënës: ishte 1989. Tash nuk jam në gjendje të kujtoj nëse me Rikardin biseda është ndalë sidomos rreth pasazheve të atij reportazhi, si për shembull ky që si në një lloj paralelizmi me këto ditë të sotme të shekullit XXI, po e risjell autentik këtu:

“…Kalimi pranë Muzeut Britanik në Bibliotekën e të cilit Karl Marksi shkroi ‘Kapitalin’, si dhe ndalimi për disa çaste pranë varrit të tij në varrezat e vjetra të Londrës, qenë pa dyshim çaste krejt kuptimplote për ne. Nga ndërtesa e Akademisë, ku Çarls Darvini shpalli teorinë e tij të evolucionit, te rruga e vjetër e teatrove londineze, nga Sheshi i Trafalgarit ku ngrihet monumenti i lartë i fitimtarit, gjeneralit Nelson, te shtëpia ku ka banuar Çarls Dikensi; nga Monumenti i Zjarrit, përkujtues i djegies së 5/6 të Londrës më 1666, po që çuditërisht nuk shkaktoi vdekjen e asnjë njeriu, tek ura e famshme ‘Tauer Brixh’; nga lagjja ‘Sadhëk’ ku ka jetuar Shekspiri, deri te Teatri ‘Globe’, ku tragjediani i botës ka interpretuar si aktor; nga kështjella e Londrës e shekullit 11-12 e Rikardit dhe Uiljam Pushtuesit, te Muzeu i Mjekësisë ku më 1760, pra 50 vjet para anestezisë, doktor Xhon Hanter krijoi i pari kirurgjinë moderne; dhe së fundi, nga ‘Frimason Tavern’ ku 125 vjet përpara u vendosën rregullat e para të futbollit e deri te stadiumi ‘Wembley’ mbase disi ‘eksentrik’, ngaqë krahas evenimenteve të futbollit botëror dhe Lojërave Olimpike të 1948-ës, sot pret edhe garat e vrapimit të qenve (?), janë gjithsesi një mbushje, ai pasurim a lidhje me dy mbrëmje të mirëfillta sportive që japin plotmërinë e atij densiteti që mbartin këto 100 orë…”

Duke i risjellë këtu këto radhë datuar më 1989, vetvetiu po shoh se me kah të kundërt ato kanë pra, një paralelizëm me Tiranën e këtyre ditëve, ngaqë tregojnë se sa fort kanë ruajtur kombet dhe shtetet e mençëm. E ku për fat, paskam përmendur edhe teatro të vjetër e sidomos Teatrin “Globo” të Shekspirit. Ata, thuajse krejtësisht, veç kanë ruajtur. Ndonëse kanë aq shumë, saqë edhe po të shkatërronin, prapë mbeten me mijëra monumentet e kulturës së tyre kombëtare, historike e njerëzore. Krejt në kundërshtim me këte Tiranë të Shqipërisë së vogël “demokratike” të sotme, kaq arrogante që zhduk edhe nja dhjetë a dymbëdhjetë “kujtesa monumentale”, siç po më pëlqen t’i quaj, që kanë mbetur. Si për të synuar që të mos mbesë asgjë!

Natyrisht, kur u kthyem nga Londra, i fola Rikardit për dajën e tij Anton. E ai që përmallohej fort. Tek e vona, njëherë, me vështrimin e tij, doemos duke mos e fshehur asesi besueshmërinë ndaj meje, më tha: “Unë besoj se ti Besnik shkruan aty në shtëpi”. E kishte fjalën nëse shkruaja fshehtas ato çka nuk mund t’i botoja, çka unë nuk guxoja. Disidenca jonë, ndonëse nuk mund të quhet e tillë, qëndronte vetëm që Besniku i besonte Rikardit dhe se Rikardi i besonte Besnikut.

Rikard Ljarja do të bëhej numri 1 i kinematografisë shqiptare dhe bisedat tona, ashtu në takimet spontane së bashku me mikun e tij të paharrueshëm, dr. Ferit Hotin, djalin tim të tezes, të cilin unë e kisha si vëlla e më tej, nuk ndalnin asnjëherë në besueshmërinë midis tyre. Në kohë të frikshme e në kohë demokracie.

U ndanë të dy krejt papritmas nga jeta, duke na lënë kujtime të pashlyeshme. E ndërsa dr.Feriti, përveç kirurgjisë së tij jashtëzakonisht të suksesshme, shkoi deri te politika e deputetit e deri te studimet e tij për rimëkëmbjen e Shkodrës, Rikardi, përveç artit, shkoi deri edhe te librat e tij të një vërtetësie e konciziteti të rrallë. I vinte prej ndikimit të një qytetarie nobël dhe universale, asaj qytetarie që një ditë në Panairin e Librit ma blatonte si një kujtim të çmueshëm përmes autografit të tij, librin e tij “Kohë qensh”.

Me plot kujtime, kësisoj na hyn drejtpërsëdrejti edhe Teatri Kombëtar në jetën tonë…

Mirëpo, e patë se sa me pasion e egërsi deshtën ta heqin këte emblemë të vetë jetës qytetare të Tiranës. Nëse vërtet e kanë hequr, sepse beteja vazhdon, apo jo? A vërtet do t’ia arrijnë të na bëjnë që të na duket vetja të huaj në qytetin tonë?…

VIJON

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura