Heqja e mandatit të Kokëdhimës, zbardhen prapaskenat e votimit

May 10, 2016 | 8:24
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese i hoqi dje mandatin deputetit socialist Koço Kokëdhima. Përmes një vendimi të marrë dje nga nëntë anëtarët e gjykatës, 8 prej tyre e kanë vlerësuar të papajtueshëm me Kushtetutën mandatin e deputetit socialist, ndërsa vetëm një prej tyre, ishte kundër heqjes së mandatit.

Trupa e Gjykates Kushtetuese
Trupa e Gjykates Kushtetuese

“Panorama” zbardh emrat e gjyqtarëve që vendosën pro heqjes së mandatit, ndërkohë që i vetmi që ka votuar kundër ka qenë gjyqtari Sokol Berberi.

Menjëherë pas vendimit, Gjykata Kushtetuese e bëri publik atë dhe referencën ligjore, ndërsa zbardhja e tij pritet të bëhet në javët në vazhdim.

“Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkuesi, si dhe prapësimet e paraqitura nga subjekti i interesuar, në mbështetje të nenit 131/e të Kushtetutës, si dhe të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, VENDOSI: Konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Votat Pro
• Bashkim Dedja
• Vladimir Kristo
• Vitore Tusha
• Altina Xhoxhaj
• Fatmir Hoxha
• Gani Dizdari
• Besnik Imeraj
• Fatos Lulo
Vota kundër
• Sokol Berberi

KËRKESA

Deputetët e Partisë Demokratike i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim të nenit 70 të Kushtetutës në lidhje me mandatin e deputetit Kokëdhima, pasi sipas tyre, ai ishte në konflikt interesi për shkak të përfshirjes së tij në prokurime publike me kompaninë e tij “Abissnet”.

Sipas demokratëve, deputeti socialist ka përfituar fonde publike të paktën në 150 raste, kur ka lidhur kontrata me institucionet publike për shërbime interneti.

“Pranohet haptazi që deputeti Kokëdhima ka zotëruar aksione gjatë periudhës gusht 2013 – shkurt 2014, pavarësisht se ka qenë i mandatuar si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh në seancën e 20 prillit përfaqësuesi i deputetëve demokratë, Ivi Kaso.

Por deputeti socialist i mohoi akuzat, duke thënë se kompania “Abissnet” qe shitur prej tij para se ai të bënte efektivisht betimin si deputet, por Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi këtë argumentim. Sipas nenit 70 të Kushtetutës, deputetët nuk mund të kryejnë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit apo pushtetit vendor dhe nuk mund të përfitojnë pasuri shtetërore apo bashkiake.

Gjatë seancës së 20 prillit, kur gjykata dëgjoi palët, deputeti socialist u shpreh se ka besim te Drejtësia.

“Kam besim në gjykimin e vendimit tuaj. Kam ardhur me besim të plotë te Drejtësia. Përpara se të bëhesha deputet, kam dhënë dorëheqjen nga çdo funksion, prandaj jam në dispozicion të çdo shpjegimi. Nuk kam bërë dy gjëra, nuk kam prishur kontrata se kishin afat të përcaktuar, por nuk jam përfshirë në përfitime nga shteti. Është 2 mln lekë vlera totale e atyre 150 kontratave që më akuzojnë. Po kërkohet shkatërrimi i karrierës sime politike”, tha deputeti socialist gjatë seancës në Kushtetuese.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura