8 gjimnazistë në spital, pinë qetësues kundër drogës. Në hetim 16-vjeçarja që u shpërndau medikamentin

Feb 6, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Shkolla “7 Marsi” ne Tirane

Tetë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” u shtruan në Spitalin Toksikologjik për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga konsumimi i një lloj qetësuesi kundër efekteve që shkakton droga.

Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, rreth orës 17:00, në ambientet e shkollës “7 Marsi” në Tiranë, ku zhvillojnë mësim një pjesë e nxënësve të shkollës së mesme “Qemal Stafa”. Një nxënëse e vitit të parë, 16- vjeçarja me iniciale G.L., e cila është marrë në hetim nga Policia, dyshohet të jetë shkaktarja e kësaj ngjarjeje. Burime nga Policia e Tiranës thanë se adoleshentja ka konsumuar medikamentin e llojit “Titus” dhe më pas ua ka dhënë për ta pirë edhe 7 nxënësve të tjerë, shokë e shoqe të klasës së saj.

Pas disa orësh, 8 nxënësit kanë filluar të kenë probleme shëndetësore, të vjella dhe marrje mendsh e për këtë arsye janë dërguar me urgjencë në Repartin e Toksikologjisë në QSUT. Pasi kanë marrë mjekimet e nevojshme dhe mjekët janë siguruar që nuk kanë pasur rrezik për jetën, adoleshentët janë lejuar të largohen drejt shtëpive në mbrëmjen e së mërkurës.

Për ngjarjen është lajmëruar Policia e Tiranës dhe shërbimet e Komisariatit Nr.3 kanë nisur menjëherë hetimet për ngjarjen, duke proceduar penalisht 16-vjeçaren G.L. Nxënësit që u shtruan për mjekim në spital janë 15- vjeçarët me iniciale V. Dh., S. L., R. R. dhe E. N., si dhe 16-vjeçarët E. D., D. B. dhe A. P. Mjekët sqaruan se medikamenti që ata kanë konsumuar është një lloj qetësuesi që përdoret edhe nga personat që konsumojnë lëndë narkotike. Megjithatë, pritet që të sqarohet nga hetimet nëse nxënësit ishin apo jo përdorues droge.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura