Helidon Haliti, artisti në një dritë të re e të jashtëzakonshme. Kritika për ekspozitën e piktorit: Ajo ndahet në disa cikle

Apr 12, 2021 | 16:14
SHPËRNDAJE

HELIDON-HALITI.-PROMO-PIC-e1599580361862

ORMIRA LULANI*/ Ekspozita e Helidonit ndahet në disa cikle: ai i “Vetëportreteve”, “Femrave”, “Miqve” dhe përmbyllet me ciklin shumë të arrirë “Lojë Luftërash”, nga i cili u emërtua dhe kjo ekspozitë.

VETËPORTRETI

Vetëportretet janë të njohura si një motiv vizual për artistët. Ata përpiqen të kapin tiparet specifike të personalitetit të tyre. Është kështu edhe për artistin Helidon Haliti, por ai shkon edhe përtej kësaj. Do ta shohim atë në këtë ekspozitë në momente të ndryshme të jetës, herë të qetë, herë indiferent, herë të trazuar dhe dramatik, e herë në parehati me veten. Herë të tjera të shqetësuar nga vizionet e brendshme, që e ngacmojnë pambarimisht.

Helidon Haliti është një artist i fuqishëm, me stilin e tij unik, me një strategji absolute në prezantimin e identitetit dhe veprës së tij, me një ego të tijën personale për të sjellë gjithmonë diçka të re, asnjëherë i kënaqur me veten, gjithmonë kërkues, për të prekur atë të cilën akoma nuk e ka prekur kush, kërkim shpeshherë deri në dhembje, në vetëmohim, gjë që ndihet aq mirë te portretet që këtë herë Helidoni prezanton.

Ai vjen në këtë ekspozitë i vetëdijshëm për vlerën artit të vet, i gatshëm për të hapur para nesh një dritare të re, ku na fton të futemi brenda botës së tij, të panjohur më parë prej shumëkujt, për ta njohur ashtu siç është, pa zbukurime, pa luhatje, pa dyshime. Thjesht i fuqishëm. Tejet konsekuent ndaj veprës së vet.

Ai del përpara nesh i vërtetë, i plotë, i sigurt në artin e tij dhe pa frikë nga kontakti dhe paragjykimet e publikut. Vetëportretet e artistit vijnë natyrshëm në këtë ekspozitë, ku ai luan me identitetin e tij, duke na shpërfaqur të gjitha dimensionet e “unit” të vet, ku shohim karaktere, gjendje e situata të ndryshme, prej ku mësojmë më shumë mbi marrëdhënien që ai ka me veten. Ka vërtet diçka turbulluese në vetëportretet e tij, ato flasin, tregojnë historitë e tyre, eksperiencat, ndjesitë dhe gjendjet e artistit.

Pikërisht, vetëportretet duhet të tregojnë, sepse është shumë e rëndësishme t’u tregosh shikuesve rrugën e të kuptuarit, sepse një portret i mirë ka një histori të pasur të të tregojë. Mund të them me plot bindje se Helidoni është ndër portretistët kontemporanë më të mirë shqiptarë dhe fare pa hezitim që kjo ekspozitë mund të qëndrojë mrekullisht në çdo galeri.

Kjo shfaqje spektakolare e portreteve të çuditshme e rrënjësisht të vërteta na nxjerr përpara nesh një mjeshtër, me fuqinë për të ndryshuar konceptin mbi artin. Shpesh, vetëpotretet e Helidonit janë të pikturuara me ngjyra të errëta, me kontraste të forta, e mbase ky është reflektim i shpirtit të tij të trazuar. Ato janë të ngjeshura dhe duken si të skalitura.

Kjo është qartësisht e dukshme në portretet, të cilat bëhen më intensive dhe të thella. Vetëportreti “Egërsim i detyruar”, është një ndër veprat më të arrira të artistit, që tregon forcë dhe krenari. Artisti pozon në një pamje ku sheh drejtpërdrejt dhe me vëmendje shikuesin. Fytyra është e fortë, e vendosur dhe ekspresive; portreti përcjell një ndjenjë force të dinjitetit njerëzor.

E pikturuar me tonalitete të ftohta dhe me një sfond të errët që nxjerr më mirë në pah lëvizjet e penelit mbi portret, e bën këtë portret një masterpiece të Helidonit. Ai vjen si një artist që është i kujdesshëm në vëzhgimin e vetes dhe të detajeve kur portreti ia kërkon, unik në aftësinë për të zaptuar formën e ngjyrën dhe me aftësinë e tij prej mjeshtri e bën çdo skaj të punës të vibrojë.

Po të vesh re, te vetëportretet e Helidonit ndeshim në kontaktin sy me sy me shikuesin, herë të mbajtura tërësisht me të ngrohta që gjallojnë jetë, apo tërësisht me ngjyra të ftohta ku fytyra iluminohet nga një dritë e butë, që herë kalon mes për mes fytyrës së tij, ose herë përqendrohet rreth syve. Përveç notave dramatike, te portretet e tij ndesh edhe mjaft portrete me një buzëqeshje që përsëritet. Ndjen gjithashtu penelata që lëvizin lirshëm e të shpejta, që i japin portretit përshtypjen e një heroi, që të shikon në mënyrë të parezistueshme.

Vetëportreti i titulluar “The black light”, është një portret që të ngelet gjatë në mendje. Një portret që ndahet nga një dritëhije e fortë, ku drita nxjerr në pah formën e butë, por të sigurt, të një burri me hundën pak të zgjatur, me një shikim të përqendruar diku, me flokë të valëzuar, duke na dhënë një portret mjaft ekspresiv e plot jetë.

Çdo vetëportret është individual dhe i veçantë nga tjetri dhe kjo është e vërtetë te këto vepra, pasi Helidoni, siç e përmenda më sipër, ka shpërfaqur në këtë ekspozitë “unin” e tij në të gjitha dimensionet e personalitetit të vet shumëplanësh, prandaj janë të veçanta. Ai nuk e përdori fotografinë për vetëportretet, ato janë reflektime të imazhit të tij te pasqyra ku shohim me vërtetësi gjendjet e tij emocionale, ku pasqyrohet një meditim mbi vështirësinë e të parit të vetvetes.

Ai është vëzhgues i kujdesshëm i vetvetes, i ndryshimeve që ai pëson në kohë dhe varësisht situatave dhe ky është një fakt i rëndësishëm për artistin. Vetëportretet janë të pikturuara me një kolorit të përsosur. Si një mjeshtër i pjekur i penelit, ai skalit bukur formën, asgjë nuk kërcet në paletën e tij kromatike, por çdo detaj i veprës është i menduar dhe i studiuar mirë.

Asgjë nuk është e rastësishme, por e gjetur bukur, e mbajtur gjatë nga artisti, e megjithatë ato punime vijnë të freskëta dhe me një transparencë të jashtëzakonshme, të modeluara me nuanca delikate, dhe me një teknikë të pasur që i jep pikturës kaq shumë vlerë.

Këto portrete aq të ndryshme nga njëra-tjetra krijojnë një pazëll të mrekullueshëm që mbajnë firmën Helidon Haliti. Ai është një artist origjinal, shumë i vërtetë, një artist që nuk ndjek rregulla dhe që nuk ka frikë për atë që ai është dhe shpreh. Portretet e tij të mbajnë gjatë, gjithmonë kanë një gjetje të veçantë.

Sa herë kemi parë “Vajzën me Perlë” të Vermerit, të sjellë në forma të ndryshme nga artistë të ndryshëm dhe jemi emocionuar, por, aq origjinale dhe guximshëm sa Helidoni nuk besoj se e kemi takuar ndonjëherë. Në “Vetëportretin sipas Vermer”, shohim një vepër që na vjen aq bukur, e pikturuar guximshëm e mjeshtërisht, ku ai thyen çdo rregull dhe ka interpretimin e vet origjinal.

Në sytë e tij lexohet: Unë jam Helidoni, unë jam një ARTIST dhe e di se çfarë jam në këtë botë.

FEMRAT

Te cikli “Femrat”, Helidoni nuk është i prirur që të paraqesë femra të bukura, ai nuk trembet që të prekë e ndryshojë vazhdimisht punën, ai provon, kërkon, derisa të arrijë atë që ka në mendje dhe di të ndalojë aty ku duhet. Ai nuk e ka problem të shkojë deri në shkatërrimin e plotë të formës për t’i shërbyer idesë së tij, qëllimit të tij. Ai luan, krijon situata, te një portret vë në dukje vetëm sytë, te një tjetër buzët, më tej luan thjesht me disonancat, diku një dhi rri qetësisht mbi kokën e modelit duke krijuar një ngacmim perfekt.

Ajo është femra në mendjen e tij, aty ka dashuri, zemërim, dyshim. Ato janë ashtu siç ai i sheh, si një model perfekt për t’u pikturuar. Portretet e femrave te Helidoni janë të çuditshme, lajkatare, joshëse, hutuese. Helidoni luan shumë me ngjyrën në pikturat e tij.

Ai është një kolorist i lindur, që asnjëherë nuk ngelet tek efekti, por ngulmon shumë në kërkimin e saj, çka kuptohet nga fraktura që përdor. Shpeshherë, tavallozët me mbetjen e bojërave janë fillesa e një portreti. Helidoni eksperimentoi shumë gjatë viteve për të zhvilluar një stil artistik të tijin.

“MIQTË”

Te miqtë është një cikël shumë interesant, mbase dhe për faktin që shumë prej tyre janë dhe personazhe që i njohim. Janë portrete shumë të fuqishme dhe të pikturuara mjeshtërisht. Ai kërkon gjithmonë të gjejë detajet që i bëjnë individët të njohur menjëherë për veten e tyre dhe për të tjerët, duke kapur tiparet e tyre me karakteristike.

Janë portrete të gdhendura, ku edhe gjendja emocionale e personazhit lexohet më së miri. Portretet e kolegëve të tij artistë, si ato të Gazmend Lekës, Mikel Temos, Billi Mazrekut, Artan Markut etj., të mbajnë gjatë, ai vëzhgon dhe shprehet. Ndihem mirë që në ciklin e miqve të kësaj ekspozite, bëjnë pjesë edhe tri portretet që Helidoni më ka bërë përgjatë viteve 2018-2020.

Këto portrete vijnë kaq ndryshe nga njëri-tjetri dhe kjo sepse Helidoni gjithnjë niset nga ajo që e ngacmon në atë moment. Mbase ishte loja që drita krijonte, mbase raportet e ngjyrave, të cilat u bënë pikënisja e çdo gjëje, që u transmetua me aq emocion në ato portrete.

Portreti “Ori me kapele” është një portret me një kompozim mjaft të veçantë, koka është e vendosur poshtë, pak e përkulur që buzëqesh, sytë e rrumbullakët kanë gjallëri, një penelat e shpejtë bashkon flokët me kapelen dhe sfondi zë një hapësirë të madhe.

Ka një energji imponuese ky portret, një dritë e argjendtë mbingarkon imazhin. Hijet dhe i gjithë portreti kalon në nuancat e të kuqes së ndezur. Peneli që lëviz shumë shkathët, ravijëzon penelata energjike. Në portret ndihet një sens humori që i jep veprës më shumë jetë.

“Portreti me dhi” vjen komplet ndryshe, artisti punon me një penelat më të shqetësuar, vëmendja e tij përqendrohet më shumë te forma dhe te ngjyra, atij nuk i intereson më përqendrimi te ngjashmëria, tiparet vijnë të shtrembëruara, një sy që fshihet fare, syri tjetër i kuq vëzhgon me kujdes.

Tashti ti shikon me syrin e mendjes. Ai tashmë nuk pikturon më atë që është në fytyrë, por atë çfarë qëndron pas saj. Dhia e vendosur mbi kokë është simboli që e gjejmë në disa portrete, mbase është simboli i një femre gjithmonë në ikje, e vështirë për ta mbajtur.

Ky portret u mbajt gjatë në dorë, ndryshoi shumë herë dhe gjithnjë duke u rikthyer në gjendje befasuese e surreale. Helidoni në ciklin e portreteve që prezantohet në këtë ekspozitë del qartë si një mjeshtër i përdorimit të ngjyrës dhe formës për të përcjellë shprehjen emocionale.

“Ori në rozë”, është një portret që evokon qetësi. Këtu, Helidoni është më i kujdesshëm në raportet e ngjyrave, vetë koloriti që përdor nxjerr në pah butësi, ngrohtësi dhe mungesë tensioni. Është një portret që shpreh emocion, përmes të cilit artisti depërton në psikologjinë e personazhit. Portreti “Babai me maskë” është një nga portretet më të fuqishme të kësaj ekspozite.

Mënyra se si artisti tensionon penelatat në kuadratin piktorik duke punuar me shumë nerv e me ngjyra pastoze e potente, vjen si domosdoshmëri për të shprehur atë që ai ndjen brenda tij. E gjitha ç’ndjen në këtë portret duket si një përpjekje e jashtëzakonshme e birit për t’iu bashkuar asaj të të atit në luftën ndaj virusit… Portreti i të atit vjen i mbrojtur nga maska që nuk e mbrojti dot. Sytë e tij janë të fshehur pas syzeve, flokët të bardha me tone kafe dhe gri janë hedhur prapa dhe shkrihen me sfondin.

Maska zë një pjesë të madhe të fytyrës. Portreti rri i fortë, stoik. Ky portret mban brenda atë zërin e fortë të hidhërimit për ikjen e prindit, mikut më të mirë.

“LOJË LUFTËRASH”

Te seria “Lojë Luftërash”, eksperimentimi i Helidonit me këndvështrime të ndryshme dhe aftësia e tij për ta tërhequr shikuesin në dramën e veprës artistike është e pashembullt. Ai pëlqen të luajë me veten e futet në situata të shumëllojshme.

Pozon me kapele të formave të ndryshme dhe kjo është si një lojë e artistit me veten dhe me shikuesin. Ai luan me ekspresionin e shprehjes së tij, duke krijuar me anë të vetëportreteve autobiografinë e tij. Helidoni përdor ngjyrën, dritën, hijen dhe lëvizjen në lojën e efektit ajror, për të përfshirë shikuesin në veprën e tij.

Ngjyrat i përshtaten asaj që ai do të shprehë, shpeshherë fytyra iluminohet nga drita dhe herë mbulohet nga tonalitete të errëta, shpesh me ndriçim të fortë dramatik dhe grotesk, por ai është gjithnjë i vëmendshëm ndaj detajeve, të cilat i japin rëndësi shprehjes dhe ekspresionit të fytyrës. Kjo ekspozitë është si një autobiografi, historia e karrierës, jetës, gjendjeve shpirtërore, miqësive të Helidonit, e cila mund të kapet përmes portreteve dhe autoportreteve të kësaj ekspozite.

Helidoni është nga ata të rrallë artistë që e portretizuan veten e tyre me besnikëri të tillë siç di ai. Gjenialiteti artistik i Helidonit qëndron në fleksibilitetin e tij. Gjatë karrierës së tij artistike, ai nuk u kufizua në ndonjë stil të veçantë të artit ose ndonjë media. Ai është thjesht kërkues që evoluon vazhdimisht veten dhe artin e tij.

*Piktore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura