Hedh bombolën e gazit nga kati i 10, shpërthen makina

Jun 13, 2013 | 13:46
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës filloi dje hetimet ndaj një të riu, i cili ka hedhur nga dritarja një bombol gazi që rridhte, e cila ka shpërthyer në rrugë duke dëmtuar një automjet. Dyshohet se për të parandaluar shpërthimin në apartamentin e tij nga bombola e gazit, 20-vjeçari e ka hedhur nga dritarja duke i shkatërruar makinën komshiut. Incidenti ka ndodhur në afërsi të Rrugës së Kavajës në Tiranë, përballë ish-Parkut të Autobusëve. I riu Josif Maçi, i cili banon në katin e dhjetë të një pallati të ri, ka konstatuar erë gazi në shtëpinë e tij dhe më pas ka zbuluar se vinte nga një bombol e mesme gatimi, të cilën ka nxituar ta largojë për të parandaluar ndonjë zjarr të mundshëm. Duke dashur të shmangë shpërthimin, ai ka zgjedhur mënyrën më të shkurtër, duke e hedhur bombolën nga dritarja e apartamentit dhe, për pasojë, ajo ka rënë mbi një makinë që ishte parkuar poshtë, në anë të trotuarit. Burime nga Policia thanë se në momentin që ka rënë mbi kofanon e automjetit tip “Reno Clio”, ngjyrë gri, nga fërkimi bombola ka plasur duke shkaktuar dëmtime të pjesshme kryesisht në xhamat e makinës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr.2, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë në pyetje 20-vjeçarin që kishte shkaktuar incidentin. Ndërsa pronari i mjetit, i cili sipas Policisë është shtetasi me iniciale A. H., e ka zbuluar çfarë kishte ndodhur me mjetin e tij, vetëm pasi e ka thirrur policia për të bërë këqyrjen e makinës së dëmtuar. I dëmtuari nuk ka preferuar të denoncojë fqinjin e tij, pasi ka deklaruar se ishte një aksident që mund të zgjidhej mes palëve. Megjithatë, Policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj Josif Maçit, me akuzën e shkatërrimit të pronës, edhe pse nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes gjithçka ka rezultuar aksidentale. Nga ana tjetër, edhe vetë autori i këtij incidenti ka deklaruar se ngjarja ka qenë një aksident, që ndodhi pa ndonjë qëllim të caktuar, por thjesht për të shpëtuar apartamentin nga zjarri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura