“Hë Gjushi, hë vëlla. Ik pa merak”, zbardhet përgjimi i ri i Dakos me “Niçen” e Shijakut

Nov 2, 2018 | 11:19
SHPËRNDAJE

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka pasur komunikime të vazhdueshme me Altin Avdylaj (Niçja), një prej personave të arrestuar nga Policia e Shtetit gjatë operacionit “Vol-vo 4” .

Vangjush Dako
Vangjush Dako

Pas përgjimeve të publikuara një javë më parë ku kryebashkiaku i Durrësit rezulton të komunikonte para dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 me Altin Avdylaj, emisioni “Të paekspozuarit” në Neës 24 ka publikuar përgjime të reja nga dosja 339/2016 ku sërish Dako dhe “Niçja” komunikojnë mes tyre.

Bëhet fjalë për një përgjim të datës 20 shkurt të vitit 2017, saktësisht biseda është zhvilluar në orën 17:26. Në përgjim sipas TPZ përfshihet kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, teksa komunikon me Altin Avdylin (Niçja), dhe i premton se do t’i zgjidhë diçka, prandaj nuk duhet të merakoset.

Biseda mes Dakos dhe Avdylit zhvillohet me tone mjaft të përzemërta. Në dy episodet e përgjimeve të publikuara një javë më parë, Dako është përgjuar para dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Në një përgjim, dy ditë pas zgjedhjeve të qershorit, pra, më datën 27 qershor 2017, Vangjush Dako telefonon Altin Avdylin dhe kërkon të flasë me Astrit Avdylin, i konsideruar si kreu i grupit të Shijakut.

Ky i fundit nuk ndodhej, por Dako i thotë Altinit, të cilin e thërret me emrin “Niçe” se donte ta falënderonte Astritin. Duke qenë se biseda kryhet dy ditë pas zgjedhjeve, krijohen dyshime se bëhej fjalë pikërisht për to. Ndërkohë, në një bisedë tjetër telefonike, e zhvilluar më 24 qershor 2017, një person i telefonon Altin Avdylit dhe i thotë se ka një familje me gjashtë persona dhe përmend emrin e Vangjush Dakos.

Edhe në këtë bisedë, krijohet një dyshim se flitet për vota, por megjithatë nuk ka asnjë gjë zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në fund të bisedës, bashkëbiseduesi i thotë Altin Avdylit: “Thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek që të votojnë”.

PROCESVERBALI

Në Tiranë, muaj Maj, viti 2018 data 23, unë…….oficer i Policisë gjyqësore pranë Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, mbaj këtë procesverbal për transkriptimin e përgjimeve të bisedave telefonike të përgjuara nga numri celular, 0698967765, i vënë në përgjim me vendimin të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë me nr.632, 31.07.2017, për interes të procedimit penal nr.339/1 viti 2016. Data ora Inizio=20/02/ 2017 17:26:24 Data ora Fine=20/02/ 2017 17:26:45

PËRGJIMI

0698967765: Hë Gjushi

069209930: Hë Niçe

0698967765: Hë vlla

069209930: Hë se jam duke folur me atë, mos e ki merak, çke ti, o nesër, këto ditë do ta mbaroj unë mos e ki merak

0698967765: E të lutem

069209930: Ik pa merak

Analisti Andi Bushati, i ftuar në studo, u shpreh biseda e publikuar në “Të Paekspozuarit”, tregon se mes Dakos dhe Avdylëve ka një afrimitet që zgjat shumë muaj në kohë. Kjo, shtoi ai, rrëzon deklaratat e kryebashkiakut të Durrësit bërë më herët se, komunikimi i Dakos me anëtarët e bandës Avdyli, nuk vjen si pasojë e afrimitetit me ta, por se kështu bën me cdo qytetar në kohë fushate.

“Biseda e parë është, ‘na duhen ca lek se janë zgjedhjet’. Biseda e dytë është, ‘doja ta falenderoja se mbaruan zgjedhjet’. Pasi dalin bisedat, del Dako në Opinion dhe thotë, unë me zgjedhësit flas. Jemi në Qershor 2017. Biseda e sotme, është e shkurtit. Duke qenë biseda e shkurtit dhe tregon të njëjtin afrimitet. Një njeri që do të zbulojë të vërtetën, thotë pse gënjeu Dako në Opinion”, tha Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura