Haxhinasto kërcënon “AKTOR”-in: Mund të ndërpritet kontrata

Aug 1, 2015 | 13:24
SHPËRNDAJE

Përplasja mes Ministrisë së Transporteve dhe kompanisë greke “Aktor” ka marrë një tjetër përmasë kohëve të fundit dhe dje duket se ka kulmuar edhe me një deklaratë të fortë.

Ministri Edmond Haxhinasto u shpreh se në autostradën Tiranë-Elbasan nuk po punohet me ritmet e duhura dhe se ekziston mundësia që qeveria të ndërpresë kontratën me kompaninë greke dhe të përfundojë projektin me një kompani tjetër.

Ministri Edmond Haxhinasto
Ministri Edmond Haxhinasto
“Ne sigurisht që jemi duke e bërë punën tonë, duke marrë masat tona, tashmë ka një ekip të përforcuar për projektin Tiranë –Elbasan, i cili është duke gjetur zgjidhjet më optimale, por nuk përjashtojmë edhe përfundimin e kontratës me kontraktorin aktual, dhe realizimin e përfundimit të punimeve me një kompani tjetër, gjë e cila do të ndodhë sipas procedurave ligjore. Pra nuk e them këtë as për të intimiduar ndonjë kontraktor as kërkënd tjetër, por po them që në Shqipëri ka përfunduar koha që kompanitë mund të vijnë dhe të bëjnë gallatë me paratë e shtetit shqiptar dhe me paratë e qytetarëve”, tha Haxhinasto.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për vonesa të kësaj natyre dhe kompania nuk po punon me ritmet e duhura. Duke iu referuar rrëshqitjes së dheut në pjesën ku kalon ky projekt, ministri tha se kjo vjen për arsye të projekteve defektoze që në fillim.

“Vepra nuk është bllokuar, por po punohet jo me ritmet e duhura dhe të paplanifikuara, pavarësisht ngjarjeve të paparashikuara që kanë ndodhur, dy rrëshqitjeve masive të këtij projekti, besoj që simptomat e projektit Tiranë- Durrës janë simptomat e projekteve në përgjithësi në Shqipëri, me studime shumë defektoze, me zgjidhje teknike të çuditshme dhe të papranueshme, me angazhime të kompanive që fitojnë tenderët, do të thosha në mënyrë përsëri të çuditshme, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër”, tha ministri.

Deklaratat, ministri Haxhinasto i bëri gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e impiantit të ujërave të përdorura të Tiranës së Madhe. Ky projekt ka një kosto 72 milionë dollarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura