Haxhi Kroi: Si u godit Pirro Dodbiba, borgjezi që kishte mohuar nënën e tij

Aug 20, 2014 | 13:37
SHPËRNDAJE

HAXHI KROI (NE KEMBE) DUKE DREJTUAR NJE MBLEDHJE TE APARATIT TE KOMITETIT QENDROR KU MERR PJESE EDHE ENVERI
Ditari i shefit të kabinetit të kreut të regjimit

“Na e deshi puna që për dy javë rresht kabinetin e Enverit ta ngrinim te vilat e udhëheqjes në Vlorë”

“Kujdeset për të posaçërisht profesor Miliezi, miku i Shqipërisë”

“Djali i Enverit, Sokoli dy muaj në Paris për mjekim”

…vijon nga numrat e kaluar
Goditja e Pirro Dodbibës, ministrit më jetëgjatë të Bujqësisë në regjimin komunist, ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të vitit 1976. Mënyra si e ka dokumentuar këtë histori Haxhi Kroi në ditar është gati e njëjtë me atë të dramave të tjera të ish-liderëve komunistë, viktima të fushatës së spastrimeve të viteve ’70. Sidoqoftë, vëren njeriu diskret i Hoxhës, Dodbiba nuk pati deri në fund fatin e armiqve të tjerë në kulturë, ushtri e naftë(!). Gjithçka ka nisur, sipas tij, me porosinë e Enverit për të ngritur në këmbë organizatën e Partisë së Ministrisë së Bujqësisë “për të vënë me shpatulla për muri ministrin borgjez e mendjemadh”. Për ditë e javë të tëra pastaj vartësit e Dodbibës, nën drejtimin e Mito Bozos, shefit të Bujqësisë në KQ, kanë diskutuar deri në mesnatë, për të argumentuar veprimtarinë armiqësore dhe prirjet vetadministruese të tipit jugosllav të ministrit antiparti. Prej këtej, çështja e zbuluar rishtas ka shkuar në organet drejtuese të Partisë. Shefi i kabinetit të Enverit ka hedhur me detaje mbledhjen e Byrosë Politike, që ka finalizuar goditjen ndaj ministrit antiparti. “Udhëheqja, shkruan Kroi, duke iu referuar mbledhjes së Byrosë Politike të 24 prillit 1976, i bëri thirrje Pirro Dodbibës të reflektonte për gabimet, por ai bëri një ‘autokritikë’ të shpëlarë sa për të kaluar radhën. Ky ish-borgjez, megjithëse në Parti për mbi 30 vite, prapë ka mbetur i tillë, një borgjez mendjemadh, po Partia i çori maskën, duke i treguar vendin si gjithë armiqve të tjerë”. Në zemëratë e sipër, shefi i kabinetit të Hoxhës, që nuk përmend asgjë konkrete nga shkeljet e “ministrit borgjez”, por vetëm perifrazimet stereotip të dëgjuara për viktimën e radhës në zyrën e shefit të tij, nuk harron t’i kujtojë “investimin” e jashtëzakonshëm që ka bërë Partia për të. Madje ky është momenti, ku Kroi, i shquar “për devotshmëri si askush ndaj njëshit të Partisë”, shpërthen në urrejtje ndaj njeriut, që vetëm pak kohë më parë e ka vlerësuar me konsideratat më të larta. “Harram i qoftë kujdesi i shokut Enver, i drejtohet Dodbibës, harram i qoftë kujdesi i njerëzve të Partisë, që gjatë Luftës Çlirimtare e strehuan, e ushqyen dhe i lanë morrat sa e sa herë”. Në monologun kundër “ministrit bukëshkalë”, “truri” i kabinetit të Hoxhës sjell edhe një detaj tjetër që aty për aty të duket i pabesueshëm, por gjithsesi interesant. “Ky njeri borgjez, shkruan Kroi për Dodbibën, nuk i shkoi nënës asnjëherë në shtëpi sa ishte gjallë”. Ajo që ndodhi pas kësaj me ministrin e martirizuar në mbledhjen e Byrosë Politike, nuk përfshihet në ditar, po Kroi diku në shënimet e tij bën të ditur se bashkë me familjen u internua në Llakatund të Vlorës, në një nga ato dhjetëra kampe internimi, që regjimi rezervonte për armiqtë e klasës…

Ditari i vitit 1976
E shtunë, 7 shkurt 1976
Shoku Enver u dha shokëve Hysni, Haki e Ramiz komentin që ka përgatitur mbi intervistën që tradhtari Tito i dha disa ditë më parë gazetares jugosllave, Dora Jankoviç.

E diel, 8 shkurt 1976
Sot shoku Enver nuk doli në zyrë se ishte shumë ftohtë.

E hënë, 9 shkurt 1976
Shoku Enver doli shpejt në punë. Më tha që nëpërmjet Taqo Lamanit t’i dërgoja telegrafisht urime Liljanës dhe Sokolit me rastin e ditëlindjes në emër të tij, të së shoqes Nexhmijes dhe Valbonës. I njofton me këtë rast se Valbona është mirë dhe i uron që të kthehen shëndoshë e mirë në atdhe. Çfarë kujdesi, çfarë vëmendje shembullore, me gjithë preokupacionet e mëdha, shoku Enver mendon edhe për gjërat e vogla intime të familjes.

13 shkurt 1976
Sot shoku Enver i drejtoi një letër shumë të ngrohtë mikut të Shqipërisë, kryetarit të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri, Paul Miliezi, profesor mjekësie, ku e falënderonte për kujdesin që ka treguar për shërimin e Sokolit.

14 shkurt 1976
Shoqja Nexhmije na solli 7 defterë me ditarët e shokut Enver të vitit 1972. Ajo më tha të kem kujdes veçanërisht për vëllimin e tretë, ku ka disa vlerësime delikate, prandaj atë ta punoja vetë dhe të mos ia jepja njeriu. Në këtë moment doli nga zyra vetë shoku Enver dhe u afrua pranë nesh. Shoqja Nexhmije i shprehu mendimin e saj dhe ai ra dakord, pastaj më tha: “E kemi vajzë të mirë Vaicën”. Ajo ka mbi 20 vite që punon këtu, ia ktheva dhe asgjë nuk ka dalë për të deri më sot. U interesua për familjen, burrin, i fola se janë njerëz të mirë e të sigurt për Partinë. U largua i kënaqur, pasi më la porosinë që Vaica çdo ditë kur të mbarojë punë, të m’i lërë mua materialet. Në orën 12:00 hyri për punë shoku Ramiz.

E martë 17 shkurt 1976
Shoku Enver doli në zyrë në orën 9 e 50 minuta. U largua në orën 12 e 10 minuta. Pasdite shoqja Nexhmije u interesua për dhuratat që princi Sihanuk dorëzoi për shokun Enver në vizitën e fundit që bëri në vendin tonë.

20 shkurt 1976
Shoku Enver doli në zyrë në orën 9:00. Sa erdhi, na dha dorëshkrimin e pambaruar prej dhjetëra faqesh për t’ia redaktuar e daktilografuar. Në orën 9:30 thirri Jetën për ta vazhduar këtë punë, që ka të bëjë me revizionizmin francez.

E premte 27 shkurt 1976
Doli në zyrë në orën 9:45. U interesua për fjalën që mbajti dje në mbledhjen e Byrosë Politike dhe porositi që ndryshimet që bëri atje, të reflektoheshin dhe pastaj ta shikojë vetë. Një moment më tha se shoqja Nexhmije i ka treguar se kemi një shoqe tjetër të re stenografe, prandaj meqë Jeta po kontrollon fjalimin e djeshëm për shkresat, të vijë ajo. I njoftova të dyja. Pas 10 minutash, shoku Enver kërkoi Ksanthullën, e cila, natyrisht, si hera e parë ishte shumë e emocionuar.

E martë 2 mars 1976
Shoku Enver doli në zyrë në orën 8:50. Pasi referova çështjet korrente, lashë shokun Vahid në zyrë dhe shkova për të marrë pjesë në mbledhjen e Arkivit Qendror. Mbaruam aty nga ora 12:00. Kur u ktheva në zyrë, shoku Enver kishte dalë, se e kishin njoftuar që ishte duke ardhur aeroplani që sillte Sokolin, që kishte qenë për vizitë mjekësore në Paris që në datën 20 janar.

E mërkurë 3 mars 1976
Shoku Enver sot nuk doli në zyrë.

E martë 9 mars 1976
Gjithë këto ditë shoku Enver nuk ka dalë në zyrë. Siç më tha shoqja Nexhmije, ishin nisur me pushime dimërore në Vlorë dhe koha ishte shumë e përshtatshme, sidomos tek Uji i Ftohtë, vend i mrekullueshëm. Por, siç duket, shoku Enver është i sëmurë. E pyeta shoqen Nexhmije për shëndetin e shokut Enver dhe më tha se i ka dalë një puçërr si ajo e mjekrës në hundë dhe po e mjekon me antibiotikë, por është mërzitur shumë.

E premte 12 mars 1976
Pas një jave pushim, shoku Enver doli në zyrë. Në faqe kishte një puçërr të aktivizuar. Dukej i lodhur. Buzëqeshi dhe më dha dorën me shumë ngrohtësi. E pyeta për shëndetin. Më tha se më ka dalë një puçërr brenda në hundë që po e mjekoj, po nuk më shkon. Po vallë puçrra ta mundojë kaq shumë shokun Enver?!

E hënë 15 mars 1976
Shoqja Nexhmije më thirri në shtëpi për të më dorëzuar ditarët e shokut Enver të vitit 1973. Shoku Enver më pa rastësisht dhe më pyeti si kaloi festa. Një ditë më parë, unë kisha qenë për festën e Mashkullorës në Gjirokastër. Në orën 10:00 shoku Enver u nis familjarisht për në Vlorë.

25 mars 1976
Sot u mblodh sekretariati i KQ, për të vënë përpara përgjegjësisë shokët e Sarandës lidhur me një artikull jo korrekt me vijën e Partisë për çështjen e minoritetit. Më bëri shumë përshtypje qëndrimi i sekretarit të parë, Jordan Panos, që me gjithë përgjegjësinë që kanë për shkeljen e vijës së Partisë, as që priste të mbaronin pyetjet e shokëve sekretarë dhe shpesh ua priste fjalën në mes. Shumë të durueshëm u treguan shokët, sidomos shoku Hysni. A nuk është kjo një shenjë prepotence? Kur me udhëheqjen mban një qëndrim të tillë shoku Jordan Pano, po me shokët paralelë dhe ca më tepër me vartësit? Si duket i pëlqen mendja e vet dhe duhet të jetë arrogant e mospërfillës me njerëzit.

31 mars 1976
Më njoftuan me telefon nga Vlora se nesër pasdite, në orën 18:00 duhet të jetë atje Jeta. Kuptova që duhet të ketë punë. E pyeta, po Murati me qendrën e zërit duhet të vijë? Më thanë se nuk ka nevojë, por duhet të vish ti ose Vahidi. Kur thirra Jetën, e pashë që fliste me hundë, si duket ishte me grip. Në këto kushte, megjithëse ia komunikova detyrën, mendova të merrja Myzejenin, e cila më tha se nuk ka grip, por është ftohur gjatë transportimit të plaçkave të shtëpisë që ndërroi. I thashë Myzejenit që duhet të jemi të sigurt dhe të nisemi nesër bashkë për në Vlorë. Myzejeni u ndrydh pak, duket se mos mendoi keq Jeta për të, ose se mos shqetësohet që pse nuk marrim atë. Pavarësisht se shoqja Nexhmije kërkoi Jetën, mora vetë përgjegjësinë dhe porosita Myzejenin të bëhet gati. Jetës i thashë se do ta shpjegoj çështjen dhe kam besim se ajo do ta kuptojë drejt këtë masë në interes të ruajtjes së shëndetit të shokut Enver. Por edhe po nuk e kuptoi drejt, pak punë na prish. Dhe vërtet kur thirra Jetën dhe ia shpjegova arsyet përse nuk do të marr atë, por Myzejenin, ajo e kuptoi drejt dhe nuk shprehu asnjë pakënaqësi.

1 prill 1976
Pasdite, në orën 14:00 u nisa me Myzejenin për në Vlorë. Arritëm në orën 16:30. Qëndruam me Sulon, i cili na shoqëroi deri afër orës 18:00. Në orën 18:00 na thirri shoku Enver në dhomën e bukës. Ai i diktoi Myzejenit materialin mbi takimin që kishte bërë në Tiranë me shokët Haki Toska dhe Shinasi Dragoti lidhur me disa ide të tij për një organizim më të mirë të punëve në ndërtim. Kjo zgjati gati dy orë. Pastaj ne u larguam dhe shkuam në Komitetin e Partisë së Vlorës. Aty siguruam materialet në kasafortë dhe hëngrëm darkë.

E premte 2 prill 1976
Në orën 10:30 shoku Enver priti në vilën e tij në Ujë të Ftohtë shokët kryesorë të KP dhe disa kuadro të pushtetit, të organizatave shoqërore dhe drejtues të kooperativave të rrethit Vlorë. Shoku Enver u foli atyre mbi tri orë. Kur u larguan ata, shoqja Nexhmije më ndaloi dhe më komunikoi disa porosi të shokut Enver për t’i trajtuar në shtyp. Pasi t’i përgatisin shokët e Partisë, më tha ajo, t’ia çoja t’i shikonte edhe ajo.

E shtunë 3 prill 1976
I dhashë shoqes Nexhmije disa materiale që ka përgatitur Vahidi lidhur me disa takime që ka pasur shoku Enver me Stalinin..

12 prill 1976
Sot, pas katër javësh pushim, shoku Enver doli në punë. Është çlodhur dhe freskuar dhe kjo na gëzon pa masë.

13 prill 1976
Përgatitëm me Ksanthapinë dy letrat që porositi shoku Enver. Njërën për Vangjel Dragotin, që i dërgoi disa kujtime për Hysen Hoxhën dhe një letër përgjigje për 13 tipografë veteranë. Në orën 13:00 u fut në zyrë të shokut Enver shoku Ramiz. Pak më parë e mori në telefon Jashar Menzenxhiu nga Elbasani.

14 prill 1976
Sot shoku Enver u vonua më shumë se zakonisht duke punuar në zyrë. Prandaj, në orën 13:00 më pyeti shoqja Nexhmije nëse ka njeri te shoku Enver. E njoftova që jo (më herët, aty nga ora 10:00 në zyrën e shokut Enver kishte qenë shoku Hysni). Atëherë ajo e mori vetë në telefon. Pas pak, shoku Enver doli nga zyra dhe më tha: “Ku të lë rehat Nexhmija të punosh! Më mori në telefon dhe më kritikoi që u vonova në punë”. Unë që shkruaja dhe s’e pata mendjen te ora, megjithatë e gënjeva. U, i thashë, më paska mbetur sahati. Si më tha këto, shoku Enver doli duke qeshur.

E enjte 15 prill 1976
Në orën 12:00 shoku Enver më porositi të njoftoja shokun Kadri dhe ai erdhi për pesë minuta.

E shtunë 17 prill 1976
Shoku Enver priti në takim shoqen Lenka Çuko, Takimi filloi në orën 9:30 dhe përfundoi në orën 11:40.

E shtunë 24 prill 1976
Më mori në telefon Thoma Deliana dhe kërkoi t’i thosha shokut Enver se donte ta takonte. Shoku Enver nuk e pranoi.

E hënë 24 prill 1976
Sot u bë mbledhja e Byrosë Politike. Sipas rendit të ditës, udhëheqja i bëri thirrje Pirro Dodbibës nëse kishte reflektuar për gabimet e bëra. Pirrua bëri leximin e një farë “autokritike” të shpëlarë sa për të kaluar radhën, por sharra i ngeci në gozhdë çeliku. Sa ka parë të tillë Partia jonë! Ky ish-borgjez, megjithëse në Parti për mbi 30 vite, prapë nga mendimet dhe veprimet mbeti një borgjez mendjemadh. Harram i qoftë kujdesi i Partisë këtij njeriu, që deshi t’i vinte kazmën ndërtesës madhështore të ndërtuar me gjak e djersë nga populli nën udhëheqjen e Partisë, me shokun Enver në krye! Harram i qoftë kujdesi i njerëzve të Partisë, që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e strehuan, e ushqyen dhe i lanë morrat sa e sa here! Ky njeri borgjez nuk vinte ndonjëherë në shtëpi të shihte nënën sa qe gjallë.

vijon…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura