Hasan Luçi: Si e kam njohur Kadarenë, nga gjimnazi në Paris

Jun 28, 2017 | 14:06
SHPËRNDAJE

Për vite me radhë ai ka qenë një nga njerëzit kryesorë të shërbimit zbulues jashtë Shqipërisë. I veshur si diplomat, Hasan Luçi do të informonte shtetin komunist mbi gjithçka që ndodhte në zemër të Europës, në Francë apo Belgjikë. E megjithatë, ai ishte edhe punonjës i Ambasadës Shqiptare në vendet përkatëse dhe si i tillë do të kryente edhe detyrat e shërbimit konsullor, të shtypit e të kulturës, që i ngarkoheshin si ish-sekretar i tretë dhe i parë.

Takime me intelektualë, botues e shkrimtarë për të promovuar literaturën shqiptare, për të hapur ekspozita, për të pritur e përcjellë njerëz të kulturës, që kishin fatin të shkonin në Francë, apo edhe për të përmbushur kërkesat dhe porositë e familjeve të ish-Bllokut komunist, në veçanti të diktatorit, Enver Hoxha. Ka kaluar shumë kohë që atëherë. Tashmë, Hasan Luçi është 81 vjeç dhe i është kushtuar shkrimit të kujtimeve e botimit të tyre. Ka botuar 16 libra deri më tani dhe po aq janë në pritje. Më i fundit është libri me kujtime “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja”, ku tregon për vitet e qëndrimit të tij në Francë në vitet 1961-1968 dhe 1972- 1977.lajmi_1379392733

“Vajta në Paris, kur u shpall prishja e PPSH-së me ish-kampin socialist, pasi u mbajt raporti i E.Hoxhës në Kongresin e IV, nëntor 1961. Më parë diplomatët tanë kishin ndihmesën e selive të vendeve mike socialiste për çështje diplomatike e teknike-administrative të funksionimit të përfaqësive. Po kështu ata kërkonin ndihmesën edhe në fushën informative, duke vajtur secili diplomat te kolegu i vet sovjetik apo të ish-Demokracive Popullore.

Selitë e Traktatit të Varshavës organizonin edhe festa të përbashkëta, piknike, mbrëmje vallëzimi, vizita turistike, ditë pushimi në oqeanin Atlantik, gjueti etj. Kishte jo pak raste që diplomatët tanë kalonin edhe natën në të ashtuquajturat kala- rezidenca ose vila të sovjetikëve brenda e jashtë Parisit. Veç kësaj, u prishën edhe marrëdhëniet e PPSH me PKF dhe me shoqatën e miqësisë Francë-Shqipëri, që ishte nën tutelën PKF. Kështu, mua si i ri, m’u desh të kërkoja dhe të zija miq të rinj, pa harruar ata që mbeteshin miq të Shqipërisë pas prishjes, por sidoqoftë duheshin miq pluralistë e jo vetëm ideologjikë. Prishja me Kinën krijoi tensione të reja me një pjesë të miqve dhe të shoqatës së re franko-shqiptare, por unë përjetova vetëm fillimin se u ktheva në atdhe…”, shkruan Hasan Luçi në librin e tij.

Qëllimin e emërimit të tij atje e shpjegon si më poshtë: “Në janar 1972 u emërova si këshilltar nga sekretariati i KQ të PPSH, por nuk doli urdhri përkatës dhe kjo gradë diplomatike nuk mu njoh zyrtarisht sa qëndrova në Paris (1972-1977), megjithëse në dosjen personale jam këshilltar deri më 31.08.1977, në fakt diplomacia ishte mbulesë për rolin tim si zbulues politik i atdheut, prandaj kishte mospërputhje mes MPB e MPJ, në trajtimin e kuadrit, pasi MPJ mbante vendet kryesore në seli”.

Mes shumë ngjarjesh, takime me personalitete, organizime aktivitetesh, tregon edhe për botimin e letërsisë shqipe në Paris, që përfaqë- sohej më së shumti nga vepra e Ismail Kadaresë. Luçi tregon si e ka njohur Kadarenë që në vitet e gjimnazit, në aksionet e ndërtimit të socializmit e më pas gjatë vizitave të tij në Paris për botimin dhe promovimin e veprave të tij, fillimisht “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, vijuar nga “Kështjella”, “Dimri i madh” etj. Luçi tregon raportin me shkrimtarin e madh, çfarë i pëlqente dhe jo tek ai.

ISMAIL KADARE GJATE NJE PRITJEJE NE AMBASADE
ISMAIL KADARE GJATE NJE PRITJEJE NE AMBASADE

NGA LIBRI

Mbi botimin dhe përpjekjet për filmat e veprave të Ismail Kadaresë në Francë

Para se të shkruaj për punën time si mbështetje e fuqishme, veç shokëve të tjerë të ambasadës sonë e kryesisht të J. Malos, për të botuar veprat letrare në prozë e poezi të këtij shkrimtari të letrave shqipe, po shkruaj shkurt në parantezë si jam njohur me të. I.Kadarenë e kam njohur në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ishim në klasë paralele, në vitet 1951-1955. Që në vitin e parë edhe unë merrja pjesë në rrethin letrar të poezisë, ku ishin edhe D. Agolli, A. Shehu, B. Harxhi etj. Atje lexonim poezitë tona, por unë s’po arrija t’ua mbushja mendjen. Një ditë i kërkova Ismailit ta lexonte një vjershë timen. Ai e lexoi shpejt dhe më tha: Ti e ke kopjuar nga unë, por prapë nuk vlen fare! Nuk ia mora për keq se kisha pak kohë që e njihja, por duket dielli që kur lind. Ai qe individualist që atëherë, rrinte vetëm, dukej se i pëlqente vetëm vetja, kur qeshte ai s’nxirrte zë, por ngërdheshej.

Unë iu dhashë më shumë leximit të librave jashtëshkollorë dhe u lavdërova për këtë punë gjatë viteve të gjimnazit nga biblioteka e qytetit. Shkruaja mirë hartimet, por Bashua (Thoma Papapano), siç e thërrisnin, më vinte nota të mira, se qe shumë e zorshme të të jepte gjë pa e merituar, ai qe virtuoz i gjuhës shqipe, shpjegonte mirë, qartë, kuptueshëm. Për atë që ishte i dobët në gjuhën shqipe, sidomos në gramatikë, ai i thoshte: “Po dëgjuan edhe miret (në kuptimin që mësuan edhe muret gramatikë!”, jo ju! Më vonë u mora me gazetën e murit të shkollës.45458787

Herë pas here, siç bëja që në shtatëvjeçare, dërgoja ca poezi e tregime të shkurtra humoristike në Tiranë, por asgjë e botuar. Nuk arrita dot gjë në fushën e letrave. Më vonë nuk bëra përpjekje për botime publike deri në vitet ’80 edhe për arsye të punës sime. Po me I.Kadarenë ishim vullnetarë edhe në rrugën e Dritës në korrik të vitit 1952, në kantierin e Ferr Shkopetit në Mat. Ismaili qe më i dobët me shëndet se unë, punoja me kazmë e lopatë në hapjen e trasesë së rrugës se isha mësuar në fshat me punë të tilla, kurse Ismailin e dërgonin që në orën 7 të mëngjesit për të na marrë ujë me gjym në një shpat mali përballë. Pasi kalonte më këmbë lumin Fan, i gjori bëhej akull, që në mëngjes, por atëherë bënim sakrifica me bindje atdhetare, siç ishte koha.

Një herë, atje ku merrte ujë Ismaili, disa herë gjatë 6 orëve të punës sonë rinore, u vra një diversant dhe u kapën të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit, por ai, si dhe ne të tjerët, shpëtuam dhe mblidheshim në kampin e kantierit që në orën 18:00. Kur sapo kisha vajtur në Paris, në shkurt të vitit 1972, u botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, meritë e J. Malos, si dhe e përkthyesit Isuf Vrioni, emrin e të cilit e lanë anonim me porosi nga lart, edhe pse na kërkohej nga miqtë dhe detyroheshim të flisnim kot, dhe miqve francezë, siç e shpjegon J. Malo në kujtimet e veta. Mua më gëzoi ky fakt, jo vetëm si shqiptar dhe i njohur me Ismailin, por edhe si shkak i mirë për t’u takuar me intelektualët francezë, të cilëve do t’ua këshilloja ose do t’ua dhuroja librin në kuadrin e propagandimit të letrave shqipe.96985477

Ky ishte romani i parë i botuar atje. Së bashku me ambasadorin përgatitëm listën e miqve, të personaliteteve e të trupit diplomatik që do t’ua dërgonim këtë roman, se nga shtëpia botuese “Albin Mishel”, Robert Sabatieja na dërgoi 200 kopje për t’i shpërndarë te miqtë e ambasadës dhe për t’i dërguar në Shqipëri. Pasi e shpërndamë librin ndoqëm jehonën e tij në shtyp, ku u shkruan artikuj lavdërues në gazetat kryesore, duke pasur jehonë të gjerë. Ky sukses na nxiti për arritje të reja, pasi u krijuan rrethana për njohjen e vendit tonë në Francë dhe, nëpërmjet saj, në vende të tjera ku rrezatonte kultura franceze.

Këtë roman ia dërgova edhe Moris Klavelit, që kishte marrë Çmimin “Gonkur” (një çmim letrat i djathtë në Francë), shkrimtar që e takoja në pritjet dhe tregonte mirësjellje. Ai nuk m’u përgjigj direkt, por një miku i tij i kishte thënë se i kishte pëlqyer romani Kadaresë, vetëm se vështirë të konkurronte për atë çmim. Iu futa më thellë njohjes së kushteve për botime në Francë. Mblodha e studiova shumë pamflete të shtëpive botuese franceze, shumica e të cilave ishin në lagjen latine të Parisit. Miq të ndryshëm në tregonin punonjës te botuesit për t’i njohur drejtpërsëdrejti. Këtë punë bëja edhe me librarinë ngjitur me selinë tonë, ku huaja edhe libra për lexim.

Miqtë që kishin bërë botime të librave të tyre qenë më konkretë duke më thënë se kë duhet të takoja, ç’mund të përfitoja nga takimi me ta, cilat qenë kushtet e botimeve etj., kështu u njoha më mirë me Robert Sabatienë, drejtorin letrar të “Albin Mishel”, zonjën Blavie po atje për botimin e romaneve të Kadaresë; Pier Siprio, zonjat Andre For dhe Fransuazë Kolaneri të grupit “Hashet”, “Fajar” dhe “Stok”; me z. Pier Ruso në shtëpinë botuese “Norman Betyn” etj. Ky bashkëpunim me shtëpinë botuese u forcua kur u dhanë për botim librat e rinj të Kadaresë “Kështjella” dhe “Dimri i madh”. Atëherë unë luajta rolin e përkthyesit në takimet e Kadaresë, i cili e kuptonte, por end nuk fliste vetë frëngjisht. Së bashku me të ose me ambasadorin morëm pjesë në dreka e darka me botuesit. Kur Kadareja kthehej në atdhe, unë ndiqja çështjet konkrete për botimet e tij. Por, për çudi, I. Kadare nuk më tha asnjë fjalë mirënjohjeje për vendlindjen time, Kuçin, ku banorët i treguan subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasi në Buronja të Kuçit ishte varri masiv i vrasjes së oficerëve italianë nga nazistët gjermanë në 1943.

* * *

Zonja Andre For, përgjegjëse e të drejtave për të huajt në librarinë e njohur “Hashet”, trajtonte marrëdhëniet me shkrimtarët e huaj që botonin në këtë shtëpi botuese. U njoha me të në 1972, kur puna për botimin e librave të Kadaresë kishte filluar mirë dhe mbajta lidhje të pandërprera të shkëlqyera derisa u largova nga Franca. U miqësuam në rrugën e letërsisë dhe familjarisht në dreka e darka. Burri i saj, Moris Fori, kishte qenë ministri i jashtëm i Francës dhe nënshkroi në Romë dokumentin e Tregut të përbashkët Europian. Me këtë zonjë të qeshur e gojëmbël u trajtuan edhe botimet e librave të Kadaresë jashtë Francës si “Kështjella” në Holandë, në 1975. Zonja Fransuazë Kolaneri, shefe e shërbimit të shtypit në librarinë “Hashet”, qe një udhërrëfyese dhe një bashkëpunëtore e shkëlqyer në fushën e propagandimit të librave të Kadaresë dhe për takime me shkrimtarët francezë. Ajo ishte një pikaloshe bukuroshe, tejet e shkathët, e aftë se dinte t’i zgjidhte shpejt punët e vështira të shtypit. Më dha këshilla dhe adresa të sakta për të trokitur, ku gjeta vërtet qëndrime miqësore me botën e ndër likuar të letrave, të medieve franceze të shkruara e pamore. Qe me origjinë italiane. Kjo zonja For dhe zonja Marilenë Belanzhe e shtëpisë botuese “Fajar” bënin një ekip shumë të fortë si miq të Shqipërisë në grupin “Hashet Literaturë”. Në qershor 1972 I.Kadare erdhi në Paris për botimet e tij. Në pjesën më të madhe të takimeve zyrtare të tij e shoqërova dhe, në më të rëndësishmet, J. Malo. Ai qëndroi në hotel “Dypleks” afër banimit tonë pranë Tur Eifelit. Në këtë kohë ai kuptonte mirë frëngjisht, por parapëlqente që takimet t’i bënte me përkthyes dhe vetëkuptohen arsyet. Në takimet e kësaj kohe Ismailin e pëlqeja edhe për një gjë tjetër: ishte kudo shqiptar në takimet me të huajt, paraqitej me dinjitet e seriozitet, fliste qartë, shkurt, mbronte kombin tonë e virtytet shqiptare.

Në çdo pritje, dreka e darka, ai nuk harronte kurrë se qe shqiptar, se të huajt, kurdo, në radhë të parë, na shihnin e na gjykonin si shqiptarë, thuajse emrat e përveçëm nuk i përfillnin. Në përgjithësi, Ismaili ngriti lart cilësitë tona si shkrimtar e poet, i një stili befasues të realizmit socialist (po me ngjyrime perëndimore) për botën franceze e perëndimore. Mëdyshja e shkrimeve të Kadaresë në raport me lexuesit, që jo kushdo e kupton atë në të njëjtën mënyrë, i pëlqeu botëkuptimit letrar perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë. Miqtë i bënin atij shumë pyetje kurth, por Ismaili shpëtonte me lehtësi, pa çka se, në tërësi, nuk qe bindës për atë botë intelektuale.

Francezët kuptonin metodën e Kadaresë në shkrimet me nënkuptimet e tyre, që gati çdo lexuesi i shkon për shtat. Këtë dyzim e kuptuan mjaft lexues në Shqipëri dhe e kritikonin, kurse ata në Perëndim e donin dhe e kuptonin si një shkrirje akulli në realizmin socialist. Mua, personalisht, më çudiste fakti si e pranoi E. Hoxha “Dimrin e madh”, kur ai paraqitej kolos me këmbë Argjili, se s’kishte personazhe të tjerë pozitivë e real-socialistë. Shkurt, E.Hoxha në atë roman dukej, për mua, i ngulur në shkretëtirë dhe Kadareja finok ia jepte këtë sinjal Perëndimit.

Unë s’mund t’i shprehja hapur këto mendime, veç J. Malos herë-herë, por bëja çmos të botoheshin në Perëndim qoftë veprat e Ismailit, qoftë të njerëzve të tjerë të letërsisë, të artit e të kulturës, të sportit, të folklorit etj. Kjo qe arsyeja që mbroja edhe Ismailin, i cili qe i vështirë në shoqëri, si me burra edhe me femra. Edhe kur u takuam në Paris kësaj here, megjithëse njihesha me të, siç tregova më lart, që në gjimnaz, prapë Ismaili qëndronte ftohtë në fillim, rrinte shumë i heshtur dhe kuptoja se kishte frikë të qe i lirshëm në biseda. Unë i vura dy arsye qëndrimit të tij: njerëzit që kishin punuar në organet e MPB-së, ai i quante spiunë, kishte alergji dhe ndjenjën e persekutimit prej tyre. I quante edhe pa kulturë, siç thuhej atëherë “vetëm polic e aq”. Së dyti, në tërësi, të tjerët Ismaili i quante të pakulturë të lartë dhe si rrjedhojë s’ia vlente të miqësohej, mjaftonte për të që t’i bënin punën që i interesonte.

Për ta zbutur që të njihte Parisin ditën e natën, madje dhe duke lënë ndonjë punë timen, që mund ta bëja më vonë, pas darke e ftoja në shtëpi, ku shihnim filma, kur s’dilnim shëtitje vetëm ne të dy ose të tre me gruan time… Unë përpiqesha të bëja biseda kulturore më shumë se politike me të, t’i flisja për miq të kulturës franceze, për projekt-ide për të bërë të njohur kulturës shqiptare atje dhe që Ismaili të na ndihmonte më shumë me mbështetje në udhëheqje në Tiranë.

Ai vuri re se unë trajtohesha me ngrohtësi nga miqtë francezë që takonim për librat e tij, si burra dhe gra, gjë që e ngrohën dhe o forcoi besimin tek unë. Më 21 qershor 1972 ai u ftua për drekë nga botuesi, së bashku me ambasadorin dhe me mua. Atje qenë ftuar shumë miq. Javori dhe unë i kishim të njohur të gjithë pjesëtarët e tavolinës dhe flisnim lirisht me ta. Unë bëja edhe përkthimin për Ismailin dhe mezi po i mbaroja gjellët e shijshme që na vinin përpara. Dreka kaloi mirë dhe ai mbeti i kënaqur, si dhe pjesëmarrësit në tërësi, që bënë shumë pyetje dhe ai u përgjigj mirë. Nuk e harroj kurrë një vëzhgim të Ismailit në këtë drekë.

Kur ne e kishim mendjen te punët e rastit e në të ardhmen, ai kishte vënë re (si mendje e uritur feministi a shpirt poeti e shkrimtari) dhe gjatë bisedës më pëshpëriti: Shiko, të gjitha gratë e ftuara këtu janë pikaloshe, si duket kështu i pëlqejnë drejtorit të kësaj shtëpie botuese. Unë mezi mbajta të qeshurit dhe vura pecetën në gojë që të mos dilte zëri fort, kurse Ismaili picërroi sytë dhe u ngërdhesh me djallëzi cinike dhe me kënaqësi njëkohësisht për këtë zbulim.

Me këtë histori qeshëm, jo pak, edhe ne të tjerët më vonë, kur ua tregova. Një ditë kishte telefonuar në ambasadë një mik i Ismailit, që e ftonte për darkë dhe sekretari i tretë, Haxhi Taga, që iu përgjigj kishte mbajtur shënim ditën e orën. Kur Ismaili shkoi atje, miqtë i gjeti me pizhame. Qeshën me këtë shaka pa dashje, keqkuptimin gjuhësor, pinë një uiski dhe i thanë datën e saktë të dark- ës. Kaq iu desh Ismailit të tallej me ne diplomatët e selisë, por ia donte puna të bënte edhe dallime mes nesh. Hajde të duroje thumbat e tij e ngërdheshjen ironike!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura