Harta e re gjyqësore, nga sot vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë

Feb 1, 2023 | 21:05
SHPËRNDAJE

Në Shqipëri nisi sot zbatimi i hartës së re gjyqësore e cila parashikon një reduktim të ndjeshëm të numrit të gjykatave në vend. Janë 6 gjykata Apeli të cilat janë shkrirë në një të vetme në Tiranë, duke trashëguar mbi 29 mijë çështje për shqyrtim.

Capture

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, tha se me këtë riorganizim, qytetarëve do t’u ofrohet një shërbim më cilësor, duke premtuar se tanimë nuk ka do të ketë më shkak për dështim të seancave gjyqësore.

Prej ditës së sotme, 5 gjykata Apeli në të gjithë vendin kanë mbyllur dyert e sallave të gjyqit. Harta e re gjyqësore parashikon funksionim e një gjykate të vetme të shkallës së dytë, në Tiranë, ku do të punojnë 25 gjyqtarë, ose gati një e treta e numrit të përgjithshëm që ajo do të duhet të kishte. Do të nevojiten të paktën disa vite që ky numër të plotësohet, për shkak të boshllëqeve të krijuara nga gjyqtarët e shumtë të rrëzuar nga procesi i rivlerësimit. Apeli i Tiranës do të duhet të përballojë një numër prej më shumë se disa dhjetra mijëra dosjesh që janë për gjykim.

Kryetarja e Këshillit të Lartë gjyqësor Naureda Llagami u shfaq sot megjithatë optimiste, ndërsa shpjegoi se për rastet kur ka nisur procesi: “Do të vazhdojë gjykimi. Janë, në mos gaboj, 1865 çështje për të cilat vazhdojnë proceset gjyqësore. Ndërkohë që janë rreth 27 mijë çështje që janë bashkuar, dhe për shkak dhe të zhvillimeve të teknologjisë së informacionit, këto çështje kanë migruar dhe janë tanimë gati për t’u hedhur në short. Çdo gjyqtar do të ketë afro 1080 çështje. Dhe po të bëjmë krahasimin me Gjykatën e shkallës së parë të Tiranës, ku numri ka shkuar në 1500 çështje për një gjyqtar, këtu do të ketë më pak”

Zonja Llagami shpjegoi se çdo gjyqtar do të ketë një staf prej më shumë se 5 personash, dhe se Gjykata do të funksionojë me dy seksione të ndara, atë administrative dhe atë penale. Sipas saj, nuk do të ketë më dështime të seancave dhe zvarritje pa fund të tyre.

Harta e re gjyqësore e miratuar në korrik të vitit të shkuar, hasi në kundërshtime të shumta, veçanërisht nga komuniteti i avokatëve, sipas të cilëve, riorganizimi i sistemit gjyqësor cënon aksesin e qytetarëve dhe rrit kostot e tyre. Gjatë verës së vitit të kaluar, ata bojkotuan për ditë të tëra dhe seancat gjyqësore.

Por sipas zonjës Llagami shërbimi ndaj qytetarve nuk cënohet. “Qytetari do e marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, në godinat ku ka qenë deri tani Gjykatat e Apelit. Dhe aty do të marrë një shërbim që ka të bëjë jo vetëm me informacionin, por dhe për të depozituar të gjitha aktet që duhen për një gjykim në Apel apo në Gjykatën e lartë, por dhe për të marrë informacion lidhur me dosjen e tij në Gjykatën e Apelit. Kështu që nuk do të ketë asnjë kufizim të aksesit për qytetarët”, deklaroi zonja Llagami.

Harta e re gjyqësore prek dhe gjykatat e tjera. Nga 22 të tilla të shkallës së parë do të mbeten vetëm 13, duke nisur nga 1 maji, ndërsa do të ketë vetëm dy, gjykata Administrative, në Tiranë dhe Lushnje, duke nisur nga 1 korriku./VOA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura