Harta e re e gjyqësorit apo distancim nga qytetarët?

Jun 22, 2022 | 7:29
SHPËRNDAJE

Pellumb Nako

PËLLUMB NAKO

Për nga mënyra se si është projektuar, në thelb harta e re e gjyqësorit nuk është gjë tjetër veçse rritje e distancës së saj në raport me qytetarin, kërkues i drejtësisë. Çështja e distancës, në të cilën vendoset drejtësia në raport me individin, në kushtet e një vendi me probleme të mprehta sociale si i yni, duhet parë si një nga problematikat më themelore të sfidës për kriteret, orientimin dhe ndërtimin e politikave të drejtësisë.

Të paktën në parim duhet theksuar se projekti që paraqet “qeveria e gjyqësorit” nuk duhet dhe nuk mund të lidhet vetëm me numrin e reduktuar të gjyqtarëve për shkak të vetingut, as për kostot e mbajtjes hapur të disa gjykatave apo për motive të tjera të ngjashme me këto. Kjo ndarje duhet parë sidomos nën një këndvështrim sociologjik, në ndikimin që sjell mbi komunitetin. Bashkimi dhe shkrirja e gjykatave nuk rrit thjesht distancën fizike të tyre në raport me qytetarin, por godet njëkohësisht konceptin e “drejtësisë në afërsi”. Të kesh një drejtësi në afërsi apo më saktë të kesh gjyqtarë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre më afër problemeve që shqetësojnë qytetarin, do të thotë të kesh të garantuar njëherë e mirë efikasitetin, besueshmërinë, seriozitetin e një drejtësie moderne.

Pavarësisht se ligji i njeh “qeverisë së gjyqësorit” ndërtimin e hartës së tij, ajo nuk duhet të jetë thjesht një akt administrativ. Harta duhet të bazohet, siç u theksua, mbi të gjitha në koncepte me karakter sociologjik. Nëse një ent privat ofron shërbime të bazuara natyrshëm në cilësi dhe kosto, drejtësia më shumë se kostoja duhet të marrë në konsideratë kriteret sociologjike, pra, ndjesitë e publikut të cilit i ofron shërbim. Në një kohë kur distancimi gjeografik i drejtësisë konceptohet si braktisje nga shteti, kostoja në këtë rast nuk është gjë tjetër veçse shenjë papërgjegjshmërie.

Sot për sot, drejtësia ka një problem madhor, atë të kriterit tjetër bazë, siç është koha. Kurse me hartën e re bëhen dy probleme, shtohet edhe largësia. Kjo sepse tashmë dihet se drejtësia në afërsi të qytetarit dhe kohëzgjatja e dhënies drejtësi janë dy kriteret, mbi bazën e të cilave duhet të fillojnë gjithë llogaritjet e ndërtimit të hartës në fjalë. Madje edhe e kundërta: nëse pretendohet se në një rreth gjyqësor ka pak referime dhe shumë gjyqtare, fillimisht duhet parë nëpërmjet sondazheve nëse qytetarët raportojnë ose jo për dhunën apo vjedhjet që eventualisht kanë pësuar.

PËRSE ËSHTË E RËNDËSISHME AFËRSIA NË DREJTËSI?

Nëse krimi në përgjithësi mbetet ngjarje e jashtëzakonshme në raport me jetën e përditshme të një komuniteti të caktuar, mikrokriminaliteti u degradon dhunshëm pikërisht këtë përditshmëri, vështirëson kushtet e jetës së qytetarëve duke u krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë se autorëve të tyre. Pra, drejtësia në afërsi është drejtësi e përditshmërisë, e lidhur ngushtë me shtresat modeste të shoqërisë. Rritja e largësisë, sipas projektit, do të lërë thuajse të patrajtuar mikrokriminalitetin, konfliktet familjare, burim i kaq e kaq krimeve të rënda. Me këtë përqendrim të drejtësisë në disa qendra dhe me distancimin e saj nga realiteti i përditshëm, përveç perceptimit si braktisje, në vendin tonë tashmë të polarizuar ekonomikisht, rrezikohet edhe thellimi i mëtejshëm i padrejtësitë sociale. Kjo për faktin se nga njëra anë të përqendruara, nga ana tjetër nën trysninë e kohës, gjykatat do t’u japin përparësi institucioneve shtetërore ose private si kërkues të drejtësisë dhe jo individit. Ky i fundit në raport me shoqërinë ka fare pak peshë, por nga ana tjetër dihet se sipas doktrinës së sigurisë në vendin tonë, dhënia e drejtësisë është njëkohësisht edhe parandalim. Për këtë arsye, drejtësia duhet të jetë më afër dhe përgjigjja ndaj shkeljeve sa më e shpejtë.

Parë në raport me zinxhirin e institucioneve publike, të cilat i shërbejnë publikut të gjerë për siguri e drejtësi, harta e re e gjyqësorit duket se ecën tërësisht në të kundërtën e filozofisë së aktivitetit policor. Kjo e fundit ka folur dhe flet përditë se mënyrën sesi e organizon sigurinë, e bazon te logjika e policimit në komunitet. Policimi në komunitet nuk është gjë tjetër veçse termi anglosakson i “policimit në afërsi” si term latin. Policia, pra, thotë se punon shumë afër dhe pranë qytetarit që të konstatojë e të godasë pikërisht fenomenet e mikrokriminalitetit duke i referuar ato te drejtësia, për të garantuar sigurinë në përditshmëri. Pikërisht për çështje në dukje të vogla të sigurisë në përditshmëri, që tashmë janë një problem, nëse nuk trajtohen nga afër, do të kthehen në gangrenë të shoqërisë shqiptare. Edhe vetë të interesuarit do të humbasin dëshirën e ndjekjes ligjore të një konflikti, edhe Policia nuk do të jetë e motivuar. Madje, punonjësi i Policisë rrezikon të kthehet në një edukator për individët që kryejnë akte të mikrokriminalitetit.

Përveçsa më sipër, duke iu rikthyer hartës gjyqësore të propozuar, të krijohet përshtypja se pavarësisht se Këshilli i Lartë Gjyqësor është ligjërisht qeveri e pavarur, edhe pse justifikohet me mungesat e magjistratëve si pasojë e vetingut, më shumë të krijon bindjen se demonstron një mendësi tashmë në modë këtu në Republikën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për një lloj kënaqësie që u sjell drejtuesve të lartë publik braktisja e “afërsisë” me shqetësimet e përditshme qytetare duke u qëndruar gjithmonë e më në distancë. Në fakt, kjo hartë duket se ecën paralelisht me mentalitetin e llojit të qeverisjes së sotme, gjithmonë e më e larguar nga shtresat modeste dhe me afër oligarkëve e të kamurve. Ky paralelizëm nuk është thjesht një hamendësi, por bazohet në eksperienca tashmë të njohura në vende të zhvilluara ku problemi i drejtësisë në afërsi mbetet ende një debat i gjerë publik dhe ku praktikat e largimit të drejtësisë nga terreni, janë analizuar dhe paraqitur si ngërçe.

“Theksi është venë gjithmonë tek afërsia. Sistemet tona moderne gjyqësore janë rezultat i përpjekjeve që kanë pikërisht për qëllim largimin e gjyqtarëve nga kontekstet lokale të praktikës së tyre me qëllim që të lidhen më shumë me pushtetin qendror. Në këtë mënyrë, ky i fundit duket se e ka fituar në intensitet gjithë lëvizjen, me të cilën shoqërohen magjistratët nga formimi i tyre deri te kontrolli i aktivitetit që ushtrojnë”, shkruan studiuesi Zhak Komej në librin e tij “Një sociologji politike në hartën gjyqësore”. Dhe ajo që thotë ai është pikërisht çfarë po ndodh në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura