Harta e ‘Maqedonisë së Madhe’ edhe në Tetovë

Dec 15, 2011 | 18:43
SHPËRNDAJE

TETOVE- Mediat shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të raportojnë skandale të tjera lidhur me vendosjen e hartës së “Maqedonisë së Madhe” në institucione. E përditshmja Koha, në versionin e saj online, shkruan sot se pas hartave të “Maqedonisë së Madhe” në Ohër dhe në Shkup, një e tillë është varur edhe në njërën nga zyrat e Entit Statistikor në Komunën e Tetovës.

Pas interesimit të gazetës KOHA, harta është larguar nga muri me sqarimin se është vënë nga një i punësuar në këtë zyrë.  Kështu shprehet, drejtuesi i zyrës së Entit Statistikor në Tetovë, Toni Zdravkovski.

Nga fotoja shihet se bëhet fjalë për hartë me kufijtë e Maqedonisë së vitit 1912.

“Harta ka ekzistuar aty, por prej sot nuk ekziston më, është larguar. Dua të potencoj se hartën e ka vënë një i punësuar dhe Enti Statistikor nuk qëndron pas tij”, ka deklaruar për gazetën Koha, Toni Zdravkovski, udhëheqës i Entit Statistikor Tetovë.

Në bisedë e sipër, shkruan Koha, Zdravkovski sqaron se harta është e vitit 1912 dhe nuk ka të bëjë me atë se si do të duket Maqedonia në të ardhmen.

Vetëm pak ditë më parë një një rast i tillë është vërejtur edhe në një shkollë fillore në Ohër.

Për vizatimin e hartës së “Shqipërisë Etnike” nga katër të rinj tetovarë pritet të ketë padi penale, ndërsa për këtë rast institucioni në fjalë thotë është një rast individual.

Lidhur me hartën e “Shqipërisë Entike” të vizatuar në dalje të Tetovë, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale ndaj katër të rinjve shqiptarë që mund të gjykohen deri më 5 vjet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura