Harta e “Der Spiegel”: Për 7 muaj, 30 mijë azilantë shqiptarë në Gjermani

Aug 27, 2015 | 11:39
SHPËRNDAJE

Me titull “Emigracioni në masë: Çfarë po e udhëheq eksodin e Ballkanit?”, gjermanja “Der Spiegel” publikon një hartë me numrin e emigrantëve nga secili shtet i Ballkanit, që kanë hyrë në Gjermani gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2015 dhe kanë aplikuar për azil.

Në këtë hartë, siç mund të shihet qartë edhe më poshtë, shihet se shtetas shqiptarë që kërkojnë azil në Gjermani për periudhën 1 Janar- 31 Korrik, janë 29,353.

hartaDuket se shqiptarët e Kosovës përbëjnë një numër më të madh, pikërisht 29.997 persona.

Nga Maqedonia, për të njëjtën periudhë kohore, kanë kërkuar azil në Gjermani 5.514 shtetas.

Ndërsa nga Serbia 11.642 shtetas dhe nga Bosnje-Hercegovina, 2.981 shtetas.

Sipas medias gjermane, 7,500 shtetas shqiptarë aplikuan për azil vetëm në Korrik. Ndërsa vjet, janë paraqitur gjatë gjithë vitit vetëm rreth 8000 aplikime. Pas sirianëve dhe kosovarëve, shqiptarët janë bërë grupi i tretë më i madh i azilkërkuesve në Gjermani.

Gazeta gjermane ka intervistuar disa azilkërkues nga Ballkani në përpjekje për të zbuluar shkaqet e eksodit. “Dua të jem dikush, andej nga kam ardhur jam askushi”, ka thënë Visar Krasniqi nga Prishtina. Dhe sipas tij në vendin e tij është vështirë të jesh dikushi nëse nuk ke ndikim te politikanët, apo nëse s’je pjesë e mafies. Krasniqi në Kosovë punon shtatë ditë në javë si barist, dhe fiton vetëm 220 dollarë në muaj.

Sipas ‘Der Spiegel’ këto arsye janë pak a shumë ato që shtynë shtetasit e Ballkanit Perëndimor të kërkojnë azil.

Eksodi, vijon shkrimi, tregon se plagët e luftërave ballkanike nuk janë shëruar ende. Pasojat janë të shumta: mungesa e investimeve, sisteme të mirëqenies sociale të dështuara, korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia e lartë dhe varfëria.

“Der Spiegel” analizon situatat në Kosovë dhe Shqipëri, ku për Kosovën shkruan shprehimisht se një grup politikanësh të korruptuar kanë okupuar gjithë pozitat e larta qeveritare duke çuar në një aparat të fryrë administrativ prej 100 mijë vetash. Duke vijuar me Kosovën, “Der Spiegel” citon se edhe energjia elektrike e vendit po i shitet me çmime shumë të ulëta një të afërmi të presidentit turk, dhe të ardhurat janë të kanalizuara në rruge të errëta, kurse procedurat gjyqësore janë shumë të zvarritura. Vendi nuk ka hetuar ende se çfarë ndodhi me 13 mijë viktima të luftës.

Për Shqipërinë gazeta citon normën e lartë të papunësisë prej 30%. Vala e eksodit fillimisht nisi si thashethem, ndoshta e ardhur nga Kosova se gjermania ishte në kërkim të fuqisë punëtore dhe mijëra shqiptarë emigruan duke pritur mrekullinë.

Madje sipas “Der Spiegel”, edhe kryeministri Rama e ka shumë të qartë se negociatat me BE nuk fillojnë përsa kohë një numër kaq i madh shqiptarësh do kërkojnë azil. Megjithatë kryeministri shqiptar e ka një ëndërr, atë e ka diskutuar me kancelaren Merkel. Ai dëshiron që Gjermania të hyjë në programe bashkëpunimi me shkollat tregtare shqiptare. Shkollat do të përgatitin shqiptarët për llojin e punës që askush në Gjermani nuk dëshiron t’i bëjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura