Harrohet Kongresi i Elbasanit dhe Ernest Koliqi dhe kujtohet vetëm Konferenca e Pezës!

Oct 1, 2022 | 11:27
SHPËRNDAJE

Kongresi i Elbasanit (2)Nga Hyqmet Zane

Muaji shtator ka një sërë kujtesash historike që na bëjnë sa krenar, aq edhe trishtues. E quaj krenari kur kujtohen ngjarje historike që i bëjnë nder kombit, por trishtohem kur kujtohen ngjarje që nuk i kanë sjellë ndonjë vlerë këtij kombi. Për koincidencën tonë ky muaj mbahet mend për tre momente të rëndësishme siç njihen Kongresi i Elbasanit, vendimi i ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi dhe Konferenca e Pezës. I mbyll ky muaj dhe kujtesa historike ishte po thuaje inegzistente.

Shpesh herë rikthehemi te Konferenca e Pezës, si një model i një dëshire në rikthimin e një padrejtësie që i bë shqiptareve në emër të një ngjarjeje që hyri në histori, por jo si vlerë, por si tradhti që partia komuniste e kohës i bëri popullit shqiptar.  Po ashtu, reklamimi i herëpashershëm i portretet e Enver Hoxhës , ka kompromentuar jo thjesht sinqeritetin e atyre që flasin ndryshe dhe veprojnë ndryshe, por edhe qeverisjen e sotme dhe vetë kryebashkiakun e Tiranës dhe vetë kryeministrin që rri e vëzhgon ne absurdin…

Ndoshta anashkalohet fakti që ajo konferencë pati si të veçantë dhe pozitive vetëm parullën “Bashkim pa dallim feje, krahinë, ideje” se në këtë vend asnjëra prej pikave të kësaj konference nuk u zbatua, ndërkohë që pjesëmarrës deri edh e kryetari i kësaj konference u eliminuan nga PKSH. Arsyeja që kjo Konferencë është kujtuar  me shumë zhurmë, ka në brendësi nostalgjinë e njerëzve organizatorë për sistemin diktatorial, aq më tepër kur shfaqen dukshëm portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe stema staliniste e drapër e çekan.

Ka njerëz dëshmitarë okularë të kohës që kanë shprehur zhgënjimin e tyre për Konferencën e Pezës dhe njera prej tyre është Xhemile Gjinishi në Peqin, motra e të mirënjohurit Mustafa Gjinishi, e cila është shprehur në një intervistë që unë i kam marrë asaj në Peqin para se të ndërronte jetë, kur ka thënë se “vrasja e Mustafait nisi që në Konferencën e Pezës, të cilën ai e quajti tradhti, sepse veprimet që u bënë pas asaj konference ishin kundër interesave të shqiptarëve. Këtë Mustafai ia kish thënë edhe Myslim Pezës që e kishte mik për kokë dhe nuk ia merrte mendja kurrë që edhe babë Myslymin siç e thërrisnin aso kohe, do ta bënte për vete Enver Hoxha, se donte të mshifte pabesitë e veta. Unë e them gjithmonë se vëllanë tem e vrau Enver Hoxha dhe Myslim Peza, kur mori vesh se e kanë vra Mustafa Gjinishin, tha, se “për Mustafën gjaku do të shkojë deri në shalë të kalit”, por sa vajti në Tiranë, edhe Myslymi heshti dhe u bë palë me komunistet vrasës. Ma kanë thanë se sapo Mustafa hyri në një mbledhje të përbashkët me jugosllavët, tha se “këtu ka mbet me fol vetëm serbisht”, se aq i fokusur ishte ai nga prania e jugosllavëve në vendin tonë dhe brenda PKSH. Kjo është e vërteta. S’ka kush t’ma ndërroje mendjen mua për këtë gjë”.

Nga ana tjetër në këtë fillim viti të ri shkollor pas 81 vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej me shumë arsye bindëse një personalitet mbarëkombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941 kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frytet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në shpërthimin e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frutet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare.

1942, Konferenca e Pezë

Pyetja që lind është se përse nuk kujtohet një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Pezës që bëri të kundërtën e asj që bënë 400 normalistët shqiptarë? Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.

Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithçka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 81 vjet më parë, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit, tashmë 113 vjeçare, më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat Paramithi, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.

Ernest Koliqi ishte ministri i arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 74 vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash për të kundërmuar si lahuta e Malësisë që mbushi vendin me burrni.

Kur mendon dhe shikon se si pas 80 vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptare, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti-shqiptarizmit

Në këtë shtator 114 vjet më parë u mbajt edhe Kongresi i Elbasanit që i dha shqiptarëve njohjen e gjuhës, hapjen e shkollës Normale dhe Universitetit të Parë Shqiptar. Ende ekziston ajo godinë e madhe që  përcaktoi themelet e arsimimit tonë mbarëkombëtar sepse Normalja ishte laboratori i madh i përgatitjes së mësuesve që vulosën me punën e tyre shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe dhe më tej akoma të shkencave që do të bënin që ajo Normale të konsiderohej si lindja e Universitetit të parë në mbarë trojet shqiptare.

Pikërisht për këto dy ngjarje të mëdha me spikatje të konsiderueshme në historinë tonë mbarëkombëtare, kurrë nuk flet dot kryeministri, ministri i arsimit, as akademikët apo të tjerë institucione që kanë aq shumë nevojë që të identifikohen për rrjedhojat që patën ngjarje të tilla si Kongresi i Elbasanit, krijimi i Normales etj.

© Panorama.al

Te lidhura