Harresa politike, një mallkim kombëtar

Dec 15, 2017 | 11:05
SHPËRNDAJE

Klevis Balliu

KLEVIS BALLIU

Harresa e krimeve të rën da gjithmonë sjell fatkeqësi për një popull dhe një komb. Shqipëria mund të jetë, në fakt, shembulli më perfekt për këtë tezë të faktuar botërisht. Sot, si asnjë vend tjetër, Shqipëria ka harruar pothuajse tërësisht krimet e komunizmit, kuptohet, falë një propagande majtiste të jashtëzakonshme, e cila vazhdon ende sot. Harresa e këtyre krimeve ka sjellë edhe një tragjedi për vendin tonë. Ende sot në politikë vendosin klanet oskure të diktaturës komuniste.

Në fakt, Partia Socialiste, e cila sot është në pushtet, është vetë Partia e Punës e reformuar dhe kjo nuk është akuzë, por fakt. Dhe është harresa politike e krimeve të rënda të një kombi që është një nga faktorët kryesor pse shqiptarët, çdo ditë që kalon, nuk promovojnë demokracinë, por e asgjë- sojnë atë. Kjo qeveri, gjithashtu, është shembull për harresën politike të skandaleve të mëdha. Skandale, të cilat në vetvete në çdo vend normal do të rrëzonin çdo qeveri.

Kush mund të më thotë se çfarë ndodhi me çështjen e Ervis Doçit, shokut të ngushtë të Saimir Tahirit? Ku janë vrasësit e Santos, ku është Klemend Balili që Policia tha se do ta kapte për punë ditësh? Çfarë ka ndodhur me historitë: me Shullazë, çështjet e ministrit Beqaj, ku është hetimi për vjedhjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit, e për të mbërritur tek çështja e kushërinjve të Saimir Tahirit, Habilajt? Arratisja e drejtorëve të Policisë, skandali i inceneratorëve e shumë të tjera, që për fatkeqësinë e këtij kombi po harrohen.

Fakt është që skandalet e Qeverisë janë kthyer tashmë në normalitet, apo dhe si filma serialë, ku çdo ditë ka një skandal të ri, e ku duket pastër bashkëpunimi i Qeverisë me krimin e organizuar si në rastet e përmendura më sipër. Ose fakte të reja për vjedhje masive nga Qeveria si në rastet e lartpërmendura. Madje, mund të shtoj që disa ndërkombëtarë kanë qenë dhe pjesë e mekanizmit që shtyn dhe promovon harresën politike, me përjashtim të ndonjë ambasadori si ai amerikan, që shpesh ka dhënë deklarata të adresuara.

Por, nuk ka krim më të madh, në fakt, se sa harresa politike e skandaleve të Qeverisë, pasi harresa frymëzon hajdutin dhe kriminelin të vazhdojë vjedhjen apo vrasjen. Në këtë situatë është detyrë morale, por dhe politike e opozitës të marrë përsipër luftën kundër qeverisë së krimit dhe të vjedhjeve. Opozita duhet ta nisë me kujtesën e popullit për këto krime monstruoze që janë, në fakt, dhe burimi i varfërisë së shqiptarëve. Opozita duhet ta mbajë publikun të mirinformuar për këto skandale, pasi sot për Shqipërinë, opozita me të mirat dhe të kë- qijat e saj, është e vetmja shpresë për t’u rikthyer në një normalitet ekonomik.

Paralelizmi që vetë Kryeministri i vendit i bën krimeve të Qeverisë së tij me akuza të ngritura nga vetë ai në drejtim të opozitës së sotme apo qeverisë së djeshme nuk qëndrojnë. Por, ka një arsye të fortë përse e bën. Ky është një mekanizëm për të lënë në harresë këto krime ku Kryeministri është i përfshirë. Tërheqja e vëmendjes me batuta dhe imazhe atletesh, apo takimet boshe me ndërkombëtarët apo qeveritare që nuk kanë sjellë asgjë konkrete për vendin, janë të gjitha, në fakt, thjesht, kombinacione, ekuacione që ndihmojnë harresën politike të këtyre krimeve.

Të gjitha këto kombinacione janë pjesë e një propagande majtiste në shërbim të klaneve të vjetra të byrosë politike hoxhiste, që ende sot vazhdojnë të drejtojnë partinë që vetë krijuan në 1944-ën. Mënyra e qeverisjes së tyre është vetëm një. Me kriminelë në atë kohë dhe me kriminelë në këtë kohë, me autoritarizëm në atë kohë dhe me autoritarizëm në këtë kohë. Pavarësisht kësaj, shumë njerëz mund të thonë që këto janë akuza, por askush nuk mund të japë prova që këto janë, thjesht, akuza dhe jo fakte. Ndërkohë që disa akuza të opozitës janë faktuar, por në fakt edhe mund të jenë harruar sot, siç mund të jetë rasti flagrant i Tahirit, çështje e cila po përmendet sa më pak edhe anë rrjetet sociale apo mediat vizive dhe të shkruar, pas ndërhyrjes direkte të Kryeministrit.

Kjo është në mënyrën më absolute një provë, një fakt konkret që harresa politike, e frymëzuar nga propaganda komuniste nuk është tezë opozitare, por një fakt konkret i dukshëm dhe i prekshëm. Pasi është pikërisht harresa e këtyre krimeve që sjell vazhdimësinë e krimeve të tjera që dëmtojnë Shqipërinë, shqiptarët dhe absolutisht ekonominë e çdo shqiptari.

* Deputet i PD-së në qarkun e Korçës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura