Hapja e negociatave dhe tri korsitë integrimit, Bushati: Të ndryshojmë klimën politike

Oct 10, 2018 | 17:47
SHPËRNDAJE

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati tha sot se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë para perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

BushatiSipas tij, së pari duhet krijuar një narrativë pozitive kombëtare, e brendshme që mbështet përpjekjet që janë bërë dhe së dyti, nevojitet dhe një narrativë pozitive rajonale.

Gjatë seminarit me titull “Impakti i negociatave të anëtarësimit në punën e autoriteteve dhe ministrive relevante në një vend negociues- Mësime të nxjerra nga Republika e Kroacisë”, ministri tha se: “Për ne, 2019-ta është një horizont i hapur, me kalendar të qartë qershorin e 2019-tës dhe me detyra shtëpie të qarta të cilat synojmë që t’i realizojmë së bashku me ndihmën e Komisionit Evropian, me asistencën teknike që është në dispozicion të institucioneve shqiptare në mënyrë që qershori i 2019-ës të jetë një proces i finalizuar me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”.

“Në këtë kontekst, ne po punojmë dhe po përpiqemi të kemi narrativë kombëtare pozitive, sepse është shumë e rëndësishme që dhe klima politike në vend, krahas punës së administratës publike, të jetë e tillë që të mundësojë arritjen e këtij objektivi kombëtar. Krahas narrativës kombëtare pozitive, është shumë e rëndësishme që të kemi dhe një narrative rajonale pozitive. Sot për sot ne dukemi sikur jemi në tre korsi të ndryshme, Mali i Zi dhe Serbia në korsinë e parë, duke qenë se janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, Shqipëria dhe Maqedonia në korsinë e dytë, duke qenë se sapo kemi nisur së bashku procesin “screening” dhe Bosnja me Kosovën në korsinë e tretë. Javës së shkuar, së bashku me presidencën austriake, me ministren e Jashtme të Austrisë dhe me ministren e Jashtme të Kroacisë, së bashku me një grup ekspertësh dhe politikbërësish, ne diskutuam mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe ofrimit të eksperiencës më të mirë edhe në këtë drejtim, në mënyrë që pavarësisht korsive ekzistuese, ne të kemi dhe një narrativë më të mirë rajonale në lidhje me këtë proces.

Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, në fjalën e tij tha se ka ardhur koha që Shqipëria të ndërmarrë vendime strategjike të cilat do të kenë ndikim në gatishmërinë e saj për  negociatat e ardhshme. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që Shqipëria, në fazën parapërgatitore, të marrë parasysh jo vetëm rezultatet e diskutimeve që janë zhvilluar deri tani me Komisionin, por edhe përvojat e vendeve që kanë kaluar më parë këtë proces duke u fuqizuar më shumë për fazën pasardhëse.

Duke falënderuar Komisionin për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë ministri Bushati siguroi dhe njëherë angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të vazhduar në linjën e përcaktuar nga konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian në qershor 2018.

Ky seminar u organizua dhe financohet nga Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni (TAIEX) i Komisionit Evropian, në bashkëpunim me MEPJ. Qëllimi i tij është evidentimi i një sërë mësimesh të nxjerra për organizimin e brendshëm ndërministror, bazuar nga përvoja e Kroacisë, si vendi i fundit që negocioi me sukses pranimin në BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura