Hapet tenderi për projektin e rikonstruksionit të TKOB

Jun 17, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

I ndërtuar në kohën e dashurisë së madhe me Bashkimin Sovjetik, një dëshmi e arkitekturës së rëndë sovjetike, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më në fund i vjen radha të rikonstruktohet. Tashmë Ministria e Kulturës ka publikuar në faqen e saj online shpalljen e tenderit për “Projekt zbatimi i rikonstruksionit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor”. Fondi limit për këtë fazë është 30.318.750 lekë.

I ndërtuar në vitin 1959, ndërtesa e Pallatit të Kulturës, në të cilën ndodhet Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Biblioteka Kombëtare, si dhe institucione të tjera që kanë gjetur strehë në të gjatë viteve, ka shfaqur vazhdimisht probleme të mëdha në infrastrukturë. Sidomos në TKOBAP ankesat kanë qenë të vazhdueshme. Me gjithë ndonjë arnim në studiot e punës apo sallat e balerinëve, rrënimi është aq i madh, saqë çdo riparim dukej sikur e nxirrte edhe më në pah mjerimin e ndërtesës.

Vetë drejtuesit e institucionit në vite e kanë ngritur vazhdimisht këtë problematikë përgjatë qeverisjeve të ndryshme, të majta e të djathta, por vullneti për t’ju përgjigjur nevojave më elementare të artistëve, ka qenë minimal. Problemet në këtë ndërtesë fillojnë që nga skena, te salla ku qëndron publiku, në dhomat e punës së artistëve, ku mungon ngrohja e deri zyrat e administratës, që vazhdojnë të jenë të mobiluara si në kohën e diktaturës, por në gjendje edhe më të rënduar pas 25 vjetësh ndërrim sistemesh.

Pas premtimeve të vazhdueshme për të ndërhyrë, duket një dritë jeshile në sfond, por deri në realizimin e tyre është një rrugë e gjatë, sepse bëhet fjalë vetëm për hartimin e projektit, i cili më pas do të duhet të vihet në zbatim. Rikonstruksioni total i TKOB do të kërkojë një shumë të madhe parash, për sigurimin e të cilave Qeveria shqiptare do të duhet të shtrëngohet jo pak. Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave për fazën e parë është data 22 qershor.

Autoriteti Kontraktor është Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Kur projekti të jetë gati për zbatim e pasi të jenë siguruar paratë, TKOBAP do të duhet të mendojë seriozisht zhvendosjen në një sallë tjetër. Mësohet se janë shqyrtuar variantet e mundshme, për dhënin e shfaqjeve në Tiranë, madje edhe skena të rretheve, ku TKOBAP mund të dalë për turne gjatë kohës së punimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura