Hapet rruga për ngritjen e KLP, Bujar Sheshi plotëson kriteret

Nov 8, 2018 | 20:37
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU / Prokurori i Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, ka marrë konfirmimin si kandidaturë e përshtatshme për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Bujar Sheshi
Bujar Sheshi

Në këtë mënyrë, ngërçi që ishte krijuar për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, institucion që do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm, duket se është drejt zgjidhjes.

Prokuroria e Përgjithshme është shprehur pas verifikimeve se Bujar Sheshi i plotëson kushtet për të qenë kandidat i KLP-së nga prokuroritë e Apeleve. Kujtojmë se në thirrjen e shpallur nga Prokuroria e Përgjithshme renditeshin një sërë kriteresh, ndër to, eksperienca 10-vjeçare dhe të mos mbante post drejtuesi.

Kujtojmë se Sheshi ka një karrierë 23- vjeçare në sistemin e drejtësisë në vend, aktualisht është në detyrë në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, më herët ka qenë në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurori është vlerësuar “shumë mirë” në vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale, si dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore. Gjithashtu, një plus për prokurorin Sheshi është edhe kalimi i procesit të vetting-ut, si i përshtatshëm në të tria kriteret.

“Lidhur me eksperiencën, vlerësimet e punës dhe masat disiplinore u kryen verifikimet e nevojshme nga Sektori i Burimeve Njerëzore; Sheshi ka ushtruar funksionin e prokurorit prej 23 vjetësh. Në kohën e kandidimit nuk ushtron funksionin e drejtuesit. Nga verifikimi i dosjes personale rezulton se është vlerësuar “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale. Nuk ka masa disiplinore në fuqi dhe asnjë masë në karrierën e tij”, shkruhet në dokumentin zyrtar. Ndërkohë, pas kandidaturës së Bujar Sheshit, nuk ka më asnjë pengesë për të thirrur Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve.

NGËRÇI NË KLP

Nga tre kandidatë që vinin nga prokuroritë e apeleve, dy prej tyre u shkarkuan në fund të procesit të vetting-ut, duke bërë që të ketë mungesa dhe ngritja e KLP-së të futej në ngërç. Në ligj theksohet se nga 6 anëtarë që vijnë nga prokurorët, dy duhet të jenë nga Apeli, ndërsa një prej tyre duhet të jetë patjetër nga rrethet.

“Dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës”, theksohet në ligjin për organet e reja të drejtësisë. Nga Prokuroria e Apelit të Tiranës ka qenë kandidat prokurori Luan Kaloçi, i shkarkuar, pasi sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk justifikonte pasurinë e tij.

Nga Prokuroria e Apelit të Shkodrës ishin dy kandidatë, Arben Dollapaj, i cili rezultoi i pastër në të tria kriteret, duke u konfirmuar, ndërsa prokurorja Besa Nikëhasani nuk arriti të bindë me pasurinë e saj, ashtu si pjesa më e madhe prokurorëve dhe gjyqtarëve. I fundit që kaloi në sitën e vetting-ut nga kandidatët e KLP-së ishte prokurori Bujar Hoti, i cili u shkarkua pasi kishte probleme me pasurinë dhe kontratat për blerjet e pasurive, që u cilësuan si fiktive nga komisioni dhe përfaqësuesi ndërkombëtar.

Në lidhje me këtë situatë, në përfundimin e afatit të thirrjes së parë ka reaguar edhe shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera, e cila me anë të një postimi në “Tëitter”, një muaj më parë u bëri thirrje prokurorëve që të kandidonin. “Thirrje për prokurorët shqiptarë në shkallët e apeleve: Përdoreni këtë mundësi dhe aplikoni për të zënë një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë! Këshilli luan një rol kryesor për drejtësinë shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin e Europian”, shkruante ajo një muaj më parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura