Hapet pas 6 muajsh bllokim rruga e Thethit

Jun 13, 2013 | 14:42
SHPËRNDAJE

Dje pas hapjes së rrugës së Thethit në Shkodër
SHKODER – Hapet për qarkullim rruga në drejtim të zonës turistike të Thethit në Shkodër, aks i bllokuar prej më se 6 muajsh nga reshjet e mëdha të borës. Pas një periudhe të gjatë në të cilën rruga në fjalë ka qenë e pakalueshme, dje është bërë e mundur heqja e shtresës së borës dhe qarkullimi i mjeteve. Rruga nacionale Bogë-Theth, e cila shkon në zonën turistike të Thethit, u hap pas punimeve disaditore. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i rrugëve rurale të Shkodrës, Dedë Tonaj. Ai ka bërë me dije dje se në një segment rruge prej 15 km, trashësia e dëborës varionte nga 1-4 metra në zonat ku ka pasur ortekë dhe rrëshqitje dëbore nga zonat më të larta. Ky segment rrugor çdo sezon nis të bllokohet në muajt e vjeshtës, sapo fillojnë reshjet e borës. Si pasojë e reshjeve të mëdha, rruga mbetet e bllokuar deri në fund të pranverës. Për shkak të nivelit malor në segmentin e quajtur Qafa e Thores, që ndodhet mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe relievit tepër të thyer, banorët e zonës detyrohen të qëndrojnë të izoluar nga dëbora. Ky aks rrugor është ndër të vetmet rrugë nacionale në Shqipëri ku dëbora e mban të bllokuar për 6 muaj radhazi. Puna për hapjen e rrugës së Thethit ka nisur prej 10 ditësh, ku është angazhuar Ndërmarrja e Rruga-Urës me dy mjete të rënda. Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrjeje, ka qenë tepër e vështirë për ta hapur këtë rrugë, pasi prezenca tepër e madhe e dëborës bënte që të mos dallohej shtresa e tokës, ndërsa në të djathtë aksi ka një greminë disa kilometra të thellë. Pas një pune prej 10 ditësh është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës nga mjete borëpastruese me zinxhirë, pasi ato ishin të vetmet që mund të kryenin një punë të tillë, është shprehur Tonaj. Menjëherë pas hapjes për kalim, rruga e Thethit të ngjasonte me një tunel dëbore, pasi sërish kishte masive në dy anët e saj. Me hapjen e rrugës në Qafën e Thores për Ndërmarrjen e Rrugëve Rurale puna nuk ka përfunduar pasi ato tashmë kanë për detyrë riparimin e aksit tjetër, Dycaj-Bogë, i cili ka pësuar dëmtime të mëdha si rezultat i reshjeve të shiut të rëna gjatë këtij dimri. Bllokimi i rrugës kishte ndikuar në turizmin e Thethit, pasi shumë turistë të huaj të mbërritur në këtë zonë janë detyruar të kthehen nga kanë ardhur. Çdo vit Thethi vizitohet nga rreth tre mijë turistë të huaj, kryesisht nga Çekia, Polonia dhe Gjermania.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura