Hapet Panairi i 22-të i Librit në Kosovë! Alda Bardhyli: Rikthimi pas dy vitesh mungesë, një ngjarje e rëndësishme

Jun 7, 2022 | 21:29
SHPËRNDAJE

Hapet Panairi i 22-të i Librit në Kosovë! Në fjalën hyrëse, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit Alda Bardhyli deklaroi se rikthimi pas dy vitesh mungesë i këtij panairi në pallatin e Rinisë në Prishtinë, është një ngjarje e rëndësishme.

c6c59ed4-019d-4b2f-b586-87d677533c9f

“Rikthimi i Panairit të Librit pas dy vitesh mungese në këtë hapësirë historike të Pallatit të Rinisë këtu në Prishtinë, është një ngjarje e rëndësishme, që na lidh me prekjen më të bukur të universit njerëzor, identitetin e një kombi dhe një pushtet të vlerave të përbotshme, që shtrihet përtej doktrinave politike e fetare, që na lidh me humanizmin, vazhdimësinë dhe lirinë, librin.

Nga Bukureshti e Sofja, ku u formëzua dhe shpirti i Rilindjes sonë Kombëtare, një djalosh Frashërli, që atëherë ende nuk i kishte mbushur 40 vjeç, do të artikulonte në gazetën “Drita” të 1883-shit se pa “dituri nuk ka bukuri”. Ishte Naim Frashëri arkitekti i letërsisë sonë kombëtare, një nga orientuesit e mëdhenj shpirtërorë të gjuhës e kombit, i cili ndjeu herët forcën e librit si alternativë në formimin e identitetit dhe një shoqërie të hapur.

E shkuara jonë është një pengesë e vazhdueshme me historinë. Sot, tri dekada nga rënia e komunizmit dhe 22 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, mund të shohim dritën që i shoqëroi dy vendet tona drejt një çlirimi shpirtëror. Poetët dhe shkrimtarët ishin ata që na orientuan drejt këtij çlirimi, ligjvënësit e panjohur. “Ka stinë në jetën e popujve, kur letërsia duhet ta thyejë zakonin e të qenët e pavarur e të përzihet në punët e kombit dhe se tani kombi shqiptar ka nevojë për letërsinë”, do të shprehej shkrimtari Ismail Kadare gjatë ceremonisë së marrjes së një çmimi letrar në Prishtinë.

98fc9fa3-22b6-4dec-9a4a-a583dcfbe88b

E shkuara e njerëzimit, por dhe e jona, na tregon se libri ka ndihmuar jo vetëm në përsosjen e qenies dhe ndërgjegjes njerëzore, por dhe krijimin e zonave të paqes në agresione politike e historike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave dhe nxitur reflektime drejt qasjeve dhe horizonteve të reja. Po sot, në një botë që prej dy vitesh është përballur me kërcënimin e një armiku të padukshëm, siç është Covid 19, dhe kur gjuha, identiteti, shoqëritë, ndodhen përballë presioneve të reja, cili duhet të jetë roli i librit?

Cili është roli i letërsisë? Forca për t’u përballur me këto sfida gjendet pikërisht te një dritë e vazhdueshme dhe e përhershme që na vjen prej shekujsh nga shpikja më e vlefshme e njeriut, siç thoshte Herman Hesse, libri. Ndaj leximi dhe libri, ashtu si motoja e këtij panairi, është forma e vetme përmes së cilës mund të mbrojmë shpirtin dhe mendjen, por dhe kombin. Libri duhet të jetë busulla që udhëheq kulturalisht dy shoqëritë tona!”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura